Grupi partizan i Myzeqesë dhe Skrapari si shesh lufte për të

Grupi partizan i Myzeqesë dhe Skrapari si shesh lufte për të

 

Nga Jovan Bizhyti

 

 

Ngjarjet dhe datat historike na kujtojnë ato vite kur populli ynë mori përsipër një barrë të madhe heroike e historike, çlirimin njwherë e përgjithmonë të vendit nga pushtimi nazi-fashist dhe marjen në dorë të fateve të tij.

 

 

Një nga betejat e rëndësishme të LANÇ-it ishte edhe përballimi i Operacionit Armik të Dimrit 43-44, ku forcat gjermano-balliste kërkonin me çdo kusht eleminimin e ushtrisë partizane dhe Shtabin të Përgjithshëm të saj. Pas riorganizimit, Grupi Partizan i Myzeqesë, me katër batalionet që e përbënin, ishte Grupi i Parë Operativ i Qarkut të Beratit që u përfshi në përballimin e operacionit armik. Fronti i luftimeve përfshinte zonat e Sulovës e Tomorricës, deri në Gorë-Opar, kundër forcave gjermano-balliste që kishin depërtuar në ato anë.

 

 

Forcat partizane të Grupit të Myzeqesë, në planin operativ u ndan në dy drejtime: Batalioni i parë dhe i tretë do sulmonin nga e majta e lumit të Tomorricës, kurse batalioni i dytë dhe i katërt do sulmonin në krahun e djathtë të tij. Objektiv ishte zotërimi i Qafën së Dardhës, Jançe e Tunjë, si zona strategjike. Në përpjekje me forcat armike në Dunckë dhe Terovë u zhvilluan luftime të ashpra.

 

 

Luftime të tilla u zhvilluan edhe në krahun e djathtë të lumit të Tomorricës. Forcat gjermano-balliste u thyen keqas dhe patën shumë humbje në njerëz e dëme materiale. Mes të vrarëve ishte edhe trupi i komandantit të forcave balliste Feta Gurazezi, të cilin ballistët, në panik e sipër nuk mundën ta tërhiqnin. Në këtë betejë partizanët kapën Qafën e Dardhës dhe fshatin Jançe, duke zotëruar kështu pothuajse gjithë zonën e Sulovës.

 

 

Ishte mbrëmja e 9 janarit 1944 kur forcat partizane ishin në Jançe dhe në një lagje të Tunjës, pararoja partizane poshtë katundit Tunjë, bie në përpjekje me forcat gjermane. Në këtë situatë Shtabi i Grupit Partizan të Myzeqesë urdhëroi që efektivi të marshonte drejt Zonës së Tomorricës, për t’u hedhur më pas në zonën e Oparit të Korçës. Këtyre forcave i u bashkun edhe forcat e Batalionit të Dumresë nga Qarku i Elbasanit.

 

 

Batalionet partizane, atë natë të egër dimri, për t’iu shmangur rrethimit gjerman nisën marshimin e gjatë e të vështirë. Mungesa e veshjeve të trasha i bënte që ta ndjenin deri në palcë të ftohtin e madh me dëborë e suferinë. Pasi kaluan me shumë vështirësi lumin e Tomorricës u gjendën midis dy pengesave, gjermanëve dhe rrjedhës së fortë të lumit.

 

 

Rruga e vetme e forcave partizane ishte kundra-sulmi. Nga pararoja partizane në atë përpjekje u vra partizani Trifon Shtëmbari nga fshati Bubullimë dhe u plagos një partizan tjetër. Gjermanët e humbën ndërlidhjen dhe u tërhoqën, ndërkohë që partizanët zunë pozicionet më dominuese, duke e detyruar armikun të tërhiqet.

 

 

Kolona e partizanëve të grupit të Myzeqesë vazhdoi marshimin drejtë Mazrekut, në zonën e Oparit të Korçës dhe më pas i u ngjitën Qafës së Gjarpërit në afërsi të fshatit Dushar. Aty u ndeshën përsëri me. Mbas disa orësh luftime heroike, nga radhët partizane mbetën të vrarë mësuesi partizan nga Bubullima Dhimitër Mino, zv/Komandanti i Batalionit të Parë Nuri Shabani nga Lushnja, partizanët Arshin Xheka dhe Aqif Libohova.

 

 

Më 13 janar partizanët myzeqarë mbritën në fshatin Gjergjovë të Skraparit. Aty sërish u ndeshën me dy batalione të forcave balliste të komanduara nga Muharrem Kapllani dhe Et’hem Mollasi. Në këtë përpjekje, forcat e ballit u shpartalluan, duke lënë në fushë-betejë shumë armë dhe kafshë të ngarkuara me monicion, si dhe të vrarë e të plagosur.

 

 

Këto fitore të njëpasnjëshme e ngritën lart moralin dhe vendosmërinë e partizanëve për të vazhduar më tej objektivat e tyre luftarake. Detyra që morën nga komanda e Qarkut të Beratit, ishte të përfshiheshin në aksjonet luftarake për spastrimin e gjithë zonës së Skraparit nga forcat gjermano-balliste, duke përfshirë fshatrat Koprenckë, Lapanë, Zabërzan, Çepan e deri në afërsi të Veleshnjës, ku u takuan me forcat partizane të Skraparit që vepronin në fshatrat rreth zonës së Çorovodës.

 

 

Në Veleshnje, veç takimit me forcat partizane të Skraparit, u takuan dhe me forcat partizane të Brigadës së Parë Sulmuese. Së bashku përballuan luftimet e ashpra me një batalion gjerman të Regjimentit 54, me një përbërje prej 1000 ushtarësh. Ky regjiment, si pjesë e operacionit “Seydlitz”, po marshonin drejt Çorovodës për të dalë në Këlcyrë e Përmet, me qëllim kontrollin e operacionit në zonën Tepelenë-Lunxheri-Pogon, në Jug të Vjosës.

 

 

Luftime shumë të ashpra me  forcat gjermane u zhvilluan në Tëndën e Qypit, në të cilat ishin edhe forcat e Brigadës së Parë Sulmuese, dhe ato të Skraparit. Si pasojë e luftimeve të ashpra e të përgjakshme, forcat gjermane morën  goditje shkatërrimtare. Armiku la në fushën e betejës mbi 100 të vrarë e shumë të plagosur si dhe një sasi të madhe armatimi me topa, mortaja, mitraloza të rëndë e të lehtë. gjithashtu u zunë dhe rreth 70 kafshë të ngarkuara me monicione.

 

 

Fitorja e Tendës së Qypit tregoi heroizmin dhe trimërinë e partizanëve. Aty derdhën gjakun 17 partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, “Dëshmorë të Atdheut”, u plagosën rëndë Komandanti i Partizanëve të Skraparit Zylyftar Veleshnja dhe Komisari Laze Sevrani si dhe u vranë partizanët Ali Dobrusha e Sulo Buzheli.

 

 

Nga forcat partizane të Myzeqesë u vra partizani Fiqiri Struga nga fshati Sulzotaj dhe u plagosën shumë të tjerë. Gjatë ditëve të luftimeve në Tëndën e Qypit, 20-26 janar 1944, nuk pati asnjë depërtim të forcave të armikut. Shpartallimi i gjermanëve e lehtësoi shumë veprimtarinë e forcave partizane në territorin e Skraparit. Ato më pas nisën spastrimin nga armiku në Tomorricë, Sulovë, Nahije e zona të tjera.

 

 

Në 16 shkurt 1944, forcat e Grupit Partizan të Myzeqesë u kthyen sërish në zonën e Sulovës e më pas me objektivin që të riktheheshin në Dumre. Nga 800 forca partizane që u nisën fillimisht, kthimi ishte me mungesa. Vetëm të rënë në fushën e betejës si dëshmorë në këtë operacion, mbetën 78 djem e vajza myzeqarë, veç të plagosurve e të gjymtuarve. Në luftën e madhe Antifashiste Nacional Çlirimtare populli i Myzeqesë së Lushnjes angazhoi në formacionet partizane mbi 3500 djem e vajza.Ranë në beteja 228 dëshmorë, “Yje të Pashuar”.

 

 

 

Shënim:

Këto të dhëna mbështeten në Historikun e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të rrethit të Lushnjes si dhe në kujtimet e Xhorxhi Robos, Koli Ll. Bozos dhe Miti Bozos, drejtues të luftës partizane në Myzeqe.