Dilaver Backa (Xhakollari), backalliu patriot rivitalizon simbolet e luftërave të Qafës së Martës
Gëzim Ashimi
Teksa afron 80-vjetori i çlirimit të vendit nga pushtimi nazifashist, përkujtimet e ngjarjeve historike që lidhen me këtë jubile vijnë njëra pas tjetrës. Në çdo cep të Shqipërisë ka gjurmë betejash dhe heronjsh që synohen të mbahen gjallë si kujtesë e ekzistencës së kombit.
Qafa e Martës është njëra prej tyre. Nga ana gjeografike konsiderohet si porta hyrëse në zonën e Skraparit. Ndërsa nga këndvështrimi historik si vendi ku janë zhvilluar shumë beteja.
Pikërisht këtu, Dilaver Backa (Xhakollari), dikur në rangun e një gjenerali ushtrie dhe aktualisht i dekoruar dy herë nga Komiteti I Politikave Ballkanike, si një patriot i madh i vendit të tij, ia doli një misioni paksa të vështirë: rivendosi te lapidari në Qafën e Martës pllakën që kujton dëshmorët e rënë në Luftën e Parë Botërore, në Luftën e Dytë Botërore, si dhe krijimin e batalionit partizan “Riza Cerova”.
Për autorin e dy librave të botuara, atë të titulluar “Maleve” dhe “Jeta jonë”, ku shkruan për Qafën e Martës dhe historinë e saj, ishte si e papërmbushur kujtesa historike e vendlindjes së tij dhe më gjërë.
Lapidari kishte kohë që nuk “ fliste”. Sa për shkak të një erozioni natyral aq edhe njerëzor!
Sipas ish-ushtarakut skraparlli, brezat që vijnë duhet ta dinë historinë e kësaj qafe; simbolin e bashkimit në momentet e rënda për vendin. Të njihen me ngjarjet, betejat, datat, të rënët në luftë. Dilaveri si jurist u kujton organeve kompetente të Skraparit, Korçës e Kolonjës të shtojnë kujdesin se ngarkohen edhe me ligj për mirëmbajtjen e tyre.
E ndjente si detyrim moral por jo vetëm, se duhej bërë diçka për të nderuar të rënët në këtë vend me kaq histori, ku trimëria, bujaria, besnikëria, mënçuria e banorëve janë mishërim dhe produkt I vetë ambjentit ku ata jetojnë. Sepse pas viteve 1990-të nderimet dhe ngjarjet historike u bjerrën dhe u harruan.
Ai nuk mund të ndihej i qetë pa lënë një dëshmi historike te Qafa e Martës. I vinin në mendje ngjarjet e vitit 1913, kur te Shkëmbi i bardhë u vra komandanti i çetës Lace Backa, kapedan i asaj kohe. Zote Zotaj, i cili shoqëroi dhe siguroi nga teqeja e Frashërit Mihal Gramenon për t’u takuar me Lace Backën dhe çetën e tij, të shikonte çerdhen e patriotizmit, ngritur nga kleriku patriot bektashi Baba Feta Backa.
Në vitin 1913 kur sulmoi ushtria greke, te Qafa e Martës u vranë pesë backallinj: Lace Backa, Ibrahim Rrahmani, Qazim e Tahir Xhixho, Avdyl Lako dhe Nasi Spiro, ky i fundit anëtar i çetës së Sali Butkës.
Organizimin e ceremonisë mortore në Qafën e Martës të dëshmorëve që u vranë në Selenicën e Pishës, në betejën që çeta e komanduar nga Riza Kodheli bëri me gjermanët. Këtu ranë dëshmorë partizanët Hysen Fega, Malush Buzali, Kasëm Gjoni, Qani Iljazi, Dilaver Topçiu, Kasëm Ramo e Xhuzepe Italiani.
Pse këto ngjarje po harrohen! Shkaqe dhe arsye mund të numurohen, por kurrësesi datat, ngjarjet, emrat që presin një tufë lule çdo përvjetor, qoftë edhe simbolikisht nuk duhet të ndodhin. Dilaver Backa shpreson se diçka do të shkojë më për mirë në të ardhmen, teksa kujton i përmalluar që festimet për këto ngjarje historike dikur organizoheshin plot nderim nga populli i zones së Skraparit, Kolonjës e Korçës.
Autentik në dëshmitë e tij si ish ushtarak i lartë dhe racional në rrëfime, Dilaveri më në fund vendosi t’i rikthehet edhe një herë Qafës së Martës. Me devizën e tij të palëkundur prej skraparlliu se vlera më e madhe në këtë botë është nderi dhe atdheu.
Bëri çmos t’i jape jetë nderimit historik te Qafa e Martës. Dy djemtë e kunatit të tij, vëllezërit Elton dhe Zamir Shahinasi, qytetarë dhe sipërmarës model në Korçë, të shoqëruar nga inxhinier Avdyl Drabo, sakrifikuan dhe plotësuan dëshirën e Dilaverit. Vendosën pllakën përkujtimore te lapidari I Qafës së Martës. Cilësisht rezistent për lartësinë 2000 metra, qartësisht shpjeguese dhe estetikisht e pëlqyeshme.
“As për babain tonë nuk kemi bërë kaq nderim, o Xhaxhi sa për Lace Backën”, i thanë me shaka dy vëllezërit Shahinasi kur misioni në zonën malore të Qafës së Martës u pa i realizuar.
Ndërkaq, afër Qafës së Martës, te stani i tij, Dilaver Backa ka gatitur edhe “banesën” e fundit familjare. Epitafi lexon: “Këtu më duket balta më e ëmbël se mjalta”, dhe flet më së miri se sa të thella i ka ai rrënjët e gjakut dhe të shpirtit me këtë vend.
Në Qafën e Martës tashmë ka një dëshmi që flet për historikun e saj. Falë këmbënguljes dhe aktit patriotik që ndërmori në këtë jubile të 80 vjetorit të çlirimit të vendit një backalli, në nderim të historisë që mbart ky vend i shquar trimërie për Skraparin.