Belul Kryemadhi: Ju kujtoj ushtrinë e dikurshme!…
Belul Kryemadhi
Çorovodë, data 12 dhjetor i vitit 1968.
Pranë degës ushtarake të qytetit makina priste e parkuar në fund të sheshit. Oficeri thërriste emrat, kurse rekrutët kokëqethur hipnin një e nga një në makinë.
-Belul Kryemadhi! – Këtu! – u përgjigja, dhe hipa lart në makinë.
-Esat Hajdari (nga Greva)! – Këtu? – Hip lart!
Bashkim Hysi (nga Gurrazezi)! – Këtu? – Hip lart!
Nuri Beqiri (nga Duncka)! – Këtu? – Hip lart!
E kështu të tjerët me radhë…
Kur hipi i fundit, oficeri me një uniformë të bukur, por edhe pak të egër, nuk e di në se me të vërtetë ishte ashtu apo na dukej neve për momentin.
-Gati, djema, – tha oficeri dhe hyri brënda në kabinë së bashku me shoferin. Në dorë mbante një letër të bardhë të palosur në dysh.
Qielli ishte i vrënjtur, e binte një vesë e hollë shiu. Makina “Zil” ushtarake, e mbuluar nga sipër me mushama, u nis, rrotat llapaçiteshin në për pellgjet e mbushura me ujë. Shoferi i mëshoi pedalit të gazit, motori gumzhiu rëndë, më pas makina la qytetin e mori poshtë në drejtim të rrjedhës të lumit Osum, në drejtim të Beratit.
Rekrutët ishin ulur disa në për stola, disa të tjerë rrinin në këmbë, duke u mbajtur pas hekurave të mbulesës me mushama shiu të makinës.
-Ku do na çojnë vallë?-pyeti një nga rekrutët.
-A nuke e ke marr vesh akoma ti? – i tha një tjetër!
-Në Elbasan do vemi – i u përgjegja unë.
– E di mire, – pyeti ai
-Po e dëgjova kur po bisedonte shefi i degës me këtë oficerin që na mori ne.
Makina ecte në për rrugën e shtruar me zhavor, e në shumë vënde me kalldrëm, ne herë rrinim ulur, e herë çoheshim në këmbë nga qe rruga ishte e pa shtruar mire dhe me gropa të mbadha.
Kur mbërritëm në fshatin Vërtop, nga që rruga ishte e asfaltuarë makina e shtoi shpejtësinë, kaluam Beratin dhe Lushnjen. Kur makina mori kthesen në Rrogozhinë për në drejtim të Elbasanit gati po perëndonte dielli. Kur ne mbërritëm në Elbasan, dikush pyeti, ku jemi këtu? – Mbërritëm, – i thashë unë. –Ku? – pyeti ai pyeti ai. Në Elbasan. Makina ndaloi brënda në sheshin e repartit Nr. 9856, i cili ishte te Ura e Shkumbinit.
Ishte bërë natë, pas një dushi me ujë të vakur, ne veshëm rrobat me uniformat ushtarake. Sa e vështirë na dukej, nuk po njihnim njëri-tjetrin, vetëm se thërritnim në emër. Atë natë fjetëm me ankthin se ku do na çonin ditën e dytë, dhe se sa vite ushtri do të bënim.
* * *
Ditën tjetër na rreshtuan, dhe siç dukemi në këtë foto në këtë grup, na komunikuan se ne do shërbenim për tre vjet në një repart kundërajëror të kalibrit 100 milimetra, në një pikë ushtarake mbi Metalurgjinë e Zezë, e cila ende nuk kishte filluar të ndërtohej.
Ky lajm na ra si bombë, të gjithë u ligështuam, kur përsëritnim fjalën tre vjet, tridhjetë e gjashtë muaj, bobo!… Gati sa nuk na binte të fikët nga trishtimi. Njëri nga rekrutët u shpreh, “jo, jo, asnjë nga ne nuk arrin të lirohet, ne do vdesim këtu”. Të tjerët nënqeshën si me zor, nga qe të gjithë u dukej pezmatimi në fytyrat e tyre të njoma 18-vjeçare.
Pas një jave na çuan në fshatin Petresh, i cili ndodhej mbi fshatin Bradashesh.
Stërvitja filloi me një disiplin të lartë. Ishte dimër, shpesh herë binte edhe borë.
Fotoja e parë është topi 100 milimetra me të cilin ne bënim strërvitje, pesha e tij ishte nëntë tonë, në rast lëvizje ai tërhiqej me Diagaç. Gryka e zjarrit ishte shtatë metra, e 46 cm e gjatë, predha peshonte 15 kilogram, nga të cilat pesë kg ishte baruti, shtatë kg peshonte predha, e tre kg peshonte gëzhoja.
Predha fluturonte deri në 40 kilometra larg, aftësia e qitjes ishte deri në 20 kilometra në vijë ajrore. Topat ishin të markës sovjetike, në rast lufte punonin automatikisht, me një shpejtësi qitje 15 të shtëna për një minuët, në drejtim të avionëve luftarakë të huaj, në se ata do të na sulmonin ne, vetëm qyteti i Elbasanit kishte gjashtë bateri, herë nga gjashtë topa për secilën bateri, baras me 36 topa të tillë, plus armët e tjera të kalibrit, 12. 7, 37, 57, 75, mm, etj.
Kaq kishte vetëm Elbasani, imagjinoni se sa armë kundërajërore, e tokësore kishte e gjithë Shqipëria për mbrojtjen e vëndit nga armiqtë e jashtëm.
Dalngadalë ne u mësuam me jetën, e rregullat e ushtrisë, në çdo sezon vere, në muain gusht ne vinim në Divjakë ku bënim qitje me armët që ne kishim me predha luftarake.
Kur u liruam në muajin dhjetor të vitit 1971, u gëzuam shumë, nuk na besohej se si kaloi ai trevjeçar në ushtri!…
Me anën e këtij shkrimi, përshëndes të gjithë shokët e atyre viteve të ushtrisë, në rast se ndokush nga ish shokët e ushtrisë e sheh dhe e lexon! Përshëndes edhe të gjithë ata që kanë bërë ushtrinë në ato vite dhe që kanë kujtime kështu si dhe unë!…
Belul Kryemadhi