Fan Noli, telegram Sulejman Qafës: “Mirënjohje Ty dhe popullit të Skraparit për ndihmën që më dhatë”!
Pas fitores së Revolucionit të Nolit në qershor të vitit 1924, personalisht Noli falenderon dhe shpreh mirënjohjen për të gjithë bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e tij që e ndihmuan të vinte në krye të pushtetit.
Një ndër këta bashkëpuntorë dhe mik personal i tij, ishte edhe Sulejman Qafa, një patriot i njohur dhe i sprovuar edhe në ngjarje të tjera historike në Shqipëri.
Pas fitores, Sulejmanit i vjen një telegram nga Fan Noli d.v., ku shkruhet:
“Zotit Sulejman Qafa Skrapar,
Ju falënderojmë Juve dhe popullin e Skraparit.
Kryeministri Fan Stiliano Noli”
Pas telegramit të Nolit Sulejmani emërohet nëpunës për sekuestrimin e pasurive të bejlerëve të Beratit. Por me riardhjen në pushtet të qeverisë së Zogut, e pushojnë nga puna, madje edhe e internojnë.
Ja një telegram i Prefekturës së Beratit, e cila e shtrënguar nga rrezikshmëria që paraqiste Sulejmani, me shkresën nr. 27, datë 6. 1. 1925, i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme Tiranë:
“I njohuri në protesta të rrepta telegrafike që i bënte Kuvendit dhe Qeverisë legale, një vit më parë, Sulejman Qafa, me kjenë se është nga revolucionarët më guximtarë dhe ma me rëndësi të qershorit të kaluem, bashkë me këta dhe nga përhapësit në rrethin e Skraparit për qetësinë e përgjithshme, shifet i rrezikshëm.
Lusim sa më shpejt të urdhërohet internimi i tij lag prej Jugut”.
Dhe ministria, me shumë seriozitet, i përgjigjet me telegramin nr. 42/3,datë 7.2.1925:
“Urdhërojmë internimin e Sulejman Qafës në Krujë, pasi shifet i rrezikshëm. Me vendim të Këshillit Ministrave nr.285,datë 22.5.1925, Sulejman Qafa internohet 10 muaj në Krujë si i rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe kundër regjimit.”
Pas 14-muajsh Sulejmani kthehet në fshat bashkë me të vëllanë, Rexhepin. Por sëmuret dhe humbet dëgjimin. Në këtë kohë i vjen emërmimi nga Tirana për t’u vendosur kontrollor pyjesh në Berat. I mbetur pa shtepi dhe ekonomi, shkon e vendoset familjarisht në Berat.
Por nuk kaloi shumë, duke qenë antizogist, e pushojnë nga puna. Kjo e detyron të kthehet në fshat dhe bashkë me të vëllanë Dervish Rexhepin, fillojnë ndërtimin e shkollës së re, ku mësimi filloi në vitin 1936.
Për këtë veprimtari kaq të gjerë iu akordua një pension i vogël, që më pas ia ndërpresin më shumë për shkaqe inati se ligjore.