Marsi i pazakontë i 97-ës dhe një kujtesë për Bashkim Finon
Sefedin Çela
“Ai na mundi të gjithëve“ – shkruajti Ben Blushi.
“Ishte si veza Kinder”, thuhet se ka thënë për të Nano, cituar nga Rudina Xhunga.
Mister Surpriza, – kryeministër. E çfarë vepre bëri e ç‘mund të bënte për tre katër muaj?
Marsi i pazakontë i 97-tës , të gjthëve që e përjetuan atë, nuk u kujton ekuinoksin e pranverën. Ditët e para të tij u vendos gjendja e jashtëzakonshme dhe ora policore. Përveç gazetarëve e kameramaneve të informacionit, disa montazhierëve, teknikë transmetimi e punonjës të programacionit, të paisur me lejë të posaçme për të kaluar postblloqet, gati gjithë të tjerëve, në radio e televizion, u ishte kërkuar të qendronin në shtëpi. Sruktura programore për ditë të tëra, veç edicionit të lajmeve, mbushej me ritransmetime.
Krisma armësh dëgjoheshin në çdo orë të ditës e të natës. Ishte e frikëshme të dilje në ballkon. Nuk ishte e sigurtë nëse të nesërmen do të gjeje hapur dyqanin e bukës. Më brente meraku që nuk kisha dëgjuar nënën e si kryefamiljar nuk kisha siguruar as një thes miell.
Kur për herë të parë u dëgjua emri i Vranickit u duk se më në fund Zoti hapi sytë, pa e vuri dorë : ai kishte hyrë në mes për të bashkuar palët. Pastaj doli togfjalëshi “Qeveri e Pajtimit Kombëtar”. Pastaj u dëgjua për herë të parë emri i Bashkim Finos kryeministër.
Dija se kishte qënë kryebashkiak i Gjirokastrës, po nuk kisha patur rast ta njoh, madje as ta shoh në ndonjë kronikë në tvsh. E vetmja lidhje që mund të më kujtonte atë ishte telekronisti gjirokastrit i tv që kishte mbiemrin e tij.
Këtë ditë që ai u nda nga jeta mesazhet për të i kam vërtitur e lexuar në shumë pikëvështrime.
Koha e solli në krye të qeverisë si njeri të pajtimit në ditë të vështira mendjembyllurish, të çoroditurish, të dëshpëruarish. Ai djalë i ri kaloi provën e zjarrit e bashkoi, nuk ndau. Ai ia doli mbanë e kapërceu edhe atë që fillimisht besonte vetë se mund të bënte.
Sot mesazhet për të ishin nga të gjithë krahët e politikës e kjo nuk ishte thjesht “fjala e fundit” , që thuhet rëndom për çdo njeri që ndahet nga kjo botë. Sot politika ndërpreu fushatën, mbajti gjuhën nën dhëmbë e foli ndryshe, mendjet i lexova më të kthjellta e zemrat të zbutura.
Bashkim Fino iku i rrëmbyer nga pandemia, po ai nuk iku si i mundur. La pas një mesazh të madh. Dua të besoj se mesazhi që dha ai u lexua sot.
“Ai na mundi të gjithëve“ – shkruajti sot Ben Blushi. “Ishte si veza Kinder”, thuhet se ka thënë për të Nano, cituar nga Rudina Xhunga. Mister Surpriza, – kryeministër. E çfarë vepre bëri e ç ‘mund të bënte për tre katër muaj?
Ftohu gjakrat e kurseu gjakun! Nuk është pak. Ai guxoi të marrë përgjegjësi në një kohë të marrë.
Për herë të parë e të fundit e kam takuar e kam shkëmbyer disa fjalë me të vetëm për pesë minuta atë mbasdite kur sapo ishte kthyer në zyrë nga takimi me Vranickin në anije.
Jonuz Begaj, shok që nga shkolla e mesme, diplomat e i njohur në rrethet diplomatike e politike nga të gjitha krahët, sidomos nga e majta, më telefonon e më thotë të shkoj në Kryeministri, të takoj Ylli Bufin, se Finoja do të bënte një deklaratë në televizion rreth bisedimeve me Vranickin.
Ishte e kotë të grindesha me mikun tim. I thashë se unë nuk isha në listën e punonjësve të rtsh me lejë të posaçme, nuk kisha as të drejtë administrative për të urdhëruar kënd e nuk kishte kuptim të merresha me gjëra që s’më takojnë .
-Ti m’u kujtove, tha ai, je shoku im e je marrë me këto punë!
-Po nuk kam lejë kalimi…
– Nuk ka këmbë njeriu nëpër rrugë, nuk ka kush të ndalon. Janë fshehur nga krismat!
Unë sikur kisha kokë tjetër e s’kishin ç’të më bënin plumbat! O shkoja o nuk shkoja, nuk sqarohesha dot më tepër. Vite më vonë e kemi tjerrur gjatë këtë histori e miku im më kërkoi ndjesë.
Nuk di ç’justifikim gjeta për nënën e gruan të delja nga shtëpia në atë orë . Dita ishte duke u thyer, ishte ora e të marrëve, fillonte breshëria e automatikëve nga ballkonet. Marrëzia kalonte nga një pallat te tjetri gati në të njëjtën orë, si ndodh me fishekzjarret e Vitit të Ri.
Nuk di si e bëra rrugën deri te Parku Rinia, vija dorën mbi kokë për t’u mbrojtur nga ndonjë plumb qorr, si vë njeriu gazetën me shpresë të ruhet nga shiu. Si në një teatër absurd. E kujtoj sot e qesh me veten : vërtet kam vënë dorën mbi kokë për t’u ruajtur nga plumbat?
Askush nuk të vinte qëllimisht në shënjë, po mund të haje një plumb qorr kot e të shkoje për dhjamë qeni. Një grua kështu kishte mbetur, duke nderur teshat e sapolara në ballkon.
Askush nuk më doli përpara, këmbë polici në rrugë, këmbë civili, këmbë ushtari e postblloku! Të zinte frika më keq : në qiell kryqëzoheshin të shtënat, në tokë shteti nuk jepte asnjë grahmë jete!
As në Kryeministri nuk më ndali askush, as në hyrje, as në kate, frymë njeriu!
Diku dëgjova një bisedë telefonike e trokita në derë. Qëllova në shënjë: gjeta Ylli Bufin. Me siguri, ai bënte këshilltarin e ndihmësin, e njihte atë post, njihte dhe hyrjet e daljet e asaj godine me emër.
I thashë kush jam, edhe pse njiheshim. Më priste. Kërkoi një akt që rregullonte raportet e rtsh me institucionet. Shpiegova frymën e një VKM pas legalizimit të pluralizmit politik.
Pas takimit me Vranickin kryeministri duhej të bënte një deklaratë për tvsh, si mund të vinte një grup xhirimi për të regjistruar deklaratën? Thashë se mund t’u jepja numrat e telefonit e emrat e personave përgjegjës, Ishte e domosdoshme të bisedohej zyrtarisht me ta. Ndërkohë unë do të flisja me ta, ngaqë i njihja, po kjo nuk do të ishte e mjaftueshme.
Kaq ishe puna ime atë ditë, për kaq duhet të vija pëllëmbën mbi kokë për t’u mbrojtur nga plumbat qorra. Mund të përshëndetesh me kryeministrin e të ikësh ashtu si erdhe, tha në fund Ylli . Më vjen keq, nuk të ndihmoj dot me ndonjë mjet, nuk kam kujt t’i them!
Trokita e futa kokën te dera e kryeministrit. M’u duk më i pakët e më i ri se ç’ ishte pas asaj tavoline të madhe. E urova, sinqerisht, jo për forcë zakoni. Ky burrë i vogël duket besonte se mund t’ia delte në atë që kish pranuar të bënte. Më shtrëngoi dorën disa herë. Pastaj fshiu syzet e buzëqeshi .
“Faqebardhë!- thashë. Do t’ia dalim!”
Nuk di pse ndjeva se duhet t’i ndodhesha në krah. Duhet t’i ndodheshim në krah. Ai ia doli e të gjithë ia dolëm.
Kur u gjenda në rrugë , po ashtu të boshatisura, pa këmbë njeriu e këmbë polici, po me dukej se diçka regëtinte, po besoja dhe vet se do ringriheshim.
Të shtënat vazhdonin të kryqëzoheshin mbi qiell e mua më doli nga mendja të vë dorën mbi kokë për t’iu ruajtur ndonjë pumbi qorr.
Mars 2021