Molla e Adamit e histori të tjera me mollë

Molla e Adamit e histori të tjera me mollë

 

 Sefedin Çela

 

Përrallat janë për fëmijë e pleq si puna ime, tek ato njeriu kthehet si në një strehë që të mbron nga shiu.

Kur isha i vogël jam dëndur me përralla më shumë se me dhallë e me rehani.

Gjithçka që më mungonte i gjeja aty, edhe kur nuk i dëgjoja nga të tjerë, i lexoja  në libra, ose i sajoja.

Duhej besuar në diçka të bukur për të luftuar e gjetur diçka të bukur.

 

 

Në njëfarë mënyre përralltarët të sillnin Borëbardhën e shtatë xhuxhat shëndoshë e mirë në kasollen tënde të kashtës, ku , i fshehur nga moshatarët, ëndërroje  çfarë të doje!

 

 

Këto ditë u jam kthyer përrallave më të hershme e më të bukura të njerëzimit, Biblës e Kuranit!

 

Ata që besojnë nuk kanë frikë kur humbasin, nuk bien, kanë ku mbahen. Po unë jam nga ata që nuk besoj se Zoti krijoi botën, po njerëzit e krijuan Zotin për t’a patur në krah kur janë në hall e të dëshpëruar, për të shpresuar, si krijuan dhe përrallat.

 

 

Le të besojnë njerëzit, nëse kështu u duket se u lehtësohet jeta, se u zbukurohet shpirti, se u shtohet dashuria.  Fundja për ditë shohim si përleshet e mira me të keqen, si i ngopuri nuk pyet për barkthatin, si i forti nga hiçi i djeshëm sot bën diçin.

 

 

Fundja, këto libra, që nga lashtësia, u mësojnë njerëzve  si duhet luftuar e keqja, edhe brenda vetes, që të fitojë e mira:

Sipas Zanafillës, librit të parë të Biblës, Zoti, ndoshta i pari poçar që përmendet, mbrujti nga balta njeriun e parë, Adamin. Bëri  një kopësht, Edenin,  me lule, me pemë, me kafshë  e gjithë të mirat e  caktoi aty  Adamin si të dërguarin e vet.

 

Se Zoti kishte thënë : të bëhet ditë. Dhe u bë ditë. Pastaj kishte thënë : të bëhet natë. Dhe u bë natë. Pataj bëri ditët e netët e javës, gjashtë. Në fund e mbylli me ditën e shtatë pushim, të dielën!

 

 

Kafshët nuk kishin emra, Adami duhej t’u vinte emër. Ato ishin çift, kishte kalë baba e kalë mama, elefant baba e elefant mama, e kështu qën e mace  e me radhë. Rronin bashkë, çifte çifte.

 

Adami ishte  vetëm. Si të thuash,  burrë baba pa burrë mama. Iu ankua Zotit, pse më ke lënë vetëm, pa shoqëri, o Zoti im, të qofsha falë?

 

 

Atëhere Zoti e vuri Adamin në gjumë, i hoqi një brinjë e prej saj krijoi Evën, gruan e parë. Sipas Kuranit, shenjuar  shekuj  e shekuj më vonë se Zanafilla, gruaja është krijuar nga  brinja  më e lakuar. Nëse mundoheni ta drejtoni , do t’a thyeni, dhe nëse e lini ashtu, ashtu do të mbetet. Kështu që silluni mirë me gratë, porosit Kurani.

 

 

Zoti kishte thënë se mund t’i provonin të gjitha pemët e kopshtit, përveç njërës, pemës së dijes, mollës. Nga dija mund të merrje vesh ç‘ishte mirë e ç’ishte keq, po  ç’ishte mirë e ç’ishte keq  duhet t’a dinte vetëm  I plotëfuqishmi, Zoti.

 

 

Duke shëtitur në kopësht gjarpëri i fryn në vesh Evës e i thotë të provojë mollën, më të  shijshmen e të gjitha frutave. Eva i tregoi  Adamit  ç’i  fryu gjarpëri në vesh e i tha t’a provojnë të dy.

 

– E po, gjarpëri të ka thënë, tha Adami, po ai nuk di të flasë, kush e mësoi?

 

Ishte ëngjëlli i keq, cmirzi e kokëmëvete Satanai, ndaç Djalli, ndaç Shejtani, I Ligu, që  fryu në vesh si gjarpër.

 

 

Sa e provuan mollën, zbuluan se nuk kishin asnjë rrobë në trup. Nuk e kishin parë kurrë ashtu njëri tjetrin, edhe pse tërë kohën ishin bashkë. Eva ishte aq e bukur sa Adamit i mbeti molla në fyt. (Që nga ajo kohë burrat kanë në fyt mollën e Adamit, si e kam dhe unë!)

 

 

U mbuluan me ç’mundën. Librat e shënjtë dhe pikturat tregojnë se së pari gjetën të mbulohen me gjethe fiku! Sot njerëzia zhvishen për lezet , bie fjala në Big Brother, por përpjekjen  e parë të njerëzimit për t’u veshur e quajnë të kotë, si të thuash se zure  diellin me shoshë apo  mbulove të vërtetën me gjethe fiku!

 

 

Ajo kokërr molle shijuar pa lejë është mëkati i parë i njerëzimit, të provosh një gjë të ndaluar.

 

Vetëm për kaq  Zoti nuk i fali, i përzuri nga Edeni!

 

 

Adami dhe Eva u kthyen në vdekëtarë të zakonshëm, në një vend të thatë e të varfër.  Bashkë me ta dolën  sheshit  të mënçurit e budallenjtë , virtutet e veset, e mira dhe e keqja, mëkati, dashuria dhe urrejtja, cmira dhe zilia, pangopësia e vobektësia, së bashku nën një diell të vetëkënaqurit  e të pashpresët.

 

 

Adami dhe Eva zbuluan njëri tjetrin nga brenda duke u mbuluar nga jashtë, ai  ishte një burrë për t’u dashur e ajo ishte një grua për t’u dashur.

 

 

Thuhet sot e kësaj dite se pa atë mëkatin e parë njerëzimi nuk do të gjenin as kuptimin e jetës, Adami e Eva nuk do të kishin zbuluar dashurinë. Në Eden ata gati nuk bënin asgjë, nuk dinin çfarë ishte gëzimi e hidhërimi, rronin bashkë e nuk dinin pse ishin bashkë, pse Adami ishte ashtu burrë e pse Eva ishte ashtu grua. Madje të ngeshmit sot shpotisin e thonë se atyre u mungonin edhe ato grindjet e vogla, kripa që i jep lezet jetës në çift.

 

 

Pas mëse 6000 vjetësh nga libri i parë Zanafilla, më shkrepi të kujtoj historinë e mollës  biblike  e deri te llojet e  mollëve  që botanika i njeh  me emrin Malus domestika.

 

Molla bie nën mollë. Që prej fëmijërisë së njerëzimit, për shkak të formave të saj joshëse nga jashtë, si  bartëse e dijes nga pamja si yll e farave të bërthamës së saj nga brenda, për shkak  të shijes së veçantë  e  ngjyrave, po dhe të rastësisë, molla është fruti më me histori.

 

 

Në përralla, edhe në video nga Disney film, në shtëpinë e Shtatë Xhuxhave Shtriga e keqe  tentoi të helmojë Borëbardhën me një mollë të kuqe.

 

Isak Njuton zbuloi ligjin e famshëm të rëndesës nga një mollë që i ra rastësisht mbi kokë në ecje e sipër.

 

Gjeniu kontravers Steve Jobs, që nuk e kishte për gjë të parkonte makinën në vendin e caktuar për njerëz me aftësi të kufizuara,  logon e Apple e mendoi një mollë, bëri  të pamundurën për të gjithë të mundur për të gjithë  : shpiku një aparat të vogël celular kompjuter Apple, me logo një mollë, që mund t’a kenë të gjithë. Atë frut mitik  miku i tij e disejnoi të kafshuar si diçka që mund t’a provosh kur të duash e sa herë të duash, po dhe për të kujtuar se ajo ishte ngasja me të cilën njeriu i parë bëri mëkatin e parë.

 

 

Jobs realizoi ëndrrën e tij: gjithçka është e mundur nëse je personi i duhur në kohën e duhur e në vendin e duhur!

 

Thuhet se miku më besnik i njerëzve sot nuk është më qeni, po celulari, shpikja e këtij burri që nuk para  i pëlqente të shoqërohej me të tjerë, po që bëri mrekullinë për njerëzinë!

 

 

Në një mëngjes të paqtë pushimi kur i kisha të gjitha, i kthyer vite pas në kohë, t’a zemë një  të dielë, ditë e shtatë e javës sipas radhës, rrija ngeshëm në shtrat me gishtat e butë të vajzës në fytyrë e në qafë.

 

Të futej midis nesh ishte një lojë që Jonës i pëlqente t’a bënte çdo të dielë e mua më pëlqente t’a bënte.

 

Për një çast ajo  ndaloi lojën me gishta e më thotë në vesh : o ba, të ka dalë diçka në fyt, po mos  u tremb! Fyti im nuk ka  nga kjo gjëja!

 

 

Atëhere i thashë Jonës së vogël ngadalë  po te veshi: po shikoja mamin tënd në gjumë. M’u duk aq e bukur dhe e mirë sa harrova të kapërdij mollën që po haja. Kjo që kam në fyt është molla ime e Adamit, atij të parit fare që i ndodhi kjo që më ndodhi mua, dhe kjo e bukura dhe e mira në gjumë është Eva ime e mamaja jote dhe e Ronit, si ajo e para fare  që ishte gruaja e Adamit!

 

 

Jona u rrit e mësoi edhe histori me emra të tillë si Adami e Eva, Françeska da Rimini e Paolo Malatesta, Romeo e Zhulieta , apo Tristani dhe Izolta. Ndoshta historia e këtyre dy të fundit iu duk më prekëse; them kështu se djalit të saj i vuri emrin Tristan!

 

 

Çdo mëngjes me briskun  e rrojes para pasqyrës molla e Adamit më bën të shoh me sytë e zemrës Evën time  të bukur e të mirë sa më s’ka…

 

…aty në dhomën tjetër, në gjumë, si në ëndërr!