Orakujt e Tomorrit | Poezia e Silvana (Kapxhiut) Dyrmishi, poezi që del nga galeritë e thella të një shpirti të ndjeshëm

Poezia e Silvana (Kapxhiut) Dyrmishi, poezi që del nga galeritë e thella të një shpirti të ndjeshëm

Poezia e Silvana (Kapxhiut) Dyrmishi, poezi që del nga galeritë e thella të një shpirti të ndjeshëm

 

E domosdoshëme njohja, prezantimi:

 

Silvana Kapxhiu është vajza e mikut tim, një personaliteti të njohur të letrave dhe të humorit të Skraparit, Iljaz Kapxhiu.

 

 

U gëzova dhe u entusiazmova kur mora vesh që ajo kishte botuar një libër me poezi. Menjëherë  m’u kujtua ajo fjala e artë popullore, e përdorur më shpesh në Skrapar, se “dardha bje nën dardhë”.  Fakt, që Silvana nuk e ka zënë kurrë në gojë, por është e bija e “kujt është”, e një njeriu legjendë i kësaj  krahine të varfër, por historike, krenare dhe të kulturuar, siç është Skrapari.

 

 

Ajo, pasi mbaroi gjimnazin e “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës, mbaroi shkollën profesionale për laborante. Ka vite që punon dhe kontribuon dukshëm në qendrën shëndetësore të Çorovodës, në laboratorin e këtij rrethi.

 

 

Krahas punës, profesionit, familjes, Silvana vazhdimisht ka pasur edhe interesa të tjera, siç është në rastin tonë, letësia. Të rrethoheshe prej një biblioteke që mbulonte katër muret e shtëpisë, dhe të kishe një baba të tillë, që ngrysej dhe gdhihej mbi letra, natyrisht do të bëheshe dikush. Se sa do të bëheshe, varet nga natyra, por që do të bëheshe…

 

 

Dhe Silvana u bë që të dalë me një libër dinjitoz, siç është libri me poezi “Poezitë flinin në shpirt”, me redaktor Ilir J. Hoxha.

 

 

Libri i Silvanës është pasqyrë e asaj që ajo ka ndjerë, kurë  thotë “poezitë flinin në shpirt”. A  nuk është njëlloj edhe ajo që thotë  Xhevahir Spahiur “poezi të pjekura në saçin e një jete”!

 

 

Poetët janë njëlloj, vuajnë njëlloj, qajnë dhe qeshin njëlloj dhe, kur vjen fundi, shprehen figurshëm njëlloj!

 

Kështu ka ndodhur edhe me Silvanën. Poezia është pjekur brenda shpirtit të saj , si në “saçin e Xhevos” me të gjithë elementët e saj, me stilin, figurat, metaforat letrare , me temat dhe subjektet, me personifikimet dhe simbolikat, ç’ka e bëjnë atë të lexueshme dhe të dashur për të gjithë publikun.

 

Ajo ka një stil të thjeshtë, të bukur të shkruari, shumë të pasur me figura letrare, por edhe  një gjuhë të pastër dhe të pasur letrare, që është aq afër të folurit autokton të Skraparit.

Tematika e poezive të Silvanës, është tema e ditës, shqetësimi aktual shqiptar, i kalimit midis dy sistemeve, një kalim jo i thjeshtë, por me dhimbje, me probleme të mëdha.

 

Nuk mungojnë në libër edhe temat e dashurisë njerëzore,  e asaj që njerëzit gjejnë forca për të kaluar vështirësitë, sado të mëdha dhe të dhimbshme të jenë ato, siç edhe i ka ndodhur edhe vetë Silvanës me humbje të medha jetësh në familen e saj.

 

 

Më bëhet qejfi që Silvana ka gjetur një shteg të bukur jete, siç është letërsia, pasi aty ajo shpalos jo vetëm  dhimbje dhe helm, por pozivitet dhe dritë jete dhe zhvillimi, që janë mesazhe për një shoqëri të tërë të ndodhur në një udhëkryq historik siç është realiteti shqiptar. (“Orakujt e Tomorrit”)

 

 

 

Nuk humbet fjala e shkruar

 

 

Mbi librin tënd ende të pa botuar

Me dorën tënde vure një shënim

Që veç unë e kam lexuar,

I shtrenjti baba e shoku im

 

***

 

Fjala e hedhur në ajër s’ka vlerë,

Shpesh, kur flisnim bashkë, më thoshe,

Po ti fjalën e derdhe në shkronjë

E pavdekshme mbeti fjala jote

 

 

Një ëndërr me ty

 

Kujtimit të tim eti

 

 

Në ëndërr më shfaqet imazhi yt,

I heshtur vjen dhe pi duhan,

Ndjej erën e tymit nëpër shtëpi,

Buzët e tya rrufisin kafenë,

E mbetur përgjysmë

          mëngjesin që ike…

 

 

 

Vaji i Qyqes

 

 

Kur zogjtë mblidhen natën në fole,

Ti zgjuar je e këngën nis në terr

Këndon a qan, o qyqe, ti e di,

Mos vallë ti natës  dhimbjet i përciell!?

 

 

Mos edhe ti ke ndjerë dhimbjet e humbjes

Dhe vajin tënd si unë dot s’ndalon

Se dhimbja veç për një çast largohet

E kthehet prapë te ty e shpirtin ta kafshon.

 

 

Mes degësh fshihesh kur vajton,

Larg prej syve që s’do të të shikojnë,

Por “ku-ku” – ja e zërit tënd përhapet nëpër natë,

Dhe kënga jote me vajtim të drithëron.

 

 

Dhe motra qan si qyqe për vëllanë,

Vajton për të që iku në lule të jetës,

E s’mblidhet në fole me zogjtë e tij,

Çdo ditë për kujtimet e ngacmojnë,

Ndaj si ti, nuk e ndal dot vajin e dhimbjes.

 

20.02.2022