Pas plot 82 vjetësh “kthehet në shtëpinë e tij të mohuar”, në Muzeun Historik të Skraparit, luftëtari i shquar nacionalist, Mestan Ujaniku

Pas plot 82 vjetësh “kthehet në shtëpinë e tij të mohuar”, në Muzeun Historik të Skraparit, luftëtari i shquar nacionalist, Mestan Ujaniku

 

Ceremoni e organizuar nga Bashkia e Skraparit në bashkëpunim me shoqatën “Tomorri” Durrës

 

 

Zylyftar Hoxha

 

Një festë ndryshe kjo e këtij viti në Skrapar. Nesër, pas plot 82 vjetësh, rehabilitohet plotësisht figura e luftëtarit dhe komandantit të shquar të çetës Plakë të Skraparit, çlirimtarit të Çorovodës dhe më pas komandantit të Qarkorit të Beratit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Mestan Ujanikut.

 

 

Ceremonia në Durrës, 2015

 

 

Për arsye që tashmë dihen, politike dhe ideologjike, figura e Mestan Ujanikut ishte fshirë dhe retushuar nga historia e Shqipërisë.  Ai edhe pse dha një kontribut të çmuar në Luftë, u ndëshkua rëndë, u burgos dhe vdiq në burg, duke ngelur edhe pa varr!

 

 

Kalvar, si në gjallje, ashtu edhe në një vdekje pa varr

 

 

Përpjekja e parë për rehabilitimin dhe vënien në vend të nderit të kësaj figure, pas viteve të ashtuquajtur demokraci,  është bërë nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, i cili në festën e 5 Shtatorit të vitit 2003, i akordoi dhe i u dha në dorë familjarëve dhe autoriteteve lokale certifikatën dhe  titullin e lartë Nderi i Kombit të luftëtarit të shquar.

 

 

Por, fatkeqësisht, reminishencat e së kaluarës u përsëritën edhe më pas, pavarësisht nderimit.  Një bust në bronx, porositur nga familjarët dhe i realizuar nga skulptori njohur, Vladimir Caridha, për në muzeun e Skraparit, megjithëse u promovua me ceremoni në vitin 2015 në disa rrethe të Shqipërisë si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat e gjetkë, në Skrapar nuk “çau” dot.

 

 

E dhimbshme, por e vërtetë:

 

Busti nuk erdhi në Skrapar dhe nuk u fut dot në Muze, sepse partia politike që kishte pushtetin lokal në atë kohë  ishte në prag zgjedhjesh dhe pati frikë se rehabilitimi i Mestan Ujanikut do t’i prishte balancat numerike të zgjedhjeve dhe,

 

 

… arsyea e dytë, ishte se autoritetet zyrtare të mbrojtjes së vlerave të Luftës në Skrapar, mbajtën një qëndrim të çuditshëm, duke u treguar “më katolikë se Papa”, duke thënë se ne mbrojmë “idealet e Luftës”, sikur këto ideale i paska shkelur Mestani dhe jo ai që i mori jetën Mestanit(!)

 

 

E turpshme që busti të mbetej prej vitit 2015 i paketuar në dorë të familjarëve.

 

 

 

Optikë e re e ngjarjeve të Luftës pas Konferencës Shkencore të Bashkisë së Skraparit me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

 

 

Nuk duam t’i bëjmë ndonjë dritiramb apo mburrje kryetarit të aktual të Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, por është i vetmi që, në saje të kulturës së përgjithshme dhe veçanërisht asaj historike të tij, ka vlerësuar raportet që kanë skraparllinjtë me të kaluarën e tyre,me historinë.

 

 

 

Është i vetmi që ka kuptuar aspektin delikat të pandriçuar mirë, të pazhveshur nga ideologjia e së kaluarës, shpesh herë kondradiktore të historisë së Skraparit.

 

 

Konferenca shkencore në Akademinë e Shkencave

 

Ndaj dhe bashkë me një nga personalitetet më të njohur, më të dashur, më të dhimbshëm dhe të kudondodhur të Skraparit, prof. Ajli Alushanin, kanë kërkuar ndihmën e institucioneve të larta shkencore për rishikim të gjërave, për një optikë të re të trajtimit të ngjarjeve dhe fakteve të Luftës Antifshiste Nacionalçlirimtare në Skrapar.

 

Konferenca Shkencore Historike, e organizuar para dy vjetësh nga Akademina e Shkencave të Shqipërisë  bashkëpunim me Bashkinë e Skraparit, me relatorë akademikët dhe historianët më të mirë shqiptarë si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Maringlen Kasmi, Ajet Shahu, Zylyftar Bregu etj. ka filluar të japë frytet e veta, një ndër të cilat është edhe  edhe rehabilitimi i plotë dhe i padiskutueshëm i figurës së luftëtarit Mestan Ujaniku.

 

 

 

Shoqata “Tomorri” Durrës dhe filmi i “I Teti në Bronx”

 

 

Ka qenë përpjekja e shoqatës “Tomorri” Durrës, që i propozuan kryetarit të Bashkisë së Skraparit, që busti i Mestan Ujanikut të vendoset atje ku i takon, pranë shokëve të Luftës, në Muzeun e Skraparit.

 

 

Mirëkuptimi, dashamirësia dhe gatishmëria e Kryetarit të Bashkisë qe mbresëlënëse, jo vetëm për futjen e bustit në Muze, por edhe propozimi i tij, për një përmendore të madhe në një nga mjediset e jashtme më të dukshme dhe më panoramike të Çorovodës, për Komandantin, çliruesin e saj.

 

 

Në këtë mënyrë i u dha fund padrejtësisë historike, iu dha fund kalvarit të gjatë, gati njëshekullor të Mestan Ujanikut, si në gjallje, ashtu edhe në vdekje, si në sistemin e kaluar, ashtu edhe në sistemin e tanishëm të demokracisë.

 

 

 

I shoqëruar nga iniciatorët, përfaqësues të Shoqatës “Tomorri”, Durrës: Hajri Nuhu, Gëzim Aliaj, Zylyftar Hoxha, Hektor  Bejko, Qetsor Bejko, Olti Dervishi, Fatri Mezini, Tomorr Laze, Leonard Musaj si dhe sponsorin e kësaj veprimtarie, biznesmenin e mirënjohur dhe të suksesshëm, Rako Paja, sot busti i Mestan Ujanikut, si te filmi “I Teti në Bronx”, është nisur dhe “udhëton” nga Durrësi drejt Skraparit.

 

 

(Nesër në faqet e “Orakujve të Tomorrit” do të gjeni të pasqyruar pjesën e dytë të reportazhit të festës)