Dear, doktor Luan Nikollari!

Dear, doktor Luan Nikollari!

 

Gramos Hodaj

 

 

Çdo ditë është një mundësi, për të shëtitur nëpër rrugët e kujtesës, të historisë tonë.

 

Ndaj e fillova ditën sot duke e pirë kafen me kujtimet tona.

 

Sapo hyra në lokal, porosita dy kafe dhe vetminë.

 

 

Përballë meje si zakonisht qëndroje ti, dhe filxhani i kafesë, që u ftoh duke të pritur.

 

Si sot më 6 Gusht 2022, ti zgjodhe të ikësh larg, shumë larg meje.

 

Qysh nga ajo ditë unë nuk të kam takuar më fizikisht, megjithse kam qënë me ty në çdo çast, dhe në çdo ëndërr timen.

 

Sa herë që kujtoj fjalët e fundit që shkëmbyem bashkë në cel, atë ditë të nxehtë Gushti, më vijnë në mend fjalët e J. Morrisonit.

 

Mos jeto me frikën e vdekjes, por vdis me gëzimin që ke jetuar.

 

Ti nuk e kishe frikë vdekjen, megjithse e doje kaq shumë jetën.

 

Shpesh më thoshe Doktor, njeriu nuk vdes kur duhet, por kur mund.

 

Thonë se vetëm kur ëndërrat të treten si lot në shi, ka ardhur çasti për të vdekur.

 

Ti zgjodhe çastin, ditën, kohën dhe vitin e gabuar.

 

Ishte mjaft herët për ty. Ti kishe pafund ëndërra, megjithse errësira dhe padrejtësia e këtij realiteti ti vrau ato.

 

Ti zgjodhe ëndrrën tënde dhe ike kaq larg këtij realiteti, që po të mbyste me mugëtirën e tij.

 

Ndoshta zgjodhe të shkosh në parajsë, nga që ferrin po e jetoje këtu.

 

Edhe Sot unë provova se gjurmët e skalitura në kujtesë, nuk zveniten kurrë, as nga koha, as nga mungesa, as nga vitet, dhe as nga pluhëri i harresës që prodhojnë vitet.

 

Ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…

 

Besoj se edhe sikur të jetoj një tjetër jetë, unë nuk do mundem kurrë të harroj atë çast.

 

Çastin kur u ndamë bashkë përgjithmonë…