Shkëlqim Çela: Erdh koha për të ndenjur jashtë
Shkëlqim Çela poet dhe romancier shqiptar. Ka lindur në Tiranë në vitin 1962. Pasi kreu studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, emigroi në Austri në vitin 1991 dhe më pas në SHBA, ku kreu studime të niveleve të larta në fushën e statistikës e të mbrojtjes së mjedisit.
Më poshtë po botojmë një ndër poezitë e tij më të fundit:
Erdh koha për të ndenjur jashtë
Shkëlqim Çela
Erdh koha për të ndenjur jashtë,
Dhe më s’ke ç’e do zjarrin.
Im atë bën muhabet të lashtë
Me Noke kolonjarin.
Nokja thotë libra, mesele,
Rrëfen Godo Sabrinë
Për tyrq të vjetër, pi kafe
E mollois Haxhinë.
Im atë lëshon “nc, nc” habinë
E thotë ndonjë shpoti,
Nokja qesh sa tund shtëpinë,
E tund “Jalla, Haxhi!”
Dervish Ilas, myhib Resuli,
Kulmaku me teqe…
“Në të këputet nga gjonguli,
O Këze, një kafe.”
Ankim e tabaka në dorë,
Filxhanët të zënë ngushtë…
“Kapardisja kokënë në Vlorë,
Por këmbët në Kolonjë, Novrus!
‘Kolonjë dolli firar…”
Qesh Nokja hi, hi, hi:
“Po trupin ama në Skrapar,
Skrapar, jalla, Haxhi…”
…
Ika në vende pa Novrus,
Ku shesin komedinë,
Të qeshurat i kanë me sustë
Që ta kuptoç shpotinë.
Aty gjene e marr vesh
Se bukë e vjetër shkoi,
S’ka Noke më, s’ka shpyrt që qesh
Sa lagjja të gjëmojë.
Njeri s’ta prish privatësinë,
T’ia behi për vizita,
Ta sokëllijë që jashtë Haxhinë,
“Uuu, është Dane Korita.”
S’ka më “O grua, bëhu gati,
Zëre se erdhi miku,”
Tajar e Mane nga Berati,
I urti Taip Shtrigu.
Dhe koha prapë vjen të rriç jashtë,
Kur më s’ke ç’e do zjarrin,
Im atë s’është më të bëhen bashkë
Me Noke kolonjarin.