Viktor Bakillari: Një telefonatë me një andej nga anët e mia
Unë, që thoni ju miq, nuk i kam shkëputur asnjëherë lidhjet me Skraparin tim…
(Në fakt, jam unë i tij, jo ai imi, po hajde, mo, le të vazhdojmë se largohemi nga tema…)
Edhe, që thoni ju, ur ju ngjattë jeta, i këpus një telefonatë njërit andej nga ato anë. (Nuk e kam të afërm, thjesht patriot…):
Dhe këmbej këto fjalë:
Unë (si me zë si të dilte nga fundi i dheut e ngjitej përpjetë): – E xhë bën, o? A je mirë, o?
Ai (me zë ortek që lëshohet tatëpjetë nga maja e malit):
– Mirë, o mirë, a je mirë, o? Si dukesh, o? A i ke mirë nga shtëpija, o?
Unë:
– Po hë, xh’bënet andje la, o?
Ai:
– Hiç o hiç, vetëm kënga e gjinkallave dëgjohet… Po andejza nga ju, o, xh’bënet asaj kasabaje?
Unë:
Edhe këtejza ia vuri saçnë… Po çar po bën, o?
Ai:
– Ja, sapo u ktheva, se u ngrita që me kaposhnë e parë dhe shkova korra atë jonxhen rëposh, se kupton ti, shtrëngon vapa si të ndejë brekët shejtani për t’i tharë pastaj; nashti, po ha pak mëngjesnë…
Unë:
– Mirë, o mirë, të lumçin krahët e të bëftë mirë. Ore, … a s’më thuaj, çar po ha, o?
Ai:
– Po ja, o, skuqa një top të madh gjalpë dhe e kam bërë pëshesh, i kam hedhur edhe nja 10 koqe ve përsipër; kam vënë para edhe një bidon koka-kole me dhallë të tërbuar…
…
Po na dil, o na dil nganjë copë herë, kur të marrç lejen, e kur të vinç këtej la…
Viktor Bakillari