Memo – Histori / Muzhëncka e Luftës: 16 shtëpi, 33 partizanë!…

Memo – Histori / Muzhëncka e Luftës: 16 shtëpi, 33 partizanë!…

 

 Si çdo fshat, edhe Muzhëncka ka historinë e vetë. Ajo krenohet me të kaluarën e saj, me burrat e ’20-ës si Seit Dervishi, Qerim Braçaj, Sejat e Vrenos Nonaj, Hajri, Zeqir, Xhelal e Muharrem Halilaj dhe dëshmorin e parë të saj, Refat Halilajn. Por një faqe e ndritur për këtë fshat, është historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

Që në dhjetor të vitit 1942 u zhvillua një mbledhje me banorët e këtij fshati, ku ishte i deleguar Iljaz Sevrani. Aty u ngrit edhe Këshilli Nacionalçlirimtar i fshatit, ai që do të organizonte e do të drejtonte luftën. Kryetar i këtij këshilli u zgjodh Xhaferr Halili,  nënkryetar, Zyber Nonaj dhe sekretar, Hysen Braçaj.

 

 

Të rinjtë krijuan grupin e parë edukativ, ku ishin pjestarë Myrteza, Mehmet e Zaim Braçaj, Syrja, Skënder, Nevruz, Baftjar e Sulejman Nonaj, Isa, Faik, Ilmi e Gani Halilaj, si dhe Hamit e Haki Dervishi. Thirrjes për të braktisur shërbimin nga ushtria italiane iu përgjigjën Ismail Dervishi, Niazi Braçaj, Hajdar e Hysen Nonaj, Kamber, Taip e Biliman Halilaj.

 

 

Më pas u bë edhe organizimi i gruas antifashiste, ku kryetare u zgjodh Xhite Nonaj dhe anëtare Hyrije Dervishi e Xhevrije Nonaj.

 

Vendimet e mbledhjes së dhjetorit të vitit 1942 dhe ky organizim  e shndërroi fshatin në një bazë të  fuqishme të luftës partizane. Ndër vullnetarët e parë ishin Rushit Dervishi, Niazi, Myrteza, Mehmet e Zaim Braçaj, Musa, Hajdar e Hysen Nonaj, Halil, Ilmi, Taip dhe Xhemal Halilaj.

 

 

Muzhëncka me 16 shtëpi i dha Luftës 33 luftëtarë, nga dy për derë, në çeta, batalione e brigada apo në komandën e vendit. Në fushën e nderit ranë tre djem në lulen e rinisë, Ilmi Halilaj, Hajdar Nonaj e Taip Halilaj. Ndërsa pesë të tjerë u plagosën dhe dy mbetën invalidë.

 

Veç ndihmës për Luftën e luftëtarët, fshati hapi dyert e tij. Shtëpitë e Muharrem Halilajt, Muharrem Nonajt dhe Zyber Nonajt u shndërruan në spitale për të shëruar plagët e luftëtarëve. Aty u kuruan Heroi i Popullit Zylyftar Veleshnja, Teki Kolaneci, Iljaz Sevrani etj., por edhe u stehuan shumë figura të Luftës si Mehmet Shehu, Nexhip Vinçani e shumë të tjerë.

 

 

Bashkëpunëtorët e pushtuesit bënë përpjekje për ta sabotuar këtë luftë, por muzhënckallinjtë nuk luajtën nga pozicionet e tyre.

 

Ata shënuan një faqe të ndritur të historisë së tyre, që e kujtojnë në 80- vjetorin e Çlirimit.