Në Bredh të Hotovës, si në “gji të Perëndisë”…

Në Bredh të Hotovës, si në “gji të Perëndisë”…

 

 

Pasi ke hyrë 100-200 m në thellësi të pyllit, harron krejt realitetin nga vjen, je vërtet gojëhapur në një botë përrallash me atë panoramë që të del pa pritur para syve.

 

 

Një njeriu të bredhur që vjen për herë të parë këtu, me siguri do t’i vijë turp që s’ka lënë vend të botës pa shkelur e s’paska pare këtë mrekulli në prag të derës.

 

 

Kurora gjigante e gjelbër e bredhave të lartë, me kontraste nga më fantastiket, me atë ujë të ftohtë, që s’numëron dot deri në pesë se “të pret gishtin”, s’të lë të bësh këmbë më tutje.

 

 

Dhe mirë bën të qëndrosh “një copë herë”, siç shkruan Naimi i madh, që me siguri ka pasur parasysh këto vende, pasi jo vetëm lodhja të hiqet si me dorë, por do të kesh edhe një privilegj të veçantë, që jo të gjithëve u rastis, të shohësh me sytë e tu një nga ato çuditë që natyra i bën rrallë e me kursim.

 

 

Të huajt, por edhe vendësit e ndjeshëm, kanë shqyer sytë dhe kanë lënë mendtë aty.

 

Me që ra fjala e të huajve, kohët e fundit shumë prej tyre, sidomos gjermanë, vijnë me hartë në dorë dhe kërkojnë Bredhin e Hotovës, i vetmi masiv pyjor në Jug. I vetëm, por jo si djalë i vetëm, pasi ka pasur edhe shumë dëmtime e shpërdorime të pazëvendësueshme, si në kohën e monizmit, por edhe tani vonë, me prishjet që u bënë në periudhën e tranzicionit. Fshatarët për rreth, si në mall belik, shkonin dhe prisnin drurë-bisqe natën dhe, pa të keq, e hidhnin trarin në sup, se bredhi është pendë i lehtë, e drejt e në shtëpi. Krim i vërtet. E dëshmojnë këtë shumë shtëpi të zonës së Dangëllisë, por edhe të disa fshatrave të Skraparit, që janë ndërtuar me qereste bredhi.

 

 

Është interesant se në këtë pyll prej 1200 hektarësh, ndryshe nga të tjerët, rritet vetëm një lloj druri, vetëm bredhi, i cili, i dendur, duke u zgjatur për të kërkuar dritë shkon në 40-50 m lartësi.

 

 

Poshtë tij, edhe në ditët me diell, hija është shumë e theksuar, gati gjysmë errësirë. Konak më të mirë dhe më të patrazuar se ky, s’kanë ku të gjejnë kafshët e pyllit, si ariu me ngjyrë kafe, ujku, çakalli, dhelpra, lepuri, derri dhe ndër shpendët mund të përmendim bufin, qyqen, kukuvajkën, thëllëzën, shapkën, turtullin dhe shqiponjën.

 

 

Përmetarët ia dinë lezetin, vinë shpesh aty, herë të organizuar në piknikë e ekskursione e herë me grupe apo me familjet e tyre, therin mishra, të cilët i pjekin në hell, festojnë e këndojnë për shtatë palë qejfe.

 

 

Ky park kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë dhe ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit. Pas këtij pushimi të shkurtër e kënaqësie, mos harro se të pret Frashëri. Një copë rrugë jo dhe aq e mirë të nxjerr mbi Kreshovë, ku përtej duket mali i veshur i Qelqëzës dhe poshtë e në krah të tij pllaja ku janë vendosur të ndara lagjet e këtij fshati me emër.

 

 

Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës” mund të konsiderohet pa asnjë dyshim mushkëria natyrore e Shqipërisë së Jugut;

 

me një sipërfaqe prej 1200 hektarë dhe me një lartësi që varion nga 900 deri 1300 metra mbi nivelin e detit, ka një biodiversitet të mrekullueshëm, përbërë kryesisht nga bredhi Maqedons, dushku, dëllinja e kuqe, dëllinja e zezë, mjedra etj.

 

 

Bredhi i Hotovës është  një nga parqet pyjore më të mbrojtura në Shqipëri dhe ndër vite është kthyer në një vend turistik shumë i vizitueshëm. Parku gjendet në zonën e Frashërit, rreth 35 km nga Përmeti. Pamja e mrekullueshme shtrihet nga lugina e Lumnicës deri në majë të malit Kokojkë.

 

 

Bredhi i Hotovës administrohet nga Drejtoria Pyjore e Përmetit. Duhet thënë se punonjësit që e administrojnë dhe ruajnë atë janë njerëz shumë të përkushtuar dhe bëjnë një punë të lavdërueshme, të ndërgjegjshme, si rrallë me të tjerë në Shqipëri.

 

 

Fshatrat më të afërt që mund të vizitohen janë:

Frashër, Ogren, Hotovë, Borockë, Pagri, Kreshovë, Suropull etj. ku është e mundur shijimi i pjatave tradicionale të ndonjë shtëpie vendase si dhe ke mundësinë të provosh rakinë e famshme, të rrushit, manaferrës, thanës, kumbullës, si dhe rehaninë dhe nardenin e kumbullës.

 

 

Kur je këtu, në këto vise ku lindi dhe jetoi Naimi, “je, siç shkruante ai, në gji të Perëndisë”.

 

 

 

Nga libri “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, Tiranë, 2019, i autorit Zylyftar Hoxha