Yzedin Hima, profesori, mësuesi, studiuesi…
Yzedin Hima, mësues dhe studiues me gradën shkencore doktor i shkencave letraro-historike, lindi më 25 dhjetor 1955 në fshatin Rehovë të Beratit.
Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë, dega Letërsi. Ka punuar në shkolla të ndryshme të Beratit: Në vitin 1989 – 1992 punoi si specialist në Drejtorinë Arsimore të Beratit; në vitet 1992 – 1996, drejtor i Qendrës Kulturore Berat; në vitin 1997, drejtor i Drejtorisë Arsimore Berat.
Nga viti 1997 deri në vitin 2005, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Berat. Më tej, mësues në shkolla private dhe shumë aktiv në shtypin letrar.
Në Berat, një nga intelektualët më në zë dhe më të njohur.
Është autor i disa librave me kritikë letrare, poezi, publicistikë, përkthime etj. Një nga studimet më të mira është libri “Vexhi Buharaja pa mjegull”.
O turp! Ku e ke skuqjen!…
Ja ç’ka thënë Yzedin Hima para disa vitesh kur ka marrë gradën shkencore doktor i shkencave:
Kur mendon se si e kanë fituar gradën shkencore “doktor” në fusha të ndryshme të shkencave, bijat, bijtë, mbesat, nuset e djemve, pjesëtarë të fisit të profesorëve të kalçifikuar në universitetet shtetërore dhe ato private, të lind pyetja: Po unë ç’dua në atë turmë?!
Disa, paturpësisht, edhe kur u kapën me presh në duar, apo me duar në preshë, me plagjiatura të vërtetuara, nuk e bënë qejfin qeder. Askush nuk i thirri për të dorëzuar gradat shkencore të vjedhura, me të cilat janë ngjitur në katedrat e universiteteve, kanë mbërthyer poste në drejtimin e tyre.
– O turp, ku e ke skuqjen! – thotë Shekspiri.
Të gjitha këto m’u kujtuan sot, kur u shfaq kjo foto në ditën e marrjes së certifikatës ” doktor në studimet letrare” në Institutin Albanologjik të Tiranës, shumë vite më parë.
Tema e mbrojtur ” Letërsia e penguar dhe mitet e saj” u botua nga ISKK, Tiranë, me miratimin e Bordit Drejtues të këtij institucioni, pas recensioneve me shkrim të anëtarëve të Këshillit Shkencor të ISKK- së.
“Orakujt e Tomorrit” të urojnë për vërtetësinë, ndershmërinë dhe skrupulozitetin tënd shkëncor, Yzedin, vlera intelektuale që të bëjnë një Profesor me “P” të madhe!
Shëndet dhe bollëk krijues!…