Baba Fejzo Therepeli, virtytet e larta të një kleriku: si besimtar bektashi dhe si luftëtar i madh e i paepur për liri
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zoto
Baba Fejzo Xhindi (Xhindoli) ka lindur në vitin 1898. Ai vinte nga një familje patriote e fshatit Therepel të Skraparit, me besim bekatashian. Fejzua mori dhe trashëgoi nga xhaxhai i tij, i cili ishte Baba në Teqenë e Therepelit.
Fejzua që në moshë të vogël shërbente pranë tij dhe u edukua e u formua me ritet fetare, por dhe me ndjenjën e patriotizmit dhe të ruajtjes së traditave luftarake të të parëve të tij dhe të kësaj krahine patriotike. Kreu një shkollë fetare dhe fillimisht vishet dervish në Therepel.
Më vonë, pas vdekjes së Baba Bajramit, bëhet Babai i Teqesë së Krahësit të Tepelenës. Kjo është një krahinë tepër e dëgjuar në Shqipëri dhe në Labëri për patriotizëm dhe ndjenja të theksuara luftarake.
Historia e çdo vendi, që lirinë e ka të shenjtë, me shumë të drejtë do të krenohej me figurën e Baba Fejzo Xhindi. Ky klerik i madh i lirisë, së vendit kishte moton e Rilindasve “Pa atdhe nuk ka fe” i cili tërë jetën e tij, tërë pasurinë shpirtërore dhe materiale e vuri në dispozicion të luftës për pavarësinë e vendit nga sundimi otoman. Ai u priu besimtarëve të vetë, me besimin e madhe te zoti dhe atdheu. Ai ktheu teqen e Krahësit në një kala të bektashizmit dhe të luftës për liri e pavarësi.
Pushtimi fashist dhe Baba Fejzo
Baba Fejzo që në ditët e para të pushtimit fashist është shfaqur atdhetar dhe bashkëpunoi ngushtë me patriotët e krahinës si Shefqet Peçi, Asim Zeneli, Mustafa Matohiti dhe merr pjesë në aktivitete duke u hedhur personalisht në aksione konkrete kundër pushtuesve fashistë. Kjo ishte edhe një arsye tjetër madhore për të vendosur marrëdhëniet midis banorëve të trevës së Labërisët dhe në rrethinat Skrapar, Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Çamëri e më gjerë ta ngrenë reputacionin e tij.
Partizanët gjetën tek Baba Fejzo njeriun ideal, ngjasues me tiparet dalluese të tyre. Një klerik bektashi i devotshëm, stoik e qëndrestarë, një atdhetar i palëkundur që Atdheun, lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e tij e vinte mbi gjithçka, që urrente pa masë ndër të tjerat mashtrimin, sidomos kur ai bëhej në emër të fesë, të besimit, pra ishte me ndërgjegje shumë të lartë, punëtor dhe organizator i shkëlqyer, i dashur, i dhimbshëm, mbështetës i personave në nevojë, paqëtor në krahinë, si dhe në fshatra të tjerë ku ai kishte mbështetjen dhe influencën e tij.
Kleriku, anëtar i denjë i shtabit
Gjatë LANÇ-it, rol luajtën dhe besimet fetare, veçanërisht ajo bektashiane, do të shkruante Bernd Fisher, në librin “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”.
Pikërisht, në një nga periudhat më të vështira për kombin e pushtuar nga fashistët, Baba Fejzo la rehatinë e tij personale, që aq të këndshme që e bëjnë drejtuesit e teqeve bektashiane. Ai e la oxhakun e mbushur me dru ahu e dushku në një dhomë të ngrohtë, mori pushkën, doli në mal, u priu banorëve patriotë të krahinës dhe të rrethinave në luftë kundër pushtuesve nazifashistë.
Ai u bashkua me luftëtarë të tjerë të shquar të krahinës si Shefqet Peçi, Islam Radovicka, Hasan Pulo, Ago Çeli, Hysni Kapo, Memo Meto etj., që kishin si ideal çlirimin e vendit.
Në fillim të vitit 1942, Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare po merrte përpjestime të mëdha në të gjithë vendin. Në Krahës, të Tepelenës, përfaqësues të Qarkorit të Partisë të Vlorës, Gjon Banushi, Mynyr Xhindi, Selim Alimerko, Vlash Arapi, Mehmet Jaho, Idris Seiti etj., bënin punë sqaruese me fshatarët, patriotët e pleqësitë e fshatrave për luftën.
Në Teqenë e Krahësit, Baba Fejzo i mirëpriti sqarimet e tyre rreth luftës kundër fashizmit. Në muajin nëntor 1942, Qarkori i Partisë me Mehmet Shehun, krijojnë në Krahës këshillin antifashist dhe njësitin e fshatit.
Babai, si fetar, me shumë ndikim në fshat e në tërë zonën, bëri një punë të madhe bindëse e sqaruese pro LANÇ-it. Që në fillim zgjidhet anëtar i Këshillit Krahinor të Tepelenës. Teqeja e Baba Fejzos luajti një rol të rëndësishëm në zgjerimin e luftës në zonën e Krahësit e më gjërë në të gjithë Tepelenën.
Më 4 gusht 1943 zgjidhet anëtar i Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër.
Më 10 gusht 1943, u zgjodh komandant i batalionit “Baba Abaz”. Në Teqenë e tij në Krahës, të djegur nga italianët, në një çadër është bërë mbledhja e Shtabit të ZIOp më 10-11 tetor 1943, ku u morën vendimet për formimin e grupeve partizane të zonës.
Në Operacionin armik të Dimrit 1943-1944, së bashku me grupin partizan bën agjitacion dhe propagandë që nga Tepelena në Përmet e Skrapar, duke kaluar në fshatrat Sevran, Potom, Radësh, Vërzhezhdë, Mollas, Therepel, Vëndreshë dhe kthehet sërish në territorin e Tepelenës.
Më 20 shkurt 1944, formohet batalioni i Rinisë me luftëtarë nga zona e Krahësit, Mallakastrës dhe Buzit, në këtë rast Baba Fejzo përshëndet në emër të Shtabit të ZIOp. Babai ndihmoi spitalin partizan të Krahësit me ushqime e veshmbathje për partizanët dhe personelin e tij. Ai mori pjesë si delegat në Kongresin e Përmetit, si dhe delegat për në Qeverinë e Beratit.
Në tetor 1944 do të mbante gradën nënkolonel. Në takimet që bënte nëpër fshatra, pohonte se: “Unë jam nacionalist i ndershëm”, duke gjetur kështu mbështetje e përkrahje në popull. Për qëndrimin e tij pro lëvizjes e kundër fashizmit, i dogjën Teqenë, por Babai e vazhdoi qëndresën deri në çlirimin e atdheut.
Më 18 mars 1947, në selinë e kryegjyshatës Botërore do të gjendet vdekjen.
Ndërsa gazeta “Bashkimi” më 19 mars 1947 dha një lajm me pak rreshta ku thuhej: “Dje pas dreke n’ora 3 në kryegjyshatë u krye një krim i poshtër e i shëmtuar. Patrioti Baba Faja dhe Baba Fejzua u vranë nga Dede Baba Abazi, i cili pas krimit të poshtër vrau edhe veten…”.
Kështu u mbyll jeta e këtij kleriku të lartë dhe luftëtari të çështjes kombëtare.