Një Mirënjohje e veçantë, për Njeriun e veçantë!…
Dëfrim Met’hasani
Kjo e enjte e 31 tetorit ishte krejt ndryshe për mua.
Takova pas 26 vitesh ish – drejtorin e Përgjithshëm të RTSH, Sefedin Çela. I dorëzova një “Mirënjohje” për mbështetjen që më dha në ato vite.
Një “Mirënjohje” të veçantë, sepse pa i thënë askush, as parti, as mik, as shok, as shoqatë, vetëm duke respektuar punën që kisha bërë gjashtë vite me radhë, zyrtarizoi emrin tim nga bashkëpunëtor, në gazetar të brendshëm në këtë institucion të rëndësishëm mediatik, asokohe i vetmi në vend, ku vazhdoj edhe sot të punoj.
Përmes lotësh Sefa më falenderoi dhe më tha që ndijhej tejet i emocionuar për gjestin dhe mos harresën, ku përmes modestisë që e ka tipar të tij, mu shpreh se nuk më ka bërë nder mua, por punës dhe ekranit.
Njerëz të tillë i duhen shoqërisë dhe institucioneve, si Sefedin Çela, për të shkuar haka te i zoti dhe për t’i dhënë punës njeriun dhe jo njeriut punë.
Edhe njëherë faleminderit, o njeri i mirë. Tani që nuk je titullar dhe që je në pension, të dua dhe të çmoj më shumë, sepse gjurmët e tua dhe puna juaj, vlejnë të nderohen në çdo kohë…
Paç jetën e gjatë dhe e mbajtsh me nder këtë vlerësim, natyrisht jo institucional, por individual, por që flet shumë për vlerat e tua.