Ajliu – Njeriu

Ajliu – Njeriu

 

 Personalitetet nuk kanë nevojë për lëvdata

 

 

Përparim Xhixha

 

 

Ajli Alushani është një nga yjet e mjekësisë shqiptare. Sado të zhvillohet teknologjia, sa më shumë të futen robotët në punët operatore mbi trupin e njeriut, aq më shumë ai do të lartësohet për shërbimet që ka bërë ndaj njeriut.

 

Me ato kushte që kishin spitalet tona atëbote, me atë teknolgji që kishin mjekët në shërbim të tyre, sekreti i suksesit ishte i thjeshtë: Dijet e tyre bashkëkohore i bënë njësh me humanizmin e nivelit më të lartë për t’i shërbyer mjeriut. Pa asnjë interes. Pa i kqyrur nga duart. Pa i investiguar nga kuleta. Mjekësia mësohet, humanizmi edukohet, si një proces i përditshëm, deri sa bëhet pjesë e pandarshme e personalitetit dhe figurës së e intelektualit, që vihet me bindje të plotë në shërbim të njeriut.

 

 

Një episod:

 

Në moshën 35-vjeçare për herë të parë në jetën time u shtrova në spital, në repartin e kardiologjisë. Pas ekzaminimeve dhe riekzaminimeve, mjekët arritën në përfundimin se zemra ime i kryente normalisht punët e veta që i kishte caktuar Zoti.

 

 

“Ndoshta nga puna intensive dhe stresi…mund të jemi përballë me çrregullime neuropsikike të kalueshme me pushime aktive. Ju rekomandajmë të bëni një vizitë, një konsultë tek dr. Preza dhe dr. Baboçi”.

 

 

Në respekt të kujdesit që kishin treguar mjekët kardiologë për dy javë rresht në spital, pa humbur kohë e realizova vizitën dhe konsultën me dy mjekët emërmirë të spitalit neuropsikiatrik. Pa hyrë ne detaje, në fund, pasi bënë edhe ata vetë një konsultë me 7-8 kolegë të spitalit, më thanë me një lloj dhimbjeje, me nje lloj keqardhjeje:

 

“Me dijet që kemi, me teknologjinë që kemi në perdorim, dyshojmë se diagnoza juaj është e rëndë. Dyshimi ynë është për kancer në tru!

 

 

Sabri Godos, që më shoqëroi si mik, dhe mua, fjalët na ranë si bomb! Kancer në tru! Domethënë unë do të ndahesha shpejt me dy vajzat e mia, e madhja 10 vjet dhe e dyta 2 vjeç!

 

 

“Mundohu, – foli mendueshëm dr. Preza, – të besh një skaner diku jashtë shtetit”.

 

Ai më ndezi një dritë jeshile, dhe pas 24 ose 48 orësh isha në zyrën e ministrit të Shendetësisë, Ajli Alushani. Isha në dorën e tij. Isha i vetëdijshëm se udhetimi im për kurim jashtë shtetit ishte një ëndërr në atë kohë. Thjesht ishte një kërkesë e parealizueshme. Por, une nuk kisha çfare të humbisja.

 

 

Ministrin e njihja dhe e respektoja shumë. Edhe ai më njihte, por më shumë si gazetar i “Zërit të Popullit” sesa si qytetar, si njeri.

 

 

-Ke ardhur të shkruash ndonjë artikull ? – me pyeti ai buzagaz, me një fytyrë të paqme e të bukur.

 

Hollësisht ia shpjegova situatën. Ai më vështronte me dashamirësi të dukshme, por si burrë i zënë në hall.

 

Në fund më tha:

“Nuk të ndihmojmë dot”! (Nuk më tha “nuk të ndihmoj dot” ).

 

Mua më zuri godina e ministrisë brenda. Ministrit të Shendetësisë, me aq sa e lexova fytyrën e tij, i ra mali i Tomorit mbi kokë. Kaq.

 

I dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u ndamë. Por ai më tha një fjalë shpresëdhënëse, që ishte fjala “mirëupafshim”!…

 

 

Edhe sot e kësaj dite nuk e di se si unë, pas 4-5 ditësh, isha në bordin e avionit që do të fluturonte drejt Kairos. Në krah kisha të madhen Vaçe Zela. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore shkonte për turne koncertesh në Egjipt dhe unë isha mes artistëve për të sjellë në Shqipëri mbresat e suksesit të tyre.

 

 

Të vërtetën rreth këtij udhëtimi të “rregulluar” orë pas ore as sot e kësaj dite nuk e di. Por siç më pëlqen të besoj dhe analizoj sot e 40 vite pas, këtë “udhëtim shpëtimi”, jam i bindur thellë se e ka “rregulluar” vetëm Ajli Alushani.

 

 

Ai e di ku trokiti dhe ku mori viston që unë të bëja një rrugë e dy punë: të bëja skanerin dhe të sillja në atdhe mikëpritjen egjiptjane dhe suksesin e Vaçes e të Lili Cingut me shoqe.

 

 

Shkurt, mrekullia për mua ndodhi! Si dhe qysh ?! Nuk mund të them asgjë, por di që zyra e një minisri në atë kohë nuk ishte vetëm brenda katër mureve. Puna e tij kishte hapësira shumë më të mëdha vendimmarrëse.

 

 

Sapo zbrita në aeroportin e Kairos, ambasadori i Shqipërisë, Murat Angoni, duke më shtrënguar dorën më dha një lajm fantastik: “Mos ki merak! Skanerin do ta bësh dhe do të kthehesh shëndoshë e mirë në Tiranë”.

 

 

Më erdhi ta rrëmbeja ambasadorin në krahë e ta rrotulloja si në nje vals në sallën VIP të aeroportit!

 

 

“Eh, Ajli Alushani, Ajli Alushani! Ke ngritur Shqipërinë në këmbë për një njeri, që nuk ka ende një lavartriçe në shtëpi, as frigorifer dhe as televizor” – bisedova me veten gjithë natën dhe përqafohesha me fëmijët..

 

 

Mund te jesh profesionit i madh , mund të jesh mbajtes i ofiqeve zyrtare të larta, por ato nuk vlejnë po të mos jesh NJERI! Me këtë ndjesi në vetvete lexova në portalin “Orakujt i Tomorit” te gazetarit Zylyftar Hoxha, kroniken e ceremonisë te zhvilluar në Çorovode për t’i dhënë NJERIUT Ajli Alushani titullin “Qytetar Nderi”.

 

 

E lexova me një fryme kronikën dhe fjalën e rastit të mbajtur nga kryetari i bashkis, zoti Adriatik Mema.

 

Gjithçka me pelqeu.

 

Dhe gjithçka nuk më pëlqeu.

 

 

Ajli Alushanin nuk e “nxë” Bashkia e Skraparit me gjithë dashamirësinë e saj. Përmasat e personalitetit te tij janë përtej këtij dimensioni.

 

 

Ai është një mjek i shkëlqyer, politikan i logjikës dhe fjalës së rëndë, diplomat aktiv, që i zulmon brenda qenies së vet dashuria për Shqipërinë, është nga ata burra që dinë kur tërhiqen e di kur flasin dhe çfarë flasin.

 

 

Presidenti i Francës nuk ka shume kohë që erdhi në Tiranë. Të gjithë u gëzuam sepse ishte hera e parë në histori që një autoritet kaq i lartë i shtetit frances shkelte në atdheun tonë të coptuar.

Mbi të gjitha u ndjemë krenarë nga fjalët e Presidentit Macron për kontributin që ka dhënë Shqipëria dhe shqiptarët në historinë e kontinentit.

 

 

U bëmë vërtet krenarë sepse ato ore mendonim se hap pas hapi historia jonë do të ndriçohet, do të dalë e vërteta në shesh…

Ne jemi europianë më shume se se disa popuj të vendeve të BE-se! Këtë të vërtete e deklaroi botërisht në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë zoti D. Trusk, atë kohë President i Këshillit të Europës, gjatë vizitës zyrtare që bëri në kryeqytetin e Shqipërisë.

 

Të njëjtën gjë, më me forcë, deklaroi Papa Francesku duke u larguar nga Shqipëria: “Populli shqiptar është popull europian! Pikë”!

Arkivat e Vatikanit, në një farë kuptimi, janë arkivat e historisë se vërtetë të shqiptarëve. Papa nuk na bëri elozhe. Nuk kishte asnjë arsye. Por si njeriu që di të vrtetën e deklaroi atë me zë të plotë, me zë të fuqishëm.

 

 

Dy-tre vite, më përpara se të bëhej realitet në vitin 2023, u bë fakt i kryer se do të vizitonte Tiranën Presidenti frances Makron. Ishim të gjithë në pritje të kësaj vizite historike. Në atë tollovi popullore, që nuk u mor vesh nga shpërtheu e si u fashit, në shtypin e shkruar doli një artikull i Ajli Alushanit, i cili ishte si një bisedë tejet miqësore me mysafirin e madh që prisnim. E shkruante edhe si një kardiokirurg i specializuar në Paris, e shkruante edhe si një burrë i letrave që nuk i shpëtonte asgjë pa lexuar për historinë e dhimbshme të coptimit të Shqipërisë.

 

U referohej librave konkrete të autorëve konkretë francezë, sillte dëshmite autentike të dëshmimtarëve që kishin qenë pjesë e Komisionit Ndërkombëtar të Fuqive të Medha, që i falën Malit të Zi Ulqinin, Plavën, Gucinë dhe çdo pëllëmbë të tokës shqiptare deri atëbote, por Ajli Alushani e lexonte historinë me sytë e të ardhmes dhe përshëndeste vizitën e pritshme:

 

 

Të gjithë shqiptarët të mirëpresin, zoti president Macron!

 

Kjo ishte “bisturia” politike dhe diplomatike e Ajli Alushanit. Atë kohë, atë artkull, nën gjykimin tim e çmova si një platformë të shkëlqyer afatgjatë për diplomacinë shqiptare.

 

 

Të gjithë shqiptarët të urojnë mirëseardhjen në Tiranë!

 

 

Ajli Alushani nuk e lexonte të ardhmen me sytë e të shkuarës. Qendrime të tilla me vlerë kombëtare nuk mund të bëhen kurrë me porosi. Ato burojne nga vetëdia, nga kultua dhe lidhja e pathyeshme e njeriut me atdheun e vet.

 

 

Në një “provë të tillë” u vu Ajli Alushani edhe kur u nis në Itali në krye të delegacionit të parë qeveritar që shkelte një vend të Perëndimit. Vizita e tij në Itali bëri bujë në Shqipëri.

 

Mua më ndihmoi fati që u ndodha tek Hotel 15-shi në sallen e katit të parë, duke pirë kafe. Isha klienti i vetem ato çaste. Pa pritur ia behu Ajli Alushani! Sapo kthehej nga Rinasi. Për të shkarkuar “tonelata emocionesh” nga një udhëtim qeveritar e m së shumti nga një mision atdhetar. U ul në tavolinën ku isha unë. Ishte i tejmbushur me emocione njerëzore, diplomatike, politike e protokollare.

 

“Të lutem, i thashë gjithë gëzim, me trego diçka!

 

 

Sapo u nisëm nga aeroporti i Romës , homologu im që më shoqëronte e që ishim bashkë në një makinë më tha: “Zoti minister, sapo të futemi në Romë duhet të shkojmë drejt tek Kryeministri. Ai po iu pret në zyrë ( në atë kohë në krye të qeverisë italiane ishte Kraksi)”.

 

Kjo ishte befasuese! E paparashikuar!… Kortezhi i flotes shoqëruese ishte një “çmenduri”!

 

“Nuk ka problem, i ktheva përgjigje, aty shkojmë menjëherë, vetëm se dua të ndalem në ambasadën tonëë, këtu, në Rome pak minuta.

 

 

Vleresimi formal për delegcionin tone ishte i veçante, i jashtezakonshem. U ndjeva shumë i gëzuar, sepse sikur ndjeva një gjë të re, të bukur për Shqipërinë! Nga ambasada u lidha meTiranën dhe njoftova gjithçka po ndodhte. Asgjë më shumë. Më pas drejt në zyren e kryeministrit të Italisë, zotit Kraksi.

 

 

Ai më priti me përzemërsi të madhe. Unë përjetoja një ngjarje të bukur që mund të vinte për vendin. Në një çast Kraksi u ngrit në këmbë, filloi të bënte ecejakje nëpër zyrë dhe më tha:

 

“Zoti ministër, a e di qeveria juaj se ç’do të thotë për Italinë pavarësia e Shqipërisë ?“

 

“Zoti Kryeminister , – iu pergjigja , – ne e dimë fort mirë! Unë po ndihem i qetë dhe krenar që Ju po e çmoni qëndrimin e shtetit shqiptar që doli nga Traktati i Varshavës.

 

” Ne, – vazhdoi Kraksi , – kemi harxhuar miliarda lireta çdo vit për të siguruar kufijtë tanë me Shqipërinë , deri sa ju ishit pjesë e atij Trakti famkeq…

 

 

Edhe Kraksi lexonte të kaluarën me sytë e të ardhmes. Ajli Alushani i përgjigjej me të njëjtin vizion.

 

 

Me pas ndodhi “legjenda” me Shtrausin e Bavarisë. Asgjë nuk ndodhi. Vendimmarrjet politike, siç vërtetoi koha, nuk merreshin as vetëm në Romë dhe as vetëm në Bonin e Gjermanisë Federale. Ne shqiptarëve dhe shtetit tonë na duhej të prisnim. Dhe ende jemi në pritje për të ngritur flamurin tone kombëtar në oborrin e Bashkimit Europian në Bruksel.

Deri atë ditë të shenuar dhe historike, ata që do të jenë gjallë, ndoshta kanë parë me sytë e tyre sesi nderohen intelektualet e shquar shqiptare nga shteti i tyre (Ky nuk është një kriter i shkruar nëpër dokumente negociatash, por është në bërthamën e vlerave të qytetërimit europian).

 

 

Macron erdhi ne Tiranë, veç të tjerash, edhe për t’i dhënë Kadaresë tonë Urdhërin më të lartë të Nderimit të Francës.

Një mësim i madh, i urtë, pa zë.

 

Demokracia në një vend është e arrirë kur shteti dhe kombi dëgjojne fjalën e njerëzve të shquar të tyre, kur i nderojnë si shenjtorë të së ardhme.

 

 

Sa do të deshiroja që njëri prej tyre të ishte Ajli Alushani. Personaliteti i tij është mishërimi i virtyteve të burrave e grave të Skraparit, që për Shqipërinë “qëllojnë në dritë të vetëtimës”.

 

Gjithmonë për lirinë, gjithmonë për të ardhmen.