Melonashi

Melonashi

 

Sefedin Çela

 

Arian Melonashi ka qenë një djalosh i hollë e i gjatë kur kemi bashkëbiseduar për herë të parë, por një burrë i fuqishëm, trupmadh, kur u ripamë, pas 20 vjetësh, nga fundi i janarit të këtij viti.

 

 

Më vjen të qesh, po m’u duk me vend që në vend të emrit dyrrokësh, Arjan, si titull të përdor mbiemrin; pak më “simetrik” me trupin e tij si me kate. Arjani kishte mbetur po ai djali entuziast; i dashur, i mendje-hapur e i sinqerte, sa të dukej se, ndërsa flisje, zemrën ta kish dhënë t’ia mbaje ti në dorë.

 

 

Vite e vite të shkuar, më 1973, poshtë xhamit të tavolinës së punës në gazetë mbaja dy citime. Një fjalë e urtë: “Koha humbet në katër mënyra; duke mos bërë asgjë; duke mos bërë atë që duhet; duke mos e bërë ashtu si duhet, duke mos e bërë në kohën e duhur”. Citati tjetër ishte nga Emil Zola: “Gazetari është si një kaminë që djeg gjithçka: rini, talent, shëndet; mbetet vetëm zemra!”.

 

 

Këto definicione nuk më kanë dalë kurrë nga mendja, edhe pse nuk mund të them se edhe unë nuk e kam humbur kohën, madje në të katër mënyrat. Po edhe sot vras mendjen pse Zola, i njohur sidomos për pamfletin “Unë akuzoj”, thotë se gazetaria qenka kamina që djeg rini, talent e shëndet, kur ai njihet si shkrimtar me prodhimtari të madhe; vetëm cikli i Rugon Makaret numëron mbi njëzet romane! Gazetaria është një kaminë e përsëri mbetet diçka e jo pak; zemra!

 

 

Në janar të vitit 1991 për Arjan Melonashin kamina nuk qe ndezur akoma; ishte i ri, me talent, me shëndet e kishte një zemër, një zemër që do t’i hapte punë e që do t’i bënte punë!

 

 

Prej muajit dhjetor, pas ligjërimit të pluralizmit politik, me një vendim të posaçëm, RTSH shkëputej nga vartësia partiake e lidhjet vertikale do t’i kishte me Këshillin e Ministrave; informacioni do të ishte i hapur e në interes të publikut. Një fjalë goje!

 

 

Në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, si rregull, unë nuk i shihja paraprakisht kronikat e edicioneve informative; vetëm për ndonjë ngjarje të veçantë e sidomos për të verifikuar standardet profesionale që, me proceset e vrullshme të asaj kohe për gazetarët ishte e reja më e rëndësishme.

 

 

Arjani ishte nga gazetarët e rinj interesantë; edhe një kronikë nga ekonomia ai e sillte ndryshe, befasuese. Mund ta fillonte lajmin nga fundi, nga pse-ja, kur formula klasike e lajmit është përgjigje për pyetjet ku, kur, si, pse, duke zgjedhur fjalët për ta dhënë ngjarjen të gjallë, me pak “zemër”. Por në lajmet për zhvillimet politike të punosh duke dëgjuar zemrën edhe mund të gabosh. Këtu fillon historia e miqësisë time me Arjanin.

 

 

Minatorët e Valiasit kishin filluar një grevë pa afat; kërkonin përmirësim të kushteve të punës, rritje pagash… Tonet ishin ngritur. Më thanë se kronikën e kish përgatitur Melonashi. Gjysmë ore para se të transmetohej shkova në studio, ende në montazh, dhe e pashë…

 

 

Teksti, sinkronet, montazhi, gjithçka tym e flakë. Arjani ishte qindpërqind me minatorët. Vetëm se nuk e shihje me duart në qafë e të brohoriste tok me ta!

 

Arjani, në këmbë, priste sa të hapja gojën unë; gati për sherr. E mbaj mend dialogun:

 

– Përveç se pak e gjatë, tjetër çfarë?

 

– Je rreshtuar! -i thashë.

 

– Ose do të hiqesh mënjanë ose do të jesh në një krah. Ka ardhur koha të zgjedhësh me kë je…

 

Nënteksti ishte për mua: mund të jesh edhe në krahun e kundërt!

 

-Gazetari duhet të informojë, jo të rreshtohet, -thashë unë.

 

-Mos më trego mua rreshtimin; po gjërat duhet të ndryshojnë, apo jo?

 

– Po të pyes, Arjan, pse nuk ke asnjë plan e asnjë fjalë për galeritë e përmbytura? Pse u përmbytën? Sa është fatura e demit ekonomik? Nga do të dalin rrogat? Mos i kërko llogari kujt për këto, po duhet t’i thuash. Janë përmbytur vendet e punës. Çdo qeveri, kjo apo një tjetër duhet t’u japë punë e rroga këtyre minatorëve…

 

– Për mua kronika është e përfunduar; nuk ka as kohë, po as kam ndërmend të merrem prapë me të…

 

– As unë nuk kam pse merrem me të; të transmetohet kështu si është, – thashë. – Nesër do të bësh kronikë tjetër. Nëse të mbeti diçka në vesh, mirë do ishte!

 

 

Nuk u ndamë si miq, po as si kundërshtarë. Arjani gjente rast e vinte të më takonte, sidomos pasi unë dhashë dorëheqjen si drejtor i RTSH. Punë zemre! Ai rreshtohej ku e urdhëronte zemra e jo ku urdhëronin partitë.

 

 

Ai s’pati kohë të digjej nga kamina e gazetarisë; në kulmin e rinisë, të talentit e të shëndetit e me zemrën top Melonashin e pushuan nga puna! Ndoshta, edhe se ma ka vënë veshin më shumë se ç’duhet atë mbrëmje kur bënte sikur s’dëgjonte…

 

 

I tillë është ky burrë trupmadh si me kate e me fytyrë e zemër të ndjeshme prej fëmije. Pasi kthehet nga një “inkursion” në Greqi, më takon e më thotë:

 

– Ishim shtatë shokë e për rreth një muaj mblodhëm ullinj në një fshat afër Selanikut. Ishim të shtatë me arsim të lartë universitar. E kishte marrë vesh gjithë fshati se një mbrëmje në klub kryeplaku na thotë: “Asnjëherë fshati ynë nuk ka pasur kaq shumë djem me shkollë të madhe!”.

 

 

Një herë tjetër, tashmë i kthyer nga Italia ku banonte si mërgimtar, më duket në Frozinone, gjithë pasion tha:

 

– E di? Shqiptarët, sa gjejnë një punë e një shtëpi, regjistrojnë fëmijët në shkolla! Ndihesh mirë, ë? Dhe me rezultate në mësime janë si italianët. Janë me statistika këto…

 

 

Më dërgoi një kopje të librit që, së fundmi, e ka botuar me titull “Vorbull ’91”. E lexova me një frymë, po i rekomandova të mos nxitohej për ta botuar. Mos-distancimi në kohë do të ndihmonte ta bënte më realist përshkrimin e ngjarjeve? Përsëri çështje zemre, unë doja më pak pasion; pasioni duket se të bën subjektiv, si për vete.

 

 

E kisha gabim. Kur u takuam përsëri, më dha librin e tij. U kënaqëm duke biseduar gjatë në mbrëmje te kafe “Grand” dhe sa u ktheva në shtëpi më përfshiu vorbulla Melonashi. I njëjti si në ’97-ën; shkruante me zemër.

 

 

Po Arjanin nuk arriti ta djegë kamina. Veç zemrës ai ka edhe talent, rini e shëndet. Jam i lumtur që e kam mik, edhe pse nuk është aq e lehtë të përqafosh atë burrë si me kate.

 

2017