Lamtumirë Mehmet Dume!
Është ndarë këto ditë nga jeta kolonel Mehmet Abdurrahman Dume, aktivist e veprimtar shoqëror, publicist dhe shkrimtar, njeri i përkushtuar si rrallëkush për detyrën, atdheun, familjen, shoqërinë.
Mehmeti lindi më 27 mars 1942 në Çepan, Skrapar. Babai i tij Abdurrahmani ishte në radhën e patriotëve më të njohur në krahinë për atdhetari, mençuri dhe fisnikëri.
E ëma e tij, Betulla, ishte aktiviste e shquar e rinisë antifashiste në fshat dhe më pas luftëtare e denjë për emacipimin e gruas dhe punëtore e dalluar.
Mehmeti përfundoi shkollën shtatëvjeçare në fshatin e lindjes, më pas kreu me sukses e rezulatate të larta Shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”; shkollën e lartë të bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha”; akademinë ushtarake “Mehmet Shehu” dhe Shkollën e lartë të partisë “V. I. Lenin” Tiranë.
Shërbeu si oficer i specialitetit këmbsori në rrethet Lushnjë, Gramsh, Elbasan, në detyrat nga komandant kompanie deri komisar brigade këmbsorie. Në detyrën e fundit punoi me përkushtim në njësi të ndryshme të Elbasanit për 19 vjet.
Pas vitit 2001ai erdhi familjarisht në Tiranë ku ndërtoi një shtëpi në lagjen Laprakë dhe vijoi të aktivizohej në detyra të ndryshme shoqërore.
Ishte i martuar me Beharen nga një familje atdhetare gramshiote dhe lindën dy fëmijë Arbani dhe Eltoni të cilët kanë krijuar familjet e tyre. Mehmeti tërë kohën tregoi kujdes e respekt për prindërit, vëllain dhe motrat.
Pasioni i tij ka qënë kënga popullore, zotëronte gjuhën italiane, shkroi dhe botoi 26 libra historikë, publicistikë, monografi, etj., ku i këndon atdheut, dëshmorëve, veteranëve, arritjeve shqiptare në vitet 1945-1990 dhe forcimit të dashurisë për Shqipërinë tek brezi i ri.
Mehmet Dume ishte dekoruar disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe me shumë stimuj vlerësues mirënjohjeje nga organizata e shoqata atdhetare historike e kulturore të zonave të ndryshme të Shqipërisë, ku ai ka dhënë kontributin e tij të veçantë.
Ilmi Qazimi