Municione për Ukrainën në Poliçan? Zotka: Të gatshëm që sot, hajdeni të fillojmë! E kemi kërkuar disa herë!……
Propozimi i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelesnky për të bashkëprodhuar municione për të furnizuar Ukrainën, e cila ndodhet nën agresionin rus prej 2 vitesh, ka zgjuar tashmë interesin për ringjalljen e infrastrukturës së vjetër në vend, siç është ish-Kombinati i Poliçanit.
Në një intervistë për Report TV, kreu i bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj, i cili vite më parë ka punuar në ish-Kombinatin mekanik të Poliçanit, ka kërkuar të vihet në punë ish-kombianti. Zotkaj, tha se në ish-Kombinat janë të gatshëm t’i prodhojnë që sot municionet.
Kryebashkiaku bëri me dije se shpesh herë kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Mbrotjes për vënien në punë të ish-Kombinatit, por është ndeshur me burokracitë e kësaj ministrie. Tashmë, thotë Zotka që është lufta në Ukrainë, kjo kërkesë e tyre u përgjigjet drejtpërdrejt nevojës për prodhimin e municioneve në Poliçan.
“Mua më bëhet qejfi që u kujtuan për Poliçanin dhe duhej të vihej tek lufta, pasi ne kemi bërë dhjetëra kërkesa për Ministrinë e Mbrojtjes, për ta vënë në punë ish-Kombinatin mekanik, dhe përgjigja e tyre ishte s’kemi projekt.
Ne kemi qenë të gatshëm si pushtet vendor për ta vënë në punë për të prodhuar fishekë për policinë, ushtrinë dhe poligonet e qitjes.
Me gjithë dashamirësinë e Ramës, kërkesa jonë ka ndeshur në burokracitë e mëdha të Ministrisë së Mbrojtjes, gjithmonë kanë vënë sterkëmbësha dhe nuk kanë qenë dashamirës ndaj nesh.
Nuk kanë dashur ta vënë në punë ish-Kombinatin. Sot jemi në situatë tjetër. Lufta në Ukrainë, me çfarë po shohim ka ardhur frontale, ndaj kjo i përgjigjet drejtpërdrejt nevojës për prodhimin e municioneve në Poliçan, që nga predhat e deri tek fisheku 7 mm, 9mm dhe 12.7 mm dhe që mund t’i prodhojë sërish kombinati sepse i ka kapacitetet. Ne jemi të gatshëm ti prodhojmë që sot”- tha Zotkaj.
I pyetur se çfarë kapacitetesh ka ish-Kombinati i Poliçanit, Zotkaj tha se janë të gatshëm që të mirëpresin teknologjinë e re për prodhimin e municioneve. Për Zotkajn, vendosja në punë e Kombinatit Mekanik të Poliçanit do të sjellë të ardhura jo vetëm për Poliçanin por për të gjithë Shqipërinë.
“Poliçani ka infrastrukturën e nevojshme. Çdo ndërtesë është e fortifikuar, nëse ndodh një gabim njerëzor si në Gërdec, pasojat nuk do të jenë të mëdha, sepse do mbetet e izoluar. Kemi makineritë e vjetra, siç janë ato për fishekët 12.7 që mund të vihen sërish në punë. Ka njerëz të specializuar në Poliçan për ta bere këtë pune.
Jam dakord qe ka ndryshuar teknologjia, nuk është me ajo e viteve 70-90, sot fishekët bëhen me makineri te reja, por ne jemi të gatshëm ti mirëpresim me gjithë teknologjinë e re dhe të prodhojmë municione dhe ti përgjigjemi kërkesës së Ramës dhe Zelenskyt. Vendosja në punë e Kombinatit Mekanik të Policanit do sjelle te ardhura jo vetëm për Poliçanin por për gjithë Shqipërinë”- tha Zotkaj.
Kombinati Mekanik Poliçan është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura shqiptare për armatim.
Deri në 1985 ky kombinat ka prodhuar dhe municionin 7.62x39mm (“Kallashnikov”), municionin mortajë 82 mm, granata dore ofensive dhe difensive, si edhe mina kundër-njeri, mina kundër-tank e municione kalibër 12.7x99mm dhe 14.5x51mm si edhe municion mortaje me kalibër 60, 107 dhe 120mm.