Platforma Editoriale

Orakujt e Tomorrit

Gazeta online “Orakujt e Tomorrit.al” është një e përditshme me karakter të theksuar shoqëror, historik dhe etnokulturor, e hapur, e pavarur për të gjitha opinionet që janë në interes të njerëzve, të formimit, informimit dhe edukimit të tyre.

Gazeta online “Orakujt e Tomorrit.al” synon të ketë një shtrirje të gjerë gjeografike, duke trajtuar dhe pasqyruar jetën dhe veprimtarinë që zhvillohet në trevat rreth Tomorrit, por edhe në bashkësitë dhe komunitetet e këtyre zonave në të gjithë Shqipërinë.

Kjo gazetë e re lindi si një nevojë shpirtërore për të komunikuar, për t’u bashkuar dhe lidhur më tepër me njëri-tjetrin. Ajo do të ketë si mision nxjerrjen në pah të vlerave më të mira që kemi trashguar nga të parët tanë dhe që i manifestojmë edhe sot: shpirtin atdhetar, virtytet e dallueshme të mikpritjes, të bujarisë, të respektit ndaj punës, ndaj familjes etj.

Gazeta jonë do të luajë rolin e një testamenti trashëgimie për fëmijët tanë për të mos mohuar, përkundrazi, për t’u krenuar me origjinën e tyre, duke ruajtur dhe zhvilluar traditat më të mira që kemi dhe duke i përmirësuar ato.

Për të kryer misioni dhe qëllimin e saj fisnik, kjo gazetë do të mbështet në ngrohtësinë dhe dashamirësinë që do t’i japë lexuesi duke e ndjekur, por edhe duke e ushqyer me gjithçka të mirë, interesante dhe cilësore.

Kemi bindjen se mirëkuptimi dhe dora që do të na zgjatet do ta mbajë gjithmonë të gjallë dhe dinamike gazetën, por ajo do të ecë e sigurt përpara edhe për një arsye tjetër madhore, pasi do të ketë bekimin e Baba Tomorrit dhe të orakujve të tij fatndjellës.