Homazh për dy miqtë e mi, Muhamet Basho dhe Teki Bregu

Homazh për dy miqtë e mi, Muhamet Basho dhe Teki Bregu

 

Vetëtim Bejko

 

Sa e këndshme, aq e vështirë është të bësh portretin e një njeriu të dashur për ty; për kompleksitetin që ruan karakteri dhe personaliteti i tyre.

 

 

Dua të nxjerr mallin, të shpreh ndjenjat e mia, admirimin tim për ata që s’i kemi mes nesh, por që na flasin së brendshmi; për të cilët ka aq nevojë shoqëria jonë e sotme e tronditur pas asaj kthese të madhe, por që ende s’e ka zënë vendin e saj të merituar në botën demokratike.

 

 

Ndoshta, dikush mund të mos i kuptojë qartë karakteret e tyre, por ka dhe nga ata që bëjnë sikur nuk i kuptojnë për interesat e tyre të mbrapshta.

 

 

Pse kam marrë këta tre miq midis shumë miqve të tjerë, që rrinë ngrohtë në zemrën time?

 

Së pari se këta nuk jetojnë më dhe ky shkrim le të jetë një mesazh për shpirtrat e tyre të ndritur.

 

Së dyti, se ata kanë pasur pozicione të ndryshme në fushë e arsimit dhe…

 

… së treti njohja direkte, në jetë dhe në punë e bën më të plotë karakterin e tyre.

 

 

Muhamet Basho

 

 

Dua ta nis me një kolegun tim, që jam njohur qysh në adoleshencën e hershme ; në mesin e viteve pesëdhjetë në konviktin e Përmetit. Gjithashtu kam qenë me të mësues së bashku në fshatin e tij prej një viti. Ishim atëherë të dy me arsim të mesëm.

 

 

Ai ishte me interesa të gjera, ndanim së bashku pikpamje të njejta për botën, për ardhmërinë, për rrugën tonë…dhe ky ishte Muhamet Basho nga Çepani.

 

Më kishte marrë për darkë dhe në shtëpinë e tij, ku banonte me xhaxhain e tij, Musain, se familjen nuk e kish aty. Më vonë e kam njohur si gazetar, që drejtonte një gazetë lokale. Mbaron të lartën për gjuhë ruse, nga e cila dhe ka përkthyer.

 

 

Nuk dinte të mburrej, vendin ia linte punës .Për këtë mund të flasësh shumë. Si ky mik kam pasur dhe të tjerë, por s’dua t’i pëmend, se kam frikë mos harroj dikë dhe i ngelet qejfi.

 

 

Teki Bregu

 

 

Përshtypje më ka bërë dhe miku tjetër, ish-shef i Arsimit dhe Kulturës, Teki Bregu. Fillimisht jam njohur, kur ishte inspektor dhe zëvendësonte orët e mia, se isha ngarkuar në një punë tjetër për pak kohë.

 

 

Më vonë, kur u bë shef i Arsimit në rreth, vjen së bashku me zëvendës drejtorin e gjimnazit të qytetit, Gani Zyko, për punë në krahinë dhe një darkë të dy bujtën në shtëpinë time, në Bejkollarë. Kjo sa më gëzoi, por dhe më çuditi.

 

 

Ishte koha e vështirë për mua; po merrja goditje partiake nga të gjitha drejtimet; bën propagandë kundër Partisë dhe Enver Hoxhës në nxënës dhe popull, paroditë e mia qarkullonin tek partiakët kryesorë, që thoshin se ato diskreditojnë sistemin kooperativist etj. etj. Për këto më dënoi gjykata me dëshmitarë të porositur.

 

Pra, si mund të vinin tek ky njeri, që ish venë në rreth të kuq, kuadro me peshë në rreth ?…

 

 

Këtë Tekiu e bëri për të amortizuar sado pak goditjet ndaj meje.

 

Më vonë Tekiu më dërgon një letër miqësore, shkruar me dorë, ku më thosh të pranoja detyrën e drejtorit të 8-vjeçares, të cilën e kisha kundërshtuar për arsyet e mia para sekretarit M.Kotobelli, njeri i mrekullueshëm.

 

 

Tekiu ishte nga ata kuadro, që i duhen shoqërisë së sotme.

 

***

 

Duke u njohur direkt me njerëzit, njeh marrëdhëniet e tyre me shoqërinë, marrëdhëniet e tyre me punën dhe botëkuptimin e tyre, që përbën tri shtyllat bazë të personalitetit të tyre.

 

Me këtë rast shpreh nderimin tim më të madh për ta dhe qofshin të paharruar përjetësisht !