Yllka Mamaqi

Yllka Mamaqi

 

Sefedin Çela

 

Me kalimin e viteve njeriu, nëse ka ende një zemër, sigurisht, zë e “paguan” për bëmat e rinisë, e merr malli, ka pengje, ka edhe ndonjë borxh moral për të kthyer. Borxhi moral në ditët e sotme duket si një ornament i zhvlerësuar, po për të tjerë, përfshi dhe veten time, është një barrë e rënde për të cilën do t’i fshihesha dhe Zotit deri sa ta hiqja nga shpina. Në këtë moshën time ndihesh sikur çdo ditë je para një pasqyre; jo për t’u parë por për të gjykuar veten.

 

 

Mblodha e vura para gjithë fotot e bëra në vite, me gruan time të ndjere, Vasilikën, pa te cilën nuk po mësohem dot, me miq e kolegë të punës. Kujtesa e një jete, një pasqyre tjetër gjykimi. Më mbetën sytë e mendja në njërën prej tyre: Vitet ’70, Allias, punë në prodhim, në brendësi të një sere, duke pozuar Petro Dhimitri, unë, brigadieri i sektorit, Yllka Mamaqi dhe Kozma Skarco, kolegë në të njëjtën gazete. Të qetë, gati të qeshur, të kënaqur me atë që bënim atë ditë, jo gazetarin, po punëtorin e krahut! Asnjë çudi, asnjë ironi. Besonim se ajo që bënim ishte një e mirë për ne, një e mirë për shoqërinë.

 

 

Sytë e mendja më mbetën te kjo foto se ylli i saj, Yllka, nuk gjendet më në fotot e mia të mëvonshme, as në fotot e kolegëve. Një ditë Yllka u këput, ra e u dogj si një kometë…

 

 

Një pasdite më të rinjtë e redaksisë u gjendën bashkë në një zyrë: mbledhje rinie. E dija që kishte një organizate partie që funksiononte, dija që kishte mjaft të rinj, midis të cilëve edhe unë, po nuk dija se kishte organizatë rinie, se nuk ishim mbledhur asnjëherë më parë.

 

 

Tematika: Diskutim mbi qendrimin ndaj koleges Yllka Mamaqi e sjelljen e saj në raport me të atin, tashmë i dënuar nga partia! Yllka, ulur në një cep, krejtësisht e dërrmuar, krejtësisht e hutuar. Babai im, po është dënuar, po ai… unë jam ajo si me dini ju… – fliste e përhumbur, si nga një planet tjetër.

 

 

Mëngjeseve, me një filxhan çaji a kafeje turke të përgatitura në zyrë, bisedohej lirshëm, bëheshin qyfyre e tregoheshin barsoleta që të mbaje barkun me dorë. Në një nga këto mëngjese dimri Yllka tha se sapo kishte ngrënë një pjatë të mirë me trahana e ngrohtësinë e shijen e saj e ndjente akoma…

 

 

Për një çast ra heshtja. Dikush shpotiti nën buzë. Medemek, kjo e thjeshta po na thoshte që në familjen e saj i vinte radha të hahej trahana. Mos, vallë, Hasan Zyko Kamberi bejten “Dritë kush gjeti trahananë” e kishte bërë për të parët e familjes Mamaqi? Nuk u shpreh kush me fjalë kështu, po mua m’u duk se kështu tingëlloi. Yllka u skuq, e ndjeu se sinqeriteti i saj u keqkuptua.

 

 

Yllka punonte në sektorin e Jashtëm të gazetës, me gazetarë të njohur si Napoleon Roshi, Agim Korbi e Genci Resuli. Ne lexonim shkrimet e njëri-tjetrit e diskutonim për to duke vizituar dhe zyrat përkatëse. E kisha vënë re se ata e donin dhe e respektonin Yllkën, sidomos për thjeshtësinë e saj, që i rrinte mirë si një fustan i prerë bukur, për korrektësinë e disiplinën.

 

 

Fillova të tregoj për trahananë me një qejf të madh sikur edhe unë ta kisha provuar atë mëngjes, sesi nëna ime merrte një rrip pastërmaje të thatë qengji, e priste në copa të vogla si kubikë, e përziente me tre lugë trahana, me dy lugë gjalpë të tretur, i fërgonte deri sa trahanaja zverdhej, pastaj i hidhte ujë të nxehtë, duke e trazuar vazhdimisht me lugë druri, e linte në zjarr deri sa fillonte të trashej… Para se të servirej i hidhte përsipër copa djathi, arra të shtypura e një lugë tjetër gjalpë i nxehtë me pak piper të kuq pluhur e aroma e trahanasë e gjalpit të skuqur dilte nga kuzhina, ngjiste e zbriste shkallët e hynte deri në dhomën ku unë akoma flija…

 

 

-Vë bast që po kapërdiheni me gojën të lëngëzuar. Ne jemi nga një anë me Yllkën e me siguri kjo ka ndonjë gjyshe që e qan trahananë më mirë se ime ëmë!

 

 

Mendova atëherë se kisha ligjëruar për trahananë më mirë se H. Z. Kamberi, po ai mbeti në historinë e letërsisë shqipe se e kishte thënë i pari, ndërsa unë e bëra për të nxjerrë nga sikleti Yllkën e mirë nga disa fakirë që as nuk dinin ç’është një trahana për të qenë…

 

 

Po tani po flitej për tjetër gjë; nuk ishte “mahana për trahana”.

 

 

Unë thashë se nuk di asgjë të keqe për Yllkën, se ajo punon në Sektorin e Jashtëm e ata nuk kanë sjellë ndonjë vërejtje për të, se kam një shkrim për numrin e nesërm e më duhet të largohem.

 

 

Unë mbajta një ligjëratë të tërë për trahananë, kurse tani bëra një alibi për të ikur që, kur të ndodhte e keqja, t’i thosha vetes se unë nuk isha aty…

 

 

Pata bërë me dhjetëra shkrime kritike, për shfaqje të prepotencës, arrogancës, burokracisë, shkeljes së ligjit nga njerëz me pushtet, me të cilët shpesh ballafaqimet për shkrimin vazhdonin me javë, por, si unë reflektoj sot, ato fshikullonin individë, nuk preknin vijën. Në këtë rast, në fakt, unë heshta. Si dhe të tjerët. Heshtëm!

 

 

Si edhe ne, Yllka kishte qenë në punë fizike, në aksione për ndërtimin e hekurudhave, të gjithë ishim krenarë për atë që kishim bërë, kishim derdhur djersë, kishim ndërtuar e jo prishur. Asgjë më pak e me keq se unë nuk kishte bërë Yllka.

 

 

Të nesërmen ajo s’erdhi në punë, as të pasnesërmen. Dite më vonë u mor vesh se kishte përfunduar në Burrel si punëtore në fermë…

 

 

Kisha bërë shkrime kritike po nuk kam qenë asnjë ditë disident, nuk kam shkelur kurrë vijën e kuqe e kam respektuar vijat e bardha. Unë heshta për Yllkën kur duhet të flisja, po edhe atëherë. edhe tani pyes veten: nëse mund të vuash sëmundjen e nënës a të babait, të transmetuar gjenetikisht, çështje adn-je, si është e mundur që një gabim, faj a krim të babait ta vuajë biri a bija a fisi? Fajin e vuan ai që e bën; e thotë edhe Krishti, edhe Muhameti, edhe Marksi vetë.

 

 

…Nga recepsioni më njoftuan se në hollin e TVSH dikush më priste. Ishte gjysma e parë e viteve ’90. Dola menjëherë, eca shpejt në korridorin e gjatë; në holl po kërkoja me sy.

 

-Më mban mend mua?

 

 

Ishte Yllka. M’u veshën sytë, po nuk guxova ta përqafoj, as t’i ofroj një kafe, po dorën harruam t’ia lëshojmë njeri-tjetrit.

 

-A mund të më bësh një nder? Nuk gjendet asnjë dokument arkivor i gazetës “Bashkimi’. A mund të më japësh një deklaratë për vitet e punës në atë redaksi? Për mua është e rëndësishme, pasi të ardhurat e mia…

 

-Si jo, moj Yllka, vetëm se unë… E di? …U gëzova që të pashë…

 

Në gjysmën e parë të janarit të këtij viti atë foton ku më mbetën sytë e mendja e postova në fb. Yllka dërgoi menjëherë mesazh. Besoj se kam mirëkuptimin e saj ta citoj:

 

“Dua të të falënderoj. Sapo e pashë foton u entuziazmova shumë. Sa të rinj, sa të gëzuar. Nuk dua të kujtoj më vitet e zymta. Faleminderit që më bëre të qesh”!

 

 

Një zemër e madhe njeriu e gjitha te një yllkë si në përralla.

 

Unë sot bëhem 68 vjeç, vaji i kandilit tim është duke u sosur, dua të jem gati për ditën e fundit pa barrën e borxhit moral që më rëndon prej vitesh: të kërkoj ndjesë, Yllka! Nuk është kurrë vonë të guxosh të shohësh tjetrin në sy.

 

 

Sikur edhe një ditë jetë të kesh ia vlen të përpiqesh për t’u bërë më i mirë, të mposhtësh frikërat, të mundësh veten. E di, edhe po të mos heshtja unë, fati yt nuk do të ndryshonte, po kur njeriu hesht ndërsa i duhet të bërtasë, ai përditë vdes nga pak, kur heshtin të gjithë, vdes përditë nga pak gjithë shoqëria.

 

 

Them se edhe sot, kur kemi lejen me pashë për të hapur gojën e heshtim e lëmë të llapin nën emrin tonë ata që shpërdorojnë votën tonë, apo më keq, ata që i kemi sikterisur me votën tonë, heshtim duke parë të keqen të na brejë si mole, ne vdesim përditë nga pak të gjithë, vrasim përditë lirinë tonë, vrasim besimin për nesër.

 

 

Unë besoj te mirësia e urtësia njerëzore për të qenë syçelët; lirinë e meritojnë ata që luftojnë për të!

 

18 shkurt 2015