G r a t ë
Sefedin Çela
– Me gratë gjen belanë tërë jetën, fle një herë me të bijën e botës e pastaj fillon ta duash! Tani më është bërë Vefi si pizhamet, i kam veshur e nuk kuptoj se i kam! Po pa to ngrij, nuk më zë gjumi!
Unë hapa sytë. Çfarë po më thoshte ky kështu e pse mua?
A . Aleksi, kryeredaktor i gazetës, m’i pëlqente shkrimet, asnjëherë nuk e kam marrë vesh pse e më është dukur pa vend të pyes. Për to nuk më thërriste në zyrën e vet, zakonisht më ftonte për kafe, te Arbëria, ngjitur me godinën e redaksisë, sot Ministria e Drejtësisë. Merrja kafe dhe unë, thjesht se kështu bënin të gjithë, edhe pse nuk më shijonte fare e nuk e kuptoja pse njerëzia pinin këtë farë lëngu kot së koti që në pikë të mëngjesit. Nuk mund të porositje ujë, se e kishe gratis në tavolinë, një kanë të tërë!
Vefi ishte e shoqja, e njihja që herët, më kishte dhënë seminaret e gjuhës së huaj në fakultet. Madje një herë më pa me Vasilikën në koridor, na përshëndeti përzemërsisht të dyve e ne u ndjemë si shkollarë. Ishte nga ato pedagoge e gra që nuk i harron kurrë, edhe sikur të të lënë në klasë.
Ai e vuri re që u hutova.
-Të kam parë që vjen këtu me shoqen tënde e dëndeni me torta. Edhe unë jo shumë vite më parë vija me Vefin e haja ëmbëlsira pak më tej se këtu, te Donika. Po ja, një ditë i vjen radha kafes, ke për të parë! Mësohesh pak nga pak, jeta të argas lëkurën. Mësohesh me gruan e ajo mësohet me ty, si t’u marrësh dorën gjërave.
Nuk janë të tëra gjërat të bukura, disa të lënë pa gjumë, po duhet të mësosh të durosh! Dashuria nuk shuhet, mos ki frikë, është nën hi, si nën çarçafë, aty e ke! Atë shkrimin për t’i bërë gjërat mirë e në kohën e duhur ia kam dhënë dorëshkrim edhe asaj. Dukesh je djalë duar argasur!
Isha i sapomartuar, i ritransferuar, pa shtëpi, flinim në hotel pension Peza, mbushur me çifte të reja e beqarë pa strehë, kryesisht gazetarë. Kohën pas pune dilnim shëtitje, të kapur për dore, si dikur studentë, jo për krahu, si rëndom sheh të martuarit!
Rastësia ndonjëherë mund të të ndryshojë jetën.
Gjatë punës fizike në fermën e vetme me drufrutorë në Skrapar më ishin bërë duart gjak e kallo duke mbathur me dhè rrënjët e qershive. Bishti i belit ishte si një hu gardhi gabimisht i futur në bel! Një palo vegël pune që të mërziste punën.
Kisha vënë re se veglat e punës, të “fabrikuara” dukej që ishin bërë nga njerëz që nuk i kishin zënë kurrë me dorë dhe as që dinin mirë përse hynin në punë ato.
Bëra një shkrim me titull “Kultura e punës”. Citoja në fillim E. Zola: “Koha humbet në katër mënyra: duke mos bërë asgjë, duke mos bërë atë që duhet, duke mos e bërë ashtu si duhet, duke mos e bërë në kohën e duhur”. Shëmbujt se si mund të humbisje kohën në të katër mënyrat ishin bishtat e “fabrikuara” të kazmave e lopatave. Bujku e porosiste belin te kovaçi, bishtin e qëndiste me duart e veta, të lakuar, të latuar, të të gëzonte duart e syrin, të të ftonte jo të të shtynte…
E nisa me postë në gazetën Bashkimi. A. Aleksit i kishte pëlqyer, e kishte marrë shkrimin në xhep e ia kishte treguar Xh. Gjonit, kolegut homolog të Zp. Ky i kishte thënë “Këtë po e mbaj unë”.
Pas dy ditësh shkrimin e shoh të botuar te Zëri. Po atë javë A. Aleksi vjen në Çorovodë, ulemi te Sorkadhja e më thotë: “Do të punosh në gazetën Bashkimi?”. Ngrita supet. Nuk varej nga unë, unë isha urdhëro,- si urdhëron! I tregova shkurt si pas tre muaj te Zëri i Rinisë u gjenda te Jehona .
Ai i mbushi mendjen të parit të rrethit, “mirë është edhe për ju të kini një djalë tuajin në të përditëshmet e Tiranës”, dhe në korrik unë sërish fiu, në Tiranë.
Ky ishte rasti një në një milionë, njëfarë bingoje, që mua më ka rënë jo vetëm një herë.
Nuk është kjo arsyeja që më shtyu ta kujtoj këtë episod. Është ai “bishti i lopatës”, i bërë me dashuri, pa të cilin lopata do të ishte thjesht një copë hekuri, për asgjë, që humbet “si lopata pa bisht”. Duhet ta duash atë që bën. Në jetë ka shumë gjëra për të bërë. Duhet t’ia dalësh të gjithave duke i dashur, jo sa për të kaluar lumin. Koha e mundi i përditshëm i ftoh e largon shumë syresh, si t’i mbulojë hiri, po jo, janë aty, nën hi, prush i gjallë.
Në jetën time kam patur e kam shumë miq e të afërm, veç prania e ndikimi i grave ka qënë determinues. Tre prej tyre më kanë bërë gjithçka jam : gjyshja, nëna e nëna e fëmijëve të mij, Vasilika. Të treja më mësuan dashurinë, drojën e durimin. Gjyshi kishte ikur nga kjo botë 35 vjeç, im atë 33 vjeç, vjehrrë e nuse, pra gjyshja e nëna ime u mbështetën te njëra tjetra, u përkujdesën për ne fëmijët , u robtuan, aq sa nuk e tregon dot.
Gjithë jetën e kam ndjerë këtë, frikën e tyre nga humbja tjetër e radhës. Fati i kishte goditur e ato druheshin mos më humbisnin edhe mua, që kisha emrin e tim eti. Mund të mos ishte kështu, po kështu ndihesha unë.
Ky lloj meraku , gati si frikë, kaloi herët nga gjyshja e nëna te ime shoqe. Ishte e zonja, u vinte rrotull gjërave, po me njëfarë pasigurie te vetja, sikur nuk do t’ia dilte dot pa mua.
Kjo dashuri e drojë për këto tre gra, për dy motrat, kushërirat e mbesat e mia përgjithësisht për gratë me të cilat kam punuar, nuk më është ndarë kurrë. Më duket se nuk ua kam kthyer sa e si duhet atë që më kanë dhënë, se nuk kam ditur t’i dua sa më kanë dashur e sa kam dashur., Në punë, gati i kompleksuar, kam ndihmuar më shumë burrat se gratë.
Në këtë moshë, kur po ikin radhë, më kujtohen një nga një. Kam humbur katër radhë: gjyshen , nënën, motrën e madhe, gruan. Vetmia të bën nostalgjik . Kam mbajtur me hatër miqtë. U jam borxhli grave, pika ime e dobët e pa treguar. Kam qënë ngurrues, dyshues, i kam paragjykuar, gati i frikësuar mos gjeja belanë.
Gratë nuk janë për t’u trëmbur, janë për t’u dashur.
Një gjeneral i madh si Napoleoni ka thënë se e vetmja fitore kundër grave është t’ia mbathësh! . Ndoshta e ka patur fjalën për fitore me mjetet e luftës, me zjarr e shpatë gratë nuk mund t’i pushtosh! Para grave, para Zhozefinës, ky kalorës ishte thjesht një këmbësor i armatosur me dashuri.
Do të lehtësoj veten e shpirtin nga kjo barrë. Do të tregoj histori të tyre, me emër e mbiemër, mirënjohës që i kam patur krah. Ndjesë për pasiguritë e mia!
Për sot, po e mbyll me një rrëfenjë anonime:
Një bari dhish u vu në betim për kecin e humbur të tufës që ruante. Më i urti i pleqve të fshatit i kërkoi të betohej se nuk e kishte vjedhur vetë.
– Për këtë diell që lind e perëndon nuk e kam marrë unë!- tha bariu
-Tjetër, – tha plaku i urtë. – Nuk të besoj!
-Më lëntë behari pa dhallë e dimri pa gunë!- tha bariu.
– Tjetër!
– Më vraftë Zoti në e kam marrë unë!,- tha bariu
– Nuk të besoj!, – tha plaku i urtë, – ai që vjedh ka vënë dorë dhe mbi Zotin. Thuaj “Mbetsha pa grua në pleqëri!”
– Po më kërkon shumë , – tha bariu, – po më kërkon të vdes!
Unë e vodha kecin, e poqa në kusinë e qumështit!