Bredhi i Kuçit, një nga asetet natyrorë më të bukur dhe më të rrallë të Tomorricës
Sa del në Qafë të Dëvrisë, dallon si një njollë e gjelbër harte në gjithë atë hapësirë që të del përpara, ku duket pothuajse e gjithë lugina e Tomorricës me fshatrat radhë. Kjo njollë bën shumë kontrast në atë terren të aksidentuar nga fenomenet dhe inondatat natyrore që e kanë kthyer në bokërrima dhe rripa shkëmbore. Pikërisht në këtë vend shtrihet në një sipërfaqe prej 50 hektarësh një pyll i dendur bredhi, që në fund dhe anash bredhi shoqërohet edhe me ah, panjë, pishë, dëllinjë, lajthi etj.
Gjendet në reliev me lartësi 1160 – 1600 m mbi nivelin e detit. Ka klimë mesdhetare malore, ndërsa hidrografia përbëhet nga burime të vegjël me rrjedhje të pakta, më tepër të përkohshme, por me prurje të madhe të ngurtë.
Bredhi i Kuçit ka një zhvillim të mirë dhe bukuri të rrallë, me lartësi mesatare 20 m dhe maksimale 24 m; diametër mesatar të trungut 30 cm dhe maksimal 66 cm; me moshë mesatare 110 vjeçare dhe më e vjetra 160 vjeçare.
Fauna përfaqësohet nga ariu, ujku, kaprolli, dhelpra, ketri, lepuri i egër, thëllëza e malit, shqiponja, etj.
Midis pyllit ka 5 ha tokë bujqësore dhe ngastra me livadhe, që mbizotërohen nga bimësia barishtore e llojit graminor.
Vegjetacioni i dendur, pozicioni posht malit, me korente erërash të luginës dhe sipër të stoçenit në dimër, krijojnë një mikroklimë të freskët dhe të shëndetshëme, që, po t’i shtosh cicërimat e zogjve dhe gurgullimën e përrenjve të vegjël, mund ta quash një cep parajse përrallore natyrore.
Por fatkeqësisht, ky monument natyre me vlera shkencore, peizazhiste, ekonomike dhe turistike, 31km larg Çorovodës është pak i vizitueshëm për mungesën e infrastrukturës rrugore.
Teqeja e Kuçit
Posht pyllit ndodhet fshat Kuç, dikur shumë i zhvilluar, tani i zhytur në fatin e tij të cunguar e zvogëluar, si gjithë fshatrat e tjerë të Tomorricës.
Në Kuç është edhe teqeja bektashiane, dikur e famshme dhe shumë e frekuentuar, ndërsa sot e rindërtuar me përmasa më të vogla, gjithësi e shenjtë dhe historike.