Arkeologu Luftim Ylli, i urtë, i heshtur, por që ka ”thyer heshtje” historie shekullore
Arkeologu Luftim Ylli vjen këto kohët e fundit me botimin në anglisht, “The evidence of Human Evolution”. Në këtë libër, veç të tjerash pasqyrohen zbulimet e tij arkeologjike në Skrapar, si:
Zbulimet e qëndrës prehistorike të Vlushës me kulturat parahistorike të Mezolitit dhe Neolitit,
Zbulimet dhe studimet për kalanë ilire të Prishtës,
Të një kafke ilire te gjetur në Liqedh,
Zbulimet dhe gjetjet në Selan etj.
Janë shumë gjetje të arkeologut në mjaftë kërkime të tij, të cilat janë sjellë në këtë botim dhe që e kanë futur Vlushën në hartën arkeologjike europiane.
Botimi i profesor Luftimit është pranuar nga biblioteka të universiteteve më prestigjoze europiane dhe botërore, përfshi Universitetin e Oxfordit, Cambridge etj.
Luftim Ylli me atë qetësinë e tij olimpike, por edhe jo pa humor, e pranon se nëse do ta botonte në shqip, do t’i përdornin faqet e librit për të mbështjellë byrek.
Ata që dinë ta vlerësojnë këtë punë nuk dinë shqip – thotë ai.
Mbi 50 përqind të hartës arkeologjike të Skraparit e zënë zbulimet e Luftim Yllit. Është nga më të njohurit e arkeologëve të gjeneratës së vjetër që është marrë me studimin e së shkuarës, kryesisht qytetërimit ilir.
Profesor Ylli ka nisur gërmimet në qytetin ilir të Orgesës në fshatin Prishtë nga vitet 1973-1974-1975, në Vlushë 1980-1990, Selan 1987-1988, Liqeth 1975, Kuç-Tomoricë 1989 dhe në Leshnje ku është edhe vendlindja e tij gjatë vitit 1971.
Janë me dhjetra vendzbulime të tjera të evidentuara nga Luftimi që presin studime dhe gërmime të thelluara, pasi një pjesë e tyre dergjen në mëshirë të kohës, mosinteresimit të autoriteteve përkatëse si dhe ngjarjeve tragjike të vitit 1997, ku monumentet dhe arkeologjia pati dëme mjaft të mëdha, që përbën një nga dhimbjet më të mëdha të studiuesit Ylli.
Gjithashtu peng i madh për të kanë ngelur fakti që për disa epoka historike, ku ka depërtuar përmes artefakteve dhe zbulimeve të ndryshme, ai ka teza dhe interpretime personale të kundërta me disa nga kolegë të tij.
Po kush është Luftim Ylli
Ka lindur gati 80 vjet më parë në familjen e njohur historike të Yllajve në Leshnje të Skraparit. Pas mbarimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, emërohet mësues në Skrapar, ku punoi në disa fshatra dhe në qytetin e Çorovodës.
Pasioni i tij ishte arkeologjia. Në mënyrë amatore, në ditët apo orët e pushimit, ai i kalonte me gërmime dhe studime të kësaj fushe.
I përkushtuar një jetë me vendlindjen, Skraparin, Lufti Ylli tregon se edhe sot ai është i gatshëm të rikthehet në këto vendbanime mitike për të rinisur sërish gërmimet dhe studimet, pavarësisht se është i zhgënjyer, pasi me zbulimet e tij, shumë kolegë e miq të tij morën tituj shkencorë, u bënë akademikë, doktorë shkencorë, profesorë, që edhe sot i gëzojnë këta tituj dhe grada.
Ndërsa ai mbeti atje ku ishte, i thjeshtë, i mirë, i urtë, i ndërgjegjshëm, pse jo, për fat jo të mirë, edhe me merita të mohuara dhe, në një fare mënyre, edhe i përdorur.