Kur njëri i bje trojkës dhe tjetri këmborës: Përgjysmë…edhe Baba Mondin?!…

Kur njëri i bje trojkës dhe tjetri këmborës: Përgjysmë…edhe Baba Mondin?!…

 

 Dy ditë më parë nga njëra palë e shoqatës atdhetare e kulturore “Tomorri” u nderua edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmondi.

 

 

Bukur, edhe pse një pjesë mund ta anatemojnë!…

 

 

Për saktësi, shoqata është ndarë ne dy pjesë: Në krye janë dy miqtë e mi, Engjëll Musai dhe Ramis Hamzollari.

 

 

Që në krye të herës, personalisht, nuk kam asgjë me ta.

 

 

 

Nga veprimtaria në Akademinë e Shkencave e shoqatës “Tomorri” A

 

Të kthehemi tek ideja e shkrimit. Pak kohë më parë pala tjetër, E Ramizit, i drejtohet me një letër bashkëpunimi e partneriteti Kryegjyshatës Botërore. Më saktë Baba Mondit dhe, më sakt fare, Nuri Çunit që merret me këto punë në kupolën bektashiane.

 

 

 

Dhe Nuri Çuni nuk e njeh “pjesën e letrës”, se është kryetar i Këshillit Kombëtar në pjesën tjetër, të Engjëll Musait.

 

 

Nuk e kuptova atë letër, se në fund të fundit ne jemi një shoqatë kulturore, një bashkësi ku ka nga ata që nuk besojnë, po ka edhe njerëz të besimeve të tjera.

 

 

Në fakt na lidh me Kryegjyshatën atdhetarizmi, por edhe bashkimi. Edhe ne e kemi ftuar Baba Mondin në Durrës në veprimtaritë për Baba Meleq Staraveckën e Dervish Abedin Spatharën etj.

 

 

Ndërsa dje, prapë nuk ishim bashkë në këtë vlerësim. Përgjysmë edhe dje. Pra, vlerësimi i kryegjyshit ishte jo nga të tërë.

 

I takon grupit tjetër që, ose t’i japë një tjetër dekoratë Baba Mondit, ose Kryegjyshata duhet të kthejë përgjigje me shkrim dhe t’i vërë “vizë” bashkëpunimit me “shoqatën tjetër”. Larg qoftë sikur të marrin “pushtetin” e t’i heqin dekoratën!

 

 

Në fakt Baba Mondi mund të ishte një figurë përbashkuese dhe veprimtaria mund të bëhej e tillë. Vetë ai mund të thoshte:

 

“Pa dale, se po më bëni një nder. Po këta të tjerët që kërkojnë bashkëpunim? Çfarë janë këta “lanetër” se qënka e njëjta krahinë, i njëjti mal, e njëjta shoqatë, e njëjta logo, vetëm firma e kryetarëve dhe sekretarëve ndryshuaka!”

 

 

Po në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë: Nga veprimtaria e shoqatës “Tomorri” B në Përmet

 

Ndërsa njëra palë mblidhet në Akademinë e Shkencave, tjetra palë në të njëjtën orë ishte në Përmet dhe themelonte degën!… (Shumë mirë bëri,p or kam frikë se së shpejti do të shkojë grupi tjetër për të ngritur edhe ai degë(!). Kuku, nane, kur thonë veriorët!…Se kështu vajti puna.

 

 

Të dyja shoqatat kanë një kryetar nderi, të madhin Xhevahir Spahiu. Njëra palë e thërret dhe e vë në presidium, tjera e zgjedh në “unanimitet” në krye të shoqatës; njëra palë e thërret në një festë, tjetra arrin të bëjë foto qoftë edhe në ndonjë shesh dhe i shpreh besnikërinë edhe për pesë vjet të tjera!!!.

 

Njëra palë e thërret në festën e 25-vjetorit të shoqatës, tjetra i bje tamburasë në anën tjetër…O zot!

 

 

Dhe ajo festë përgjysmë, se mungonin një pjesë e themeluesve, por edhe kontribuesve, nuk ishin ftuar “tradhtarët” që i bënë me frymë, me zë, me gazetë!…

 

Nuk ishin të gjithë se edhe në shoqatë, si në Parti, kemi shpikur “tradhtarë”(!!!).

 

 

Jo miq, ne mund të mendojmë ndryshe, por në raste të tilla bëhet apel. Pastaj secili e di vetë.

 

 

Dhe kujdes me Xhevon (që në këtë festë i bëtë ca foto Tik-toku dhe e logoritët me bejte). Xhevo është mal, kujdes me të! Ai të zë nën të! Ai është Tomorri dhe bubullin e jehon për të gjithë.

 

 

Kështu edhe me Prof.dr. Ajli Alushanin. Të dy shoqatat e kanë zgjedhur, në kryesi e kryetar nderi (!!!).

 

 

Njëra palë mban emrin e ansamblit Demir Zyko. Mirë bën se e meriton, por i biri tij është sekretar tek pala tjetër(!!!). Mirë që është, po nuk dëgjon dot këngët e të madhit Demir se nuk mund të shkojë tek pala tjetër.

 

 

Ndërsa nëpër rrethe kemi nga dy degë dhe çudia është se nëse njëra palë ka zgjedhur dikë sekretar dege, pala tjetër e ka nënkryetar ose anëtar kryesie(!!!). Kryetari i njërës palë në Skrapar është anëtar kryesie në palë tjetër. Një palë pëlqen folkun (dhe mirë bën se shoqata duhet të ruajë traditat), tjera turbofolkun.

 

 

Edhe këngëtarët e trevës tomorriane “më dysh” sipas palëve. Njëra palë shkon e bekon shoqatën në Tomorr, tjera lokaleve të Tiranës, njëra mbledh Këshillin Drejtues, tjera Këshillin Kombëtar. Të dyja hartojnë strategji afatgjata (gati 8 muaj nga zgjedhjet ikën).

 

 

Aktivitete nuk janë mbledhjet (përjashtohet aktiviteti i djeshëm).

 

 

Të dyja thanë do të bëjmë gazetë, askush nuk bëri gjë.

 

 

Të dyja shkuan në gjykatë, të dyja kanë vulë e statut, njëra pretendon se është më e vjetër, tjera është më e re.

 

 

Të dyja pretendojnë fronin apo kalin e bardhë. Po Ali Pashai nuk “duket” që t’ju afrojë një tjetër.

 

 

Nuk e di si mund të shkojmë përpara drejt një bashkimi, kur njëri I bje trojkës dhe tjetri këmborës. Më thonë që kjo nuk arrihet se “shpatat janë kalitur me politikë”, por unë nuk e besoj.

 

 

Dega e Durrësit ka vazhduar jetën e punën. Pas shumë përpjekjesh edhe me mbështetjen e Bashkisë së Skraparit e çuam Mestan Ujanikun ku i takonte vendi,në Muzeun e Skraparit, përmes një veprimtarie mbresëlënëse.

 

 

Me parë ishim protagonistë në veprimtarinë për nder të Izet Dyrmishit.

Ditë më parë nderuam mësuesin e sportistin veteran Xhevdet Shallarin,se shpejti një veprimtari tjetër na pret.

 

 

Ne bëjmë pak mbledhje, por punojmë, vlerësojmë e nderojmë vlera të asaj treve. Kështu që as më shumë e as më pak na lini të punojmë,të bëjmë gjëra të mira. Pa u ndarë përgjysmë.

 

 

Kërkojmë nga të dy palët jo thjesht e vetëm të sqarojnë statusin e tanishëm të shoqatave, por të ulin armët, të gjejnë një mënyrë të bashkohen. Nuk e meritojnë skraparllinjtë këtë përçarje.

 

 

Kështu si jemi jemi shoqatë e vogël me një emër të madh. Edhe sikur gjykata t’i thotë dikujt “t’i vazhdo, se ti ke vulën!” Edhe sikur t’i thotë tjetrit: “ Ndal, se nuk ka dy shoqata me një emër, me një vulë, me një statut”!

Se pastaj vjen e të kujtohet ajo historia e “dy Kamberëve”.

 

Shoqata, edhe sikur njëra të ketë më shumë anëtarë e tjetra më pak, është frymë. Dhe fryma e bashkimit “vdiq” qëkur dikush e ideoi përcarjen.

 

 

Dikush në ceremoni u shpreh se “na mjafton kjo shoqatë”. Në rregull, por jo në dy pjesë. Se shkon dikush e regjistron shoqatën me një emër tjetër.

 

Por Tomorri bashkon dhe nuk ndan.

 

 

Gjithësesi pas disa ditësh do të mbledhim strukturat e do të vendosim. Janë ato që duhet të flasin. Unë jam një.

 

 

Dhe sikur të isha në krye “kupolës” në emër të misionit të shoqatës do të veproja ndryshe nga miqtë e mi për të cilët po apeloj me dashmirësi.

 

 

Ndaj kërkojmë reflektim nga ju.Ta ringjallim bashkimin mes nesh.

 

 

 

Hajri Nuhu,

 

Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri|”, dega Durrës