Lamtumirë Lirika Hysi!
Është ndarë këto ditë nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, të gjatë dhe të pakthyeshme, Lirika Hysi.
Lirika, një vajzë ushtaraku, me lëvizje të shumta, lindi në Korçë, më 25 tetor 1952. Mësimet e para i mori në Skrapar dhe rininë e bëri në Elbasan.
Rridhte nga dy familje të njohura të Zhabanit në Skrapar, Memollarët nga i ati dhe Lazet nga e ëma.
Babai i saj, Hasani ka qenë partizan i Brigadës së 7 – të Sulmuese.
Shkollën e mesme Lirika e bëri në Bujqësoren e Golemit të Kavajës dhe të lartën në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës në degën Ekonomi Agrare, ku doli me rezultare shumë të larta.
Në vitin 1976 ajo lidhi jetën bashkëshortore me Bashkim Hysin, një mjek i njohur në Skrapar, që rridhte nga një familje atdhetare dhe me emër, Hysajt e Spatharës.
Fryt i kësaj bashkëjetese të çiftit në fjalë ishin tre djemtë e tyre, Dori, Miri dhe Besi, që sot, të shkolluar në nivelet më të larta të arsimimit dhe kualifikimit shkencor, kanë krijuar karrierat e tyre të suksesshme në punë, por edhe çerdhet e tyre të lumtura familjare, të mbushura me zëra fëmijësh.
Lirika nisi punë si ekonomiste në Bankën Bujqësore në Skrapar në vitin 1976, ku punoi disa vjet.
Kur u hap për herë të parë shkolla e mesme bujqësore në Çorovodë, e cila kërkonte mësues të specializuar dhe kualifikuar, ajo u bë pjesë e personelit pedagogjik të kësaj shkolle.
Më vonë ajo emërohet drejtoreshë e Bankës së Kursimeve në Skrapar.
Në vitin 1996 transferohet familjarisht në Tiranë, ku fillon punë eksperte ekonomie në Agjencinë e Kthimit të Parave të Firmave Piramidale dhe pas disa kohësh, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Këtu merr kthesë jeta e saj. Me ligjin famkeq 24/1 të qeverisë së kohës, për shkak të prejardhjes dhe punëve që kishte kryer, lihet pa punë për 7 vjet me radhë.
Pushimin pa të drejtë nga puna ajo e përjetoi keq, duke pësuar një tronditje të madhe shpirtërore dhe psikologjike, që u bë shkak edhe për sëmundjen e saj të gjatë, të pashërueshme, që i mori jetën në mënyrë të parakohëshme.