Inxhinierja Merita Shkupi, mbesa e Maliq Skraparit, anëtarit të Qeverisë së Vlorës 1912, letër drejtuar “Orakujve të Tomorrit”

 Inxhinierja Merita Shkupi, mbesa e Maliq Skraparit, anëtarit të Qeverisë së Vlorës 1912, letër drejtuar “Orakujve të Tomorrit”

“Nuk kam jetuar asnjë ditë në Skrapar, por dashuria për të më mbush me kënaqësi sa dhe  Tirana ku linda. Ruaj në kujtesë gjithçka flitej e thuhej në shtëpinë e time për gjyshin. Që e vogël më bënte përshtypje mbiemri Skrapari. Por, kur mësova se gjyshin tim, Maliqin, kështu e kishte thirrur dhe e kishte pagëzuar për herë të parë Ismail Qemali, ndihesha krenare.

 

 

Ruaj në kujtesë gjithëçka nga mamaja ime që fliste për gjyshin. Ne shkonim në shkollë, mësonim për shpalljen e Pavarësisë, por emrin e gjyshit tonë si pjesëtar i qeveisë së parë shqiptare, nuk e ndeshnim gjëkundi. Në libra nuk gjenim edhe shumë vepra që ai kishte bërë, por ato na i thoshte nëna.

 

 

Na thoshte se si e thirri Ismail Qemali për të lënë Janinën e për të ardhur në Vlorë, se si gjyshi ynë kishte marrë pjesë në të gjitha ngjarjet historike nga 1912 deri në vitin 1940;

 

 

se si Maliqi, megjithëse kundërshtar i pandreqshëm i Mbretit, ishte aq i aftë dhe aq i zoti, sa Zogu ia pati nevojën dhe e mbajti në punë.

 

 

se si ndihmoi shumë familje nga Skrapari për t’i sjellë e sistemuar në Myzeqe, në zonën e Libofshës…

 

 

se si gjyshi im sabotoi “dhuratën” që iu bë Musolinit me dy fshatrave të Myzeqesë, Zhelizhanit dhe Fier Sheganit, duke iu rikthyer këto dy fshatrave atyre që e kishin, fshatarëve”.

 

 

 

Duke rrëfyer më tej, Merita Shkupi, mbesa e Maliq Skraparit, kujton se në shtëpinë e gjyshes hynin e dilnin skraparllinj të dëgjuar. Nuk e braktisën kurrë gjyshen, edhe pse “na shikonin vëngër”, se burri i tezes, Ilmi.Hysi nga Vërzhezha ishte pushkatuar nga regjimi i kohës, megjithëse ishte i mirëshkolluar në Francë dhe u denua  pa asnjë akuzë.

 

 

 

Ishin po skraparllinjtë, thotë Shkupi, që propozuan që gjyshes t’i jepej pension patrioti, që t’i bënin vend në muzeun e rrethit, që e nderuan me titullin “Qytetar Nderi” të Skraparit.

 

 

Me vjen mirë që edhe shumë njerëz të shtypit e medias nga Skrapari janë marrë me figurën e gjyshit tim. Ndaj për të gjitha këto, por edhe për vlerat që keni, Skrapari ka një vend të veçantë në jetën time”, – mbyll letrën Merita Shkupi.

 

 

 

———————————–

 

 

Më poshtë po ribotojmë me shkurtime shkrimin për Maliq Vlusha Skrapari

 

 

 

Maliq Skrapari, intelektual i përmasave kombëtare, nëpunës i disa qeverive

 

Nga Hajri Nuhu

 

Më 27 dhjetor të vitit 1940 revista “Bujqësia” e asaj kohe, ndër të tjera, shkruan: “Me humbjen e Maliq Skraparit, Shqipëria humbi një element me vlerë që mori pjesë në themelimin e Shqipërisë më 1912. Skrapari humbi një jë njeri të ditur, me të cilin përfaqësohej denjësisht në shoqërinë shqiptare…Njeri me kulturë, inteligjent prej natyre, njohës i thellë i çështjeve të ekonomisë shqiptare, administrator i shquar”.

 

 

 

Nxënes i shkëlqyer i Selanikut e i Stambollit

 

 

Lindi në Vlushë në vitin 1884. Në fisin Sanxhaku. Mësimet e para i mori në Vlushë, ku u dallua si nxënës shumë i mirë. Vëllai i tij i madh, Adili ishte në Selanik, ai e mori vëllanë dhe regjistroi në shkollë e mesme bujqësore. Megjithë se mësimet zhvilloheshin në gjuhë të huaj për të, ai shkëlqeu dhe u dërgua me bursë në shkollën e lartë bujqësore “Hallkaly” të Stambollit.

 

 

Drejtor i vilajetit të Janinës

 

 

Megjithëse i ri në moshë, në vitin 1908 u emërua drejtor i bujqësisë në Vilajetin e Janinës…Në këtë qytet, ai u lidh me shoqëritë shqiptare aty.

 

 

Bashkë me Xhelal Koprënckën, që ishte aty me punë si ushtarak, lajmërohen nga Ismail Qemali dhe më 28 nentor të 1912-ës u gjendën të dy në Vlorë, duke braktisur bunën një herë e mirë.

 

 

 

Nëpunës i rrallë i disa qeverive

 

Ismail Qemali, që kishte qejf ta quante Maliq Skrapari, mbiemër që i mbeti më pas gjithë jetën, e emëron drejtor të Përgjithshëm të Bujqësisë, ndërsa në  vitin 1914, ai është inspektor i bujqësisë.

 

 

Duke dëgjuar për masakrat greke në Jug, kthëhet në Skrapar  dhe, në vitin 1916 ishte nëprefekt i vendlindjes së tij.

 

 

Qeveria austro-hungareze e emëron drejtor të pasurive të shtetit nga Shkumbini e poshtë. Qendra e tij ishte në Libofshë.

Në vitin 1919, në Zaloshnjë me iniciativën e tij dhe të Ali Koprënckës, Servet e Hysen Zaloshnjës, Riza Cerovës, Sali Butkës e Sinan Leshnjes krijohet Komiteti i Shpëtimit Kombëtar që luajti një rol të madh në mobilizimin e njerëzve kundër politikës përçarëse të kohës.

 

 

Në vitin 1920 ai mori pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës (Për këtë akt ai është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor më 31 gusht 1971).

 

 

Në Kongresin e Lushnjës, në  krahun demokratik

 

 

Në janar 1920 Skrapari ishte i lirë dhe skraparasit dhanë ndihmesën e tyre të vyer për Kongresin e Lushnjes. Ne të Maliqi është delegat i Skraparit.

 

 

Në vitin 1922, ai është përsëri drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve në Ministri, ndërsa në vitin 1923, drejtor i Përgjithshëm i Bujqësisë.

 

 

Në vitin 1923, ai zgjidhet bashkë me Ali Koprëncëkën anëtar për Asamblenë Kombërare. Ai lidhet me Fan Nolin, Bajram Currin, Avni Rustemin…

 

 

Është protagonist i zbatimit të reformës agrare dhe, me metër në dorë i bie “pashë më pashë” Myzeqesë. E pa të arsyeshme që në fushën që është sot Fieri, të ndërtohej një qytet. E vendosi vendin pa pyetur për kundërshtimet e Vrionasve. Këto ishin edhe arsyet që e pezulluan nga puna.

 

 

Në vitin 1924 marshon drejt Tiranës dhe punon pa u lodhur për zbatimin e programit të qeverisë së Nolit. Kur Zogu u rikthye ne pushte, si internim ai dergohet drejtor ferme në Lushnjë dhe në 1926 kthehet përsëri drejtori i Bujqësisë.

 

 

Në vitin 1928 emërohet sekretar i Përgjithshëm i Ekonomisë Kombëtare dhe qëndron në këtë detyrë deri në vitin 1934.

 

 

Fashizmi e la pa punë…

 

Në vitin 1934 ai nuk firmosi aktin me të cilin italianëve u krijohej mundësia të shfrytëzonin pyjet që nga Mamurrasi, ndaj edhe e nxorën në pension. Por falë aftësive që zotëronte si njohës i shkëlqyer i ekonomisë, ia kishin nevojën dhe u kujtuan përsëri për të  dhe e dërgojnë në Lushnjë si drejtor i pasurive të shtetit.

 

 

 

Pas ardhjes së Italisë fashiste, pikërisht në qershor 1939, pushohet nga puna me motivacionin “spastrim i administratës shtetërore…” Arsyeja. Ai nuk pranoi t’i jepeshin Muolinit fshatrat e Myzeqesë, Fier-Shegani dhe Zhelizhani si dhuratë nga drejtoria e pasurive të shtetit dhe dogji edhe dokumentet e huasë shtetërore që bujqit e varfër kishin marrë nga ajo drejtori.

 

 

U bë propagandist kundër pushtimit fashist deri sa mbylli sytë në Tiranë më 27 dhjetor 1940.

 

 

Mbeti deri në fund intelektual i përmasave kombëtare, por edhe si luftëtar e patriot i gjendur në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të kohës.

 

Merita Shkupi