“Nuk më mbani ju në këmbë, o këmbë, më mban kurajoja, nderi, dinjiteti, forca morale e një jetë të tërë në përpjekje për t’ia dale”!…

“Nuk më mbani ju në këmbë, o këmbë, më mban kurajoja, nderi, dinjiteti, forca morale e një jetë të tërë në përpjekje për t’ia dale”!…

 

 Sefedin Çela

 

Ajo puna e rezonancës për këmbët e mia mori dhenë: mesazhet e telefonatat pa fund hall më vete. Madje një e përditëshme, pa si e qysh, më bën “nder” dhe e boton! Rrumpallë hesapi. Në postimin në fb kisha zgjedhur opsionin vetëm për miqtë, jo për të gjithë. Etika e botimit për raste të tilla kërkon të merret lejë!

 

Nuk vë tellallin njeriu faqe botës si kërcen pupthi në vend që të ecë.

 

Kështu mund të shprehesh në një rreth miqsh, qoftë dhe virtualë, askush tjetër nuk mund të të prekë privatësinë. Njerëzia mund të thonë : paska një hall më të madh se me këmbët ky i ziu, paska shkarje ledhi, si thotë vlonjatçe miku im, Berti! Nxjerr zorrët e barkut e qahet sikur plasi mileti për dhëmbët e këmbët e tij!

 

 

Një nga miqtë me të cilin piva sot kafen e mëngjesit e tha copë: vrahun në lëmë e shin kali, por kalin e nget i zoti. Shkurt, desh të thoshte dili zot vetes.

 

 

Nuk e kisha menduar gjatë atë që ndodhi. Bie fjala, shkova te mjekja levendshe, me xhinse e me atlete, si garip plak, sepse kam hequr dorë nga veshjet formale zyrtare e më the të thashë, pra, shkova pa status!

 

 

Harrova thënien e hershme të Nastradin efendiut “ha binish mish”, shkova në dasëm pa sahat me qostek e pa darova, kështu që mbeta jashtë sofre!

 

– Po një shok a mik nuk pate, të të jepte një dorë? – më thanë të tjerë.

 

 

Bëhet fjalë për ndonjë deputet a më shumë, nuk ka rëndësi nga cili krah, mjafton të ketë status e hije të rëndë, mjafton të duken me ty e hapin çdo derë, sipas definicionit njëra dorë lan tjetrën e të dyja lajnë fytyrën…

 

 

Kam shumë miq të mirë, edhe nga ata me status, po kurrë nuk kam dashur miq për fiq. Po të kisha bërë pazare të tilla, do të kisha ndërruar katin e gjashtë nën tarracë në pallatin ndërtuar që në vitin 1987 me kontribut vullnetar me një apartament me ashensor në qendrat rezidenciale, me kohë, kur kisha të tillë “status”.

 

 

Pse duhet të vihet qytetari para një alternative të tillë, të japësh nën dorë e të marrësh nën dorë, të bësh trafik me integritetin e dinjitetin, a nuk mjafton statusi i pensionistit, kur ke punuar ndershmërisht një jetë të tërë, kur ke derdhur kontribute për një ditë si kjo?

 

 

Në momentin më dëshpërues të jetës Esenini , poeti që kam dashur më shumë nga rinia e hershme, shkroi me gjakun e venave të veta:

 

 “ Lamtumirë mik, pa fjalë e lotë!/  Vetullat t’i ngrysësh s’ka përse/ Vdekja s’është gjë e re në botë/ As të rrosh nuk është gjë e re!”

 

 

Nuk më ka shkuar kurrë në mend të them e të bëj të njëjtën gjë.

 

Nuk do të bëj as luftë, as paqe. Se as nuk dua e as nuk i bëj dot. Kërkoj një shërbim që më takon, jo si nder e si qokë, e kërkoj si detyrim ligjor, as thjesht për vete, – për disa qindra mijëra si unë, që kanë derdhur djersë e nuk kanë dredhur zinxhirin.

 

 

U them këmbëve të mia : “nuk më mbani ju në këmbë, o këmbë, më mban kurajoja, dinjiteti, forca morale, një jetë e tërë e fituar ditë pas dite në përpjekje për t’ia dalë.

 

Jam mësuar me humbje e me dhimbje të vogla e të mëdha e nuk jam dorëzuar. U jam gëzuar atyre pak betejave që kam fituar. Jam rritur me devizën : jeta është e mrekullueshme, ia vlen të jetohet edhe kur bëhet e padurueshme.

Nuk kam bërë jetën e tjetrit, as të personazheve të librave, kam bërë jetën time, e cila për asnjë çast nuk ka qenë e padurueshme, kam jetuar mrekullinë me pika të saj.

 

 

Të martën, datë 5 dhjetor, do të marr taksinë e në 9.30 do t’a bëj atë rezonancën e famshme te spitali Salus, në Kashar. Me çmim konkurues, diku te 100 euro, me gjithë shpenzimet e transportit, besoj. Ma mban xhepi këtë, se fati shumë herë të godet nga oxhaku e befas të futet për mirë nga penxherja : ato përgjegjësitë që kam patur më kanë siguruar pension suplementar të mirë.

 

 

Nuk është pak ky fat, ai pension më gjendet në një hall si ky e them se pa të nuk di a do t’a ruaja dot dinjitetin që kam , apo të thosha nuk më mbani ju në këmbë, o këmbë!

 

 

Për mua nuk ka rreth katror, rrethi është e mbetet i rrumbullakët , që nga koha e Euklidit të lashtë, ashtu si toka nuk është e sheshtë po e rrumbullakët e vazhdon njësoj të vërtitet e të ndrrojë mëngjeset ditë pas dite.

 

 

Të vërtetat e provuara, shpesh edhe duke u paguar me jetën në turrën e druve, nuk i vë kurrë në dyshim, për hir të “lirisë “ së gojëve të shqyera. Liria e çon shoqërinë drejt përgjegjësive, jo drejt shthurjes. Liria nuk përmbys vlerat morale.

 

 

Deri në fund të këtij muaji, o viva o reshta, si thoshte P.Gj. do t’i kem zgjidhur mosmarrëveshjet me këmbët. Nuk besoj se do të vrapoj, jo se nuk dua e është kot të vraposh, por se as nuk ia arrij dot, as kam pse.

 

Iku ajo kohë kur ndiqja erën.

 

Por dhe të ulem e të rri top në vend nuk do t’a bëj. Do të shkoj te djali e vajza, te nipi e mbesa, te të gjithë ata që dua e më duan.

 

I them vetes duro, kij besim, shpreso!

 

Të shpresosh do të thotë të presësh që nesër dikush tjetër të bëjë atë që nuk munde të bëje ti sot. Të të ndodhet në krah për atë që je.

 

 

Ia vlen.

 

2 dhjetor 2023