Nderoni dhe respektoni Abas Aliun, por mos harroni Dervish Iljazin!…

Nderoni dhe respektoni Abas Aliun, por mos harroni Dervish Iljazin!…

 

Mos harroni atë që e “institucionalizoi” Tomorrin, bamirësin e rrallë dhe të papërsëritshëm, i cili ndjeu thellë në shpirt se ai mal, që mban mbi supe varrin-legjendë të Abaz Aliut, duhej të kishte edhe një teqe, një prehtore të përjetshme për shpirtrat e pastër bektashianë

 

 

Dervish Iljaz Qafoku është një nga klerikët më në zë dhe më me emër në Skrapar, që, veç ngritjes së objekteve të kultit ka ndërtuar vepra publike, rrugë, ura, çezma, puse etj. në disa rrethe të vendit. Si një njeri me vizione të qarta dhe largpamëse, ai e ka parë dhe vlerësuar malin e shenjtë të Tomorrit ndryshe nga të tjerët.

 

 

Pelegrinazhet dhe kremtimet që zhvillohen sot me aq madhështi e famë aty, nuk do të ishin të tilla, pa projektet konkrete dhe idetë e Dervish Iljazit. Ishte i vetmi klerik që ndjeu dhe kuptoi se mali i Tomorrit, ai që mban mbi supe të tij varrin-legjendë të Abaz Aliut, duhej të mbante në gjoks të vet edhe një teqe, një prehtore të përjetshme për shpirtrat e pastër bektashianë

 

 

Me nxitjen dhe të personaliteteve bektashiane të kohës dhe idenë e tij të hershme, shkoi në Haxhi Bektash, mori lejë për ngritjen e Teqesë në atë vend, ku veç muranës, kenotafit të Abas Aliut sipër në çukë, s’kishte asgjë tjetër, ndërtoi teqenë, që është edhe sot.

 

 

Në vitin 1916, 28 korrik, ngriti  Teqenë e famshme, duke i dhënë Tomorrit një dimesion të ri religjioz, duke mos e lënë atë në natyrë, siç kishtre qenë prej shekujsh.

 

 

Nën drejtimin e tij filloi pelegrinazhi më 20 gusht të çdo viti, populli (çdo besimtar) vizitonte këtë faltore  dhe tyrbe në Çukën e Tomorrit. Teqenë Dervish Iljazi e ktheu në një shenjëtore mikpritëse për të gjithë njerëzit pa dallim feje. Të gjithë vizitorët aty gjenin mikpritje, përkujdesje, qetësi e shërim shpirtëror.

 

 

 

Sot Tomorri vizitohet nga  gjithë Shqipëria dhe vendet e tjera të botës, është kthyer në një tempull të vërtet kombëtar e më gjerë, monument shpirtëror i përjetshëm.

 

 

Shtypi i kohës, krahas të tjerash, shkruan për Dervish Iliazin se është një nga nacionalistët e rrethit të Skraparit, i pajisur me vyrtyte të larta njerëzore dhe atdhetare; përkrahës i nxehtë i arsimit kombëtar dhe në çdo rasët dha kontributin e tij patriotik për Rilindjen Kombëtare.

 

 

Dervis Iliazi kishte ide të tjera për Tomorrin. Në një leter që i ka dërguar Sali Butkës më 6 mars 1921, ai zbulon këto ide. Ja si i shkruan ai mikut të tij:

 

 

…E kam gjetur me mynasip që në Tomor të bëhet një shkollë e një spital. Shkolla të bëhet në shesh të Shtyllës dhe Spitali në ujët e ftohtë sinor me Ujaniknë me që era e atjeshme është e paqtë dhe e shëndetshme.

 

Po me gjithë atë vendi ku të bëhen le të mbetet si të gjendet me mynasip prej doktorevet dhe inxhinierëve.

 

Këto instituta të bëhen me ndihmën e qeverisë dhe të popullit. Dhe meqë unë asikohe do të ndërroj jetën, u lutem që njerëzit që dotë dalin të mbledhin ndihma nëpër qytetet e nëpër fshatrat të jenë njëri muhamedan dhe njëri kristian, dhe njerës të nderit e të mirë.

 

 

Sa për ndihmat nga Shqipëtarët e jashtme, këto i lë në dorë të qeverisë…

 

                                                            (Shënuar) Në Tomor, Dylbetari i Abas-Aliut

                                                                                    Varfa Iljas

 

 

Megjithëse populli e quan themelonjësin shpirtmirë për teqenë që ngriti, sepse krijoi një institucion kulti të vërtetë, siç ishte pelegrinazhi në Tomorr dhe u dha mundësi besimtarëve të “çliroheshin” e të gjenin aty qetësi shpirtërore me lutje e falje, fatkeqësisht, atributet nuk shkojnë për të, por për disa njerëz, madje edhe institucione të fuqishme fetare, që mendojnë se “Tomorri ka lindur me ta” dhe është për ta, jo vetëm si pronë shpirtërore, por edhe si pronë materiale personale!…

 

Nga ata që shërbejnë atje, ka spekulantë që, për interesat e tyre, zbehin dhe mohojnë  kontributin e e veçantë që ka dhënë Dervish Iljazi.

 

Mbi të gjitha, që ai iu krijoi njerëzve mundësinë të falen në një vend të shënjtë. (Orakujt e Tomorrit)