Zenel Mehmet Hysi, ushtaraku që la pas, si një kujtim të pashlyer, emrin e tij të mirë

Zenel Mehmet Hysi, ushtaraku që la pas, si një kujtim të pashlyer, emrin e tij të mirë

 

 Rushan Dosti

 

Më ka ndodhur shpesh në jetë, veçanërisht gjatë viteve të jetës sime si ushtarak, që të njoh shumë njerëz me uniformë. Ka pasur nga ata që kanë jetuar gjatë, e janë mbajtur mend pak apo janë harruar fare, siç ka pasur edhe ushtarakë me karrierë e jetë të shkurtër, por që vijojnë të mbahen mend gjatë.

 

 

Në rastin e ushtarakut dhe atdhetarit Zenel Hysi, ka ndodhur ndryshe nga dy rastet e para. Ai punoi gjatë, jetoi gjatë dhe do të mbahet mend gjat, sepse  bën pjesë në plejadën e njerëzve me zemër, shpirt dhe mendje atdhetare dhe rreshtohet në rreshtin e parë të korpusit të ushtarakëve shqiptarë të pas viteve të luftës.

 

 

Përsa kohë jam njohur me njeriun gojëmjaltë e mendjendritur, komisarin e urtë, siç e quanin në repartin ku ai shërbeu për vite me radhë, kam detyrimin të përcjell këtë homazh mirësie për njeriun që meriton gradën madhore: Njeriu i mirë!

 

 

Ndoshta jam i vonuar për këtë shkrim – homazh, mund ta kisha shkruar në gjallje të tij, por gjithsesi asnjëherë nuk është vonë të shkruhet për njerëz që largohen fizikisht, por lënë pas veprën dhe emrin e mirë. Ai u largua nga jeta si bir i shquar i Spatharës dhe Skraparit më 20 korrik të këtij viti.

 

 

Zeneli lindi në Spatharë të Skraparit në 7 maj të vitit 1932, në një familje me tradita të forta patriotike dhe liridashëse. I ati i tij Mehmeti ishte një burrë i zgjuar, autoritar dhe që i dëgjohej fjala në fshat.

 

 

Duke qënë se ishte rritur në një ambjent patriotik, ai mori pjesë në çetën e Sulejman Spatharës,e cila veproi në Spatharë dhe Mallakaster në vitin 1911, në luftimet që u zhvilluan në mbështetje të qeverisë së Ismail Qemalit, në luftimet  kundër andartëve  grekë në Tëndën e Qypit, si dhe në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes.

 

 

E ëma Fatimeja, e cila ishte bijë nga fashati Muzhak i Skraparit, ishte një grua fisnike, e urtë, e sjellshme dhe një nënë shëmbullore. Zeneli u rrit me dashuri dhe u edukua me vlerat më të mira shoqërore dhe familjare nga prindërit e tij, dhe një ndër ta, që ka lënë gjurmë në formimin e Zenelit si ushtarak dhe kuadër i devotshëm, pa dyshim ka qënë xhaxhai i tij Ramiz Bektash Spathara.

 

 

I frymëzuar nga veprimtaria e xhaxhait të tij, Ramiz Bektash Spatharës (Dëshmor i Atdheut dhe një figurë historike kombëtare, bashkëluftëtar i Riza Cerovës), si dhe nga pjesëmarrja me armë në dorë në formacionet partizane e dy vëllezërve të tij, Nekiut dhe Ethemit, Zeneli edhe pse në moshë minore, mori pjesë aktive në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke dhënë kontributin e tij në radhët e Rinisë Antifashiste si korier dhe furnitor i vijës së parë të frontit.

 

 

Pas çlirimit të vendit, në shtator të vitit 1946, Zeneli iu përgjigj thirrjes së kohës për rindërtimin e vendit dhe mori pjesë vullnetarisht në ndërtimin e Hekurudhës Durrës–Rrogozhinë dhe Peqin – Elbasan.

 

 

Pas shkollës se mesme, Zeneli ndoqi studimet ushtarake në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe u titullua oficer ne vitin 1953. Të gjithë karrierën ushtarake Zeneli e kreu në strukturat ushtarake të Rrethit të Beratit, duke kryer detyra të ndryshme në sektorin politik deri në nivelin e Brigadës.

 

 

Në shtator të vitit 1956 Zeneli lidhi jetën bashkëshortore me Vajde Prodanin nga Kolonja, e cila rridhte nga nje familje patriotike dhe e lidhur ngushtë me Luften Nacional-Çlirimtare. Nga krijimi i kësaj familje erdhën në jëtë tre fëmijë, të cilët u rritën dhe edukuan me vlerat më të mira shoqërore, patriotike dhe njerëzore të prindërve të tyre.

 

 

Mbas daljes në pension Zeneli mori pjesë aktive në veprimtaritë publike dhe shoqërore, duke u angazhuar me të gjitha forcat e tij në gjallërimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës. Ai u zgjodh si Drejtues i Këshillit të lagjes “Jani Vruho” për disa vite, ku pati një kontribut të rëndësishëm dhe të njohur në zgjidhjen e halleve të komunitetit për punësim, strehim dhe zgjidhjen e problemeve të tjera shoqërore.

 

 

Përpos detyrave shoqërore, Zeneli ishte shumë aktiv në shtypin lokal me shkrime të ndryshme, sidomos me karakter historik. Ai ka shkruarj disa libra të cilat janë të depozituara edhe në Biblotekën Kombëtare si “Gjaku yne”, në 2013; “Bido Buzuqi me shokë” në 2016, etj.