Vendi im

Vendi im

 

Edison Ypi

 

Vendi im është i tëri një ankth i bukur që s’ka të sosur. Një ëndërr, një mrekulli, një Parajsë. Ku dimri të ngroh, behari të plevitos.

 

 

Shigjetën e busullës e kafshoi një qen. Akrepat e orës i gëlltiti një gjarpër. Mund të ndodhesh diku, është e mërkurë, por të duket e premte. Pas së enjtes vjen e marta. E hëna zgjat tri javë. E shtuna dhe e diela mungojnë me vite ose nuk vijnë kurrë.

 

 

Retë kërcejnë Napolonin. Malet u bien daulleve. Kodrat bëjnë selfie. Shkurret flasin Anglisht. Liqeret luajnë në Harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Nositat ushqehen me mish Poeti.

 

 

Televizor ka, por nuk e përdorin. Interneti është shpikur, por nuk e njohin. Fejsbuku pasi hëngri një tas groshë, u mbulua me jorgan dhe po fle duke pjerdhur dhe gërrhitur.

 

 

Në qiell rrinë varur dy Diej të ftohtë dhe tre Hëna të ngrohta. Yjet mund t’i prekësh me dorë.

 

Shkëmbinjtë mund t’i shkatërrosh me grusht. Peshqit e liqereve kullosin bar nëpër korije.

 

Skrapari prapa kodrës është zhytur në një vaskë hidromasazhi me qumësht.

Labëria po bën dush.

Devolli pi raki me gjyma.

Kuksi po  bën llixha në Peshkopi se i dhemb kurrizi.

Karavastaja po zë peshk me dinamit te Gjiri i Lalzit.

Te Ura e Gostimes po bëhen bisedime për t’i dhënë fund konflikteve mes superfuqive.

Në luginë këndojnë nëntë qyqe, në pyll ja presin tre bilbilë.

Sulova po mjel lopët.

Kolonja po negocion me Tropojën për Fatet e njerzimit.

Kepi i Rodonit pi kafe me Nëmërçkën.

Lushnja me Elbasanin bëjnë dashuri me të bërtitura mbi një varkë në Liqerin e Belshit.

 

 

Pak më tutje shtrihet Gjermania e lodhur dhe e përgjumur me pleq që duan vetëm infemiere jevga, ose rash’ e vdiqa.

Italinë e ke tek semafori i tretë, kthesa e katërt djathtas, brryli i dytë majtas.

Disa Ferrari gjarpërojnë rretheqark liqereve të Dumresë me shpejtësi skëterre mbi një pistë drite me ngjyra leonardeske.

Amerika po bën muhabet me ca muxhaidinë në një kafene në Sauk.

Shkodra me minifund dhe flokët që ja merr era ta bën me dorë ta marrësh deri në Laç.

Lezha me shapka po lan Benzin me ujë pusi.

Puka me xhinse të shkurtra si breçka ka ndalur në mes të rrugës se i është çpuar goma.

Sulova shet shalqinj duke bërtitur.

Mallakastra topless në mes të rrugës lajmëron fundin e botës.

Kruja bën qitje me pistoletë.

Korça bën Dashuri me Laçin.

 

 

Horizonti oqean i përflakur gjaku.

 

Në qiell kullosin dele laramane që i ruan një bari me mustaqe sa një kalli misri duke thithur duhan të dredhur me një çibuk sa një oxhak lokomotive, me gunën sa Divjaka dhe kërrabën që i nis në Rroskovec, kalon  mbi Shpirag dhe mbaron mbi Baba Tomorr.

Tetor 2023