Mestan Ujaniku / Pa varr, por në bronx! Pa krisma, por me nderime dhe lot!
Tomorr Laze
Mestan Ujaniku – Legjendari, ai kreshniku i maleve të Skraparit, sot pas 82 vitesh “puthi” tokën e tij të shenjtë që e deshi aq shumë.
Ai u kthye fitimtar. Oshëtima e krismave të çetës së së tij, më në fund sot më 5 shtator 2024 çliruan Skraparin nga “gjermani” i fundit(!)…
Një mision i arrirë!
Familjarët e Komandantit dhe Shoqata “Tomorri” me qëndër në Durrës, me në krye veprimtarin me emër në qytetin bregdetar, Hajri Nuhun ia arritën qëllimit.
Në fjalën e tij Hajriu falenderoi kryetarin e Bashkisë Çorovodë, Adriatik Memën me dy cilësi, si pushtetar, kryebashkiak, por edhe me cilësinë e një intelektuali të ndjeshëm në ruajtjn dhe promovimin e vlerave historike të Skraparit, që kjo krahinë i ka me shumicë.
Gjithashtu, ai falenderoi edhe intelektualët e shquar të Skraparit, si prof. dr. Ajli Alushanin dhe publicistin Zylyftar Hoxha për nxerrjen në dritë të figurës së Mestan Ujanikut, për lobimin e vazhdueshëm të tyre, që Komandanti legjendar Mestan Ujaniku të “prehet” me dinjitet në muzeun e dëshmorëve të qytetit.
Familjarët e Legjendarit u përlotën. Kur busti hyri në Muzeun e Luftës, Hektor Bejko mori frymë thellë. “Më në fund i dolëm: – tha tërë gëzim.
Të rënëve për liri u shkoi pranë Komandanti.
Aty në muze do “çmallen” e do “flasin” përjetësisht për Luftën, për Skraparin, për vuajtjet, për dhimbjet e për tokën që ende kullon gjak!…
Lavdi Komandantit e luftëtarit legjendar, Mestan Ujanikut!
Durrës, 5 shtator 2024