Doli në qarkullim libri “Gjerbësi i Skraparit”, me autor Nesim Alushanin, botim i shtëpisë botuese “Naimi”

Doli në qarkullim libri “Gjerbësi i Skraparit”, me autor Nesim Alushanin, botim i shtëpisë botuese “Naimi”

 

 Zylyftar Hoxha

 

Kur miku im, autori këtij libri monografik, Nesim Alushani, më kërkoi “t’i hidhja një sy” dhe më pas të thosha dy fjalë si parathënie dhe prezantim të tij, e prita me kënaqësi.

 

 

E prita kështu, sepse “dorën”, mendjen dhe stilin e të shkruajturit të Nesimit e kisha hasur në librin e tij të parë, monografinë familjare, “Alushanët e Gjerbësit”, një libër që vërtet më ka befasuar nga mënyra se si është trajtuar, nga kujdesi, hulumtimi  dhe skrupuloziteti shkencor në çdo rresht dhe paragraf të tij, nga  vërtetësia, natyrshmëria dhe thjeshtësia e fakteve dhe ngjarjeve të pasqyruara në të, si dhe nga një stil i rrjedhshëm rrëfimtar si në një roman i këndshëm historik që nuk e lëshon nga dora pa e përfunduar.

 

 

 

Për librat ka plot thënie të mënçura, natyrisht nga të mençurit, se ata merren me libra. Dhe njëra nga këto shprehje që ngjit në këtë rast, është se fytyra e një libri, fotografia e një libri, është fytyra dhe fotografia e gjallë e atij që shkruan.

 

 

Nesim Alushanit, inxhinier kimist i sukseshëm, përgjegjës reparti dhe më vonë edhe drejtor i një prej veprave gjigante të prodhimit të armëve dhe municioneve luftarake, siç ishte Poliçani, nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend të shkruante histori dhe libra. Por ja që vjen një kohë dhe zbutet shpirti, njeriu i kthehet së kaluarës, viteve të fëmijërisë dhe rinisë, vendlindjes, pse jo edhe halleve të mëdha shtetërore dhe shoqërore, tashmë si një borxh i pakthyer. Është një “sëmundje” retro-je, nëse mund ta quanim kështu, që, më shumë se hallet e veta, vuajnë për të tjerët gjithë mosha kanonike.

 

 

Në takimin e parë që pata me Nesimin, kur më dorëzoi dorëshkrimin, më tha edhe asyet  që e kanë nxitur atë t’i hyjë punës për të shkruar këtë monografi historike për Gjerbësin.

 

 

Arsyet janë të shumta, por unë do të veçoja tri, më tha ai:

 

E para, i ikur që i vogël nga fshati, pa “e shijuar” mirë atë, me kujtime të copëzuara dhe të vagëlluara, të mbetura edhe në mes, duke qëmtuar për këtë libër, duke pyetur më të moshuarit, duke shfletuar libra, gazeta dhe materiale arkivore, krahas ndriçimit të fakteve dhe ngjarjeve historike,  unë, në një farë mënyre, mbusha edhe vakuumin e krijuar për atë segment të jetës time, siç ishte fëmijëria dhe rinia.

 

 

E dyta, si të gjitha fshatrat e Skraparit, edhe Gjerbësi ka përjetuar dhe ka “prodhuar” ngjarje heroike dhe mbresëlënëse në të gjitha periudhat historike, por, fatkeqësisht, e theksoj këtë fatkeqësisht, Gjerbësi ka patur edhe historinë më të varfër të shkruar në krahasim me shumë fshatra të tjerë, që në një periudhë të veçantë bënë historikët dhe muzeumet e tyre, që edhe pse jo shumë të arrirë, përsëri, sollën diçka të re të dokumentuar. Gjerbësi, për shkaqe subjektive të ndonjë drejtuesi të saj, për nënvelftësim apo neglizhencë, bëri një historik të përciptë, madje fare të varfër, ndërkohë e kaluara dhe memoristika e tij dëshmonte të kundërtën për rolin e këtij fshati në ngjarjet e të gjitha periudhave historike të krahinës së Tomorricës dhe të Skraparit.

 

 

Duke parë dhe ndjerë këtë, dy miqtë e mi gjerbësllinj, Caush Carkanji dhe Adem Flamuri shpejtuan të mbushin boshllëqet më librat e tyre, të cilët, siç e kam thënë edhe në hyrje, unë i kam shfrytëzuar dhe përdorur në mënyrë kompozicionale në referencat e mia, për të respektuar dhe vlerësuar punën e tyre.

 

 

E treta, nxitje për këtë libër më ka dhënë edhe produkti që nxora me librin e familjar “Alushanët e Gjerbësit”, i cili në përgjithësi është pritur mirë dhe është vlerësuar edhe nga njerëz profesionistë që e njohin zejen e të shktuarit. Ndaj thashë, kur unë shkruajta për një familje të vogël, pse të mos shkruaj për një familje pak më të madhe, siç është fshati i Gjerbësit, për t’i sjellë atij diçka të munguar”!?…

 

 

Këtë sinqeritet që Nesimi ma shprehu në këtë takim, unë e ndjeva më pas në çdo rresht të dorëshkrimit që më dorëzoi.

 

 

E tërë monografia përshkohet nga vërtetësia dhe kryqëzimi i të dhënave, fakteve dhe dokumenteve arkivore, përshkohet  nga një kulturë e lartë të shkruari, nga një frazë dhe gjuhë e përpunuar, nga një sintaksë me lloje dhe nuanca të larmishme fjalish, nga një fjalor i pasur dhe i pastër, që i kanë dhënë librit hijeshinë, ngjyrat dhe freskinë e një romani të këndshëm historik që lexohet me kënaqësi dhe ëndje.

 

 

 

 Nesim Bektash Alushani u lind më 2 nëntor 1953, në Gjerbës. Pasi përfundoi arsimin 8-vjeçar në fshat, shkollën e mesme profesionale e bëri në Poliçan. Nga viti 1974 – 1978 ka studiuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Kimi Industriale. Pas diplomimit ka punuar në Kombinatin Mekanik të Poliçanit në detyrën e teknologut kimist dhe detyra të tjera. Nga viti 1998 deri në vitin 2004 ka kryer detyrën e drejtorit të Kombinatit të Prodhimeve Ushtarake të Poliçanit. Në vitin 2004 vendoset familjarisht në Tiranë. Pas librit “Alushanët e Gjerbësit”, ky është libri i dytë i Nesim Alushanit.