Enrieta Sina: Qyteti i shkallëve

Enrieta Sina: Qyteti i shkallëve

Kushtuar Skraparit ku punova 15 vite si gazetare 

 

Enrieta Sina*

 

 

Qyteti i shkallëve

 

Sa herë hedh hapat nëpër kalldrëme

Kudo ku jam ndër vite radhë

Ngjitem ngadalë e prehem çastit

Për shkallë të gurta paskam mall

Kam mall për hijeshinë e pemëve

Që shkundnin krahët përmbi lumë

Për buzëqeshjen tuaj, o njerëz

Që më kini dashur dhe ju dua shumë

Në atë qytet plot mirësi

Janë shkruar vargje thurur këngë

E pena ime është ngjyer lehtë

Në atë jetë që hodhi rrënjë

Isha e re , vajzë bregdeti

Iu ngjita maleve plot dashuri

Personazhe shkrimesh luftëtarët

Stanet e shumtë dhe miq të rinj

Miqtë e mi nuk kishin moshë

Si në qytet , në fshat e këngë

Kur i kujtoj pas shumë vitesh

Në rreze dielli kanë zënë vend

Ej, ju bujarët skraparlinj

Ej, ju luftëtarët e paepur

Ju që ditët ngritët histori

Gdhendur me lirinë në shekuj

Ju them kudo ku kam qëndruar

Në Nju Jork, Paris apo në Romë

Unë këngën tuaj kam dëgjuar

E isot i kam ndjerë njësoj

Kam mall për malet mbuluar borë

Për fshatrat me banorë bujarë

Për sofrat ku ngriheshin dolli

Me dashurinë tuaj të rrallë

Kam mall për shkallët e qytetit

Për përshëndetjet e çdo agimi

Prandaj në jetën tim them

“Ai qytet është dhe i imi…

 

 

 

*) Enrieta Sina (Zykaj), lindur në Vlorë, më 30 janar 1953. Në vitet 1973-1977 kreu studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Mbasi mbaroi studimet e larta punoi për  15 vjet nga 1976 deri në 1991, kur u mbyll botimi i gazetës “Jehona e Skraparit”.

 

 

Në Skrapar ajo lidhi jetën bashkëshortore dhe krijoi familje me të ndjerin Muhamet Zyka, mësues i Edukimit Fizik dhe sportist.

 

 

Enrieta ka një prodhimtari të begatë letraro – aristike si gazetare, shkrimtare dhe poete me mbi 20 vepra të botuara në gjini të ndryshme. Ajo është gjithashtu edhe një veprimtare e shquar shoqërore shumë e njohur.

 

 

Skraparin e quan një vendlindje të dytë.