Aqif Ylli / Një tjetër yll i ndritshëm i familjes “dinastike” të Yllajve të Leshnjes
Historia e familjes dinastike të Yllajve të Leshnjes të Skraparit, është histori e atyre dyerve të mëdha e fisnike që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tyre ia kushtuan lirisë dhe pavarësisë, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të dukshëm patriotik në tërë zonën e Skraparit, Korçës, Kolonjës, Beratit dhe të gjithë Shqipërisë.
Ajo nis nga “Plaku”, Sinan Ylli (Leshnja) me të vëllezërit dhe më pas edhe me djemtë, nipërit dhe mbesat e kësaj shtëpie.
Vllazëria Ylli
Dihet dhe njihet nga të gjithë që Kahreman Ylli, djali i madh i “Plakut”, ishte një ndër figurat më të ndritura të Luftës në qarkun e Beratit, si komisar i Qarkorit, por edhe pas çlirimit si një njeri me kontribut të veçantë në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës shqiptare.
Dihet dhe njihet gjithashtu se pas Kahremanit, hodhën pushkën në krah dhe u radhitën në rreshtat partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare edhe vëllezërit e tij, Aqifi, Kastrioti, djali i xhaxhait, Vigani, ndërsa Vera me Fetanenë u aktivizuan, njëra me rininë dhe tjetra me gruan antifashiste.
Aqif Ylli, Parashqevi Ylli dhe Izet Dyrmishi
Ndërsa nis të shkruash për këtë familje dhe kontributin e saj patriotik, e ke të vështirë të bësh dallime dhe të veçosh njërin nga tjetri, pasi kanë “një prereje”, një mendje, një zemër.
Po provojmë me këtë rast të veçojmë njërin prej tyre, Aqif Yllin.
Aqifi lindi në Leshnje të Skraparit në familjen e madhe të Yllajve. Ndërroi jetë më 12 janar të vitit 2012.
Që i vogël, siç thamë edhe më lartë, u rreshtua krahas vëllezërve të tjerë të tij, Kahremanit, Kastriotit, Viganit, Verës, dhe Fetanesë, në formacionet partizane.
Brahim Braho dhe Aqif Ylli
Mbas çirimit Aqifi shërbeu në shumë reparte ushtarake duke filluar nga komisar i Regjimentit të Artilerisë në Elbasan, deri në detyrën e komisarit të Korpusit të Korçës.
Në vitin 1974 ai nisi detyrën e shefit të Degës Ushtarake në Durrës.
Aqifi ishte një njeri tepër i veçantë si karakter, komunikues dhe popullor me njerëzit e thjeshtë, oficerët dhe ushtarët, deri edhe te fëmijët që takonte në rrugë, i dashur dhe i respektuar me të gjithë dhe nga të gjithë, me një natyrë dhe pamje gazmore, që, me buzëqeshjen e tij karakteristike, përhapte dritë dhe pozivitet në mjedisin ku ndodhej.
Aqif Ylli, Dritero Agolli dhe Brahim Braho në Pogradec ku rrinin shpesh bashkë
U martua me Lirinë, një partizane trime delvinjote, me të cilën lindën Anidën, Mimozën, Danin dhe Ardianin, të gjithë me arsim të lartë, të gjithë të suksesshëm në jetë, të gjithë me miq dhe shokë të shumtë, të gjithë me gjurmë të thella pune të ndershme dhe të përkushtuar kudo që u ka rënë rasti të punojnë dhe të kontribuojnë.
Pas daljes në pension, si një ushtarak rreshti, u bashkua me bashkëluftëtarë të tjerë dhe militoi fuqishëm në Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it, si anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ dhe anëtar i Kryesisë së Veteranëve të LANÇ-it të Durrësit.
Ai qe një veprimtar i shquar në Durrës dhe i përket asaj kohe të një aradhe kuadrosh dhe ish-luftëtarësh skraparllinj që shkëlqyen dhe rrezatuan me punën dhe shembullin e tyre si Brahim Braho, Hajri Shehu, Qemal Mançe, Qemal Hate, Sabri Sevrani, Teki Malindi, Njazi Braçaj e shumë e shumë të tjerë, që durrësakët e asaj kohe betoheshin dhe “linin kokën” për ta, duke i respektuar në maksimum, si në asnjë rreth dhe në asnjë vend tjetër. (Orakujt e Tomorrit)
Në Pogradec me Dritero dhe Sadije Agollin