Gjermano-shqiptarja (Nusja e Skraparit) Waltraud Tunger rrëfen për Shqipërinë, “Fenerin ndriçues të Evropës” të viteve 1960-1990 (Pjesa e parë)

Gjermano-shqiptarja (Nusja e Skraparit) Waltraud Tunger rrëfen për Shqipërinë, “Fenerin ndriçues të Evropës” të viteve 1960-1990 (Pjesa e parë)

 Ne, gratë e huaja, që kërkuam parajsën dhe gjetëm skëterrën në Shqipëri

 

 

Zylyftar HOXHA

 

Me Waltraud Tunger unë kam pasur një njohje të vjetër, pasi jam kujdesur për botimin e librave të saj me kujtime “Vjehrra ime, Kolja” dhe “Larg Shqipërisë” si dhe për librin “Bashkudhëtarë” të të shoqit të saj, Ilmiut që s’rron më. Natyrisht flisja gjithmonë në telefon dhe e informoja për çdo gjë që ndodh në Shqipëri, pasi ajo ishte shumë e ndjeshme për gjithçka që dëgjonte këtu.

 

Edhe ajo ka disa vjet që ka vdekur (Paqe e qetësi Parajse për Të).

 

 

Më ka ngelur peng dorëshkrim i libri Çapitjet e mia nëpër Shqipëri” i ripunuar për njëbotim të dytë, por nuk kam gjetur dot sponsor.

 

 

Kam një premtim nga një miku imdhe besoj e shpresoj se do ta realizojmë këtë projekt.

 

 

 

 Më poshtë po ribotoj në disa numra një intervistë dhe disa pjesë të librit të marra 10 vjet më parë.

 

 

Por le ta njohim një herë

 

 

Kush është Waltraud Tunger

 

Waltraud Tunger (Vala Bejko) është lindur më 18 korrik 1933, në një familje punëtore në Khemnitz të Gjermanisë Lindore. Shkollën e lartë e bën në Moskë, ku njihet me djaloshin shqiptar, Ilmi Bejko nga Sevrani i Skraparit, me të cilin lidhi përfundimisht jetën e saj.

 

 

Pas përfundimit të studimeve, vendosen familjarisht në qytetin e Fierit, ku kanë ndenjur 12 vjet, më pas në Tiranë, 4 vjet.

 

 

Në vitin 1975, pas zbulimit të të ashtuquajturve grupeve armiqësore, u shtuan dyshimet te të huajt, ndaj i transferojnë në Kukës, ku kanë jetuar 9 vjet, më vonë në Krujë, përsëri  9 e kështu me radhë, sa u mbushën 37 vjet, të cilat Vala i quan jo në Shqipëri, por nëpër Shqipëri.

 

 

Waltraud Tunger ka një veprimtari të pasur krijuese, mbi 20 vepra letrare dhe shkencore të përkthyera në gjuhën gjermane në kohën e diktaturës, për të cilat ajo edhe sot e ndjen veten “limon i shtrydhur”, përderisa kjo krijimtari nuk i është njohur dhe vlerësuar si pronë intelektuale e saj. “Nuk më vjen keq që e kam bërë këtë hap të rëndësishëm, se unë respektova jetën time, nuk isha martuar as me Ulbrihtin, as me Enver Hoxhën e as me Hrushovin, por me Ilmi Bejkon nga Sevrani i Skraparit, një student shqiptar që studioi bashkë me mua në Moskë.

 

 

Unë isha e vetmja gjermane, qytetare e atij vendi, që tashti e njihja mirë gjuhën shqipe dhe mund të jepja gjermanisht në universitet, apo të bëja përkthime të kualifikuara. Ndërsa, në të vërtetë po degdisesha s’dihet se ku, për punë ordinere, që mund t’i bënte kushdo  Kjo ishte padrejtësia më e madhe që na u bë nga ai regjim e që mbeti përjetë një njollë e errët në kujtesën time, kujton Vala, duke shtuar se motoja e jetës së tyre ishte, të mos i nënshtroheshin kësaj ndjenje të keqe.

 

 

Për një lexues të kujdesshëm në Shqipëri, shkrimtarja gjermane Waltraud Tunger është e njohur me librat e saj, “Albania Mein Lieben”, “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”, “Larg Shqipërisë”, “Vjehrra ime, Kolja” si dhe mbi 20 libra shqip të përkthyer në gjuhën gjermane në kohën e monizmit. Tani ajo jeton në Gjermani, siç thotë vetë, si Ali Pasha, veçse ai, i vdekur, kurse ajo është e gjallë, me këmbët atje dhe kokën në Shqipëri, në atë Shqipëri ku ajo “u çapit” për 37 vjet me radhë, duke kaluar si grua e huaj një dramë të pamerituar, me shumë privacione, me lëvizje të shumta e me motive të dyshimta në çdo cep të vendit.

 

 

Megjithëse gjendja saj, as gjermane e as shqiptare, ishte për të fyese,  përsëri ajo është  e malluar,  për jetën në  Shqipëri, pasi për të ka qenë e bukur, e motivuar, mbi të gjitha se aty krijoi çerdhen familjare. Me ato që thotë e shkruan, duke hedhur pas atë pjesë të errët të së kaluarës, ajo rezulton e plotësuar, e realizuar me atdheun e saj të dytë, Shqipërinë, të cilën siç thotë ajo figurativisht, e ka marrë në një torbë kujtimesh me vete.

 

 

-Vazhdoni të shkruani?

 

 

 

Unë jam gjermane ose më mirë, siç thoni ju, gjermankë, që do të thotë në një farë mënyre e fortë, këmbëngulëse. Kështuqë me gjithë peshën e viteve, punoj. Shkruaj nga pak, përkthej. Një botues ka pëlqyer shumë përrallat shqiptare. Unë i kam çuar disa që kam patur, megjithatë kërkoj ndihmë, në këtë rast edhe nga ti, të më ndihmosh të më gjesh përrallat më të bukura, autentike dhe me moral shqiptar.

 

 

 -Do t’i kthehemi në retrospektivë jetës suaj, që ndoshta do të jetë me interes edhe për lexuesin, ç’mund të thoni për vitet e periudhës komuniste në Shqipëri.

 

 

Do të them për ditët e para që shkela në Shqipëri. Nuk harroj udhëtimin e parë, kur unë po shkoja nuse në Sevran të Skraparit, raste të tilla ngelen të freskëta në kujtesë. Nga rrapet e Pacomitit të Përmetit deri në Sevran rrugën e bëmë herë më këmbë e herë hipur në kalë, mbi kurrizin e të cilit unë e kisha shumë të vështirë të qëndroja.

 

 

Nuk mjaftoi sikleti i madh dhe lodhja sfilitëse me këtë mënyrë udhëtimi, kur në Raban, në shtëpinë e Demirit, një miku të Ilmiut, dëgjoj një histori mjaft të trishtuar, që kishte ndodhur gjatë luftës.

 

 

Gjermanët i kishin vënë zjarrin një shtëpie, pasi  kishin gjetur garza e pambukta me gjak, duke u bindur se atje ishin strehuar partizanë. Zonja e shtëpisë, kur vuri re zjarrin, brofi brenda dhe nxori që andej fëmijën. Por s’arriti të bënte këtë, një SS e rrëmbeu djepin bashkë me djalin e lidhur në të dhe e hodhi mes flakëve. Pa menduar se ç’mund t’i ndodhte, ajo goditi me grusht ushtarin, duke u turrur tej poshtë e duke iu shmangur katër të shtënave pistolete.

 

 

Unë e pashë atë grua, kur doli nga shtëpia dhe mendova për urrejtjen e saj, si do ta shprehte edhe ndaj meje që vija nga ai vend, emrin e të cilit ajo s’donte t‘ia zinin në gojë. Zbrita nga kali me ndjenja të përziera. Befas ajo më rroku prej qafe. Ajo kishte përballuar dhimbjen mbi humbjen e fëmijës dhe më priti sipas zakonit të vjetër të mikpritjes shqiptare, jo se e kishte harruar fëmijën e saj.

 

Ky ishte episodi i parë.

 

Episodi i dytë ishte edhe më i rëndë. Unë po vija në një shtëpi që gjermanët u kishin vrarë djalin, vëllain e Ilmiut. Plagët e luftës ishin të freskëta. Ç’do të mendonte vjehrra ime që po i vinte një gjermankë në shtëpi, një motra e atyre që i kishin vrarë djalin?!…

 

 

Isha krejt e turbullt, por vjehrra ime Kolja, ma hoqi si me dorë sikletin më priti në shtëpi si nusen e saj, bëri të gjitha shartet, sado që ne nuk i flisnim dot njëra- tjetrës për shkak të gjuhës. Ajo ishte nga Frashëri, nga Frashërllinjtë e shquar.

 

 

Unë e kam dashur dhe ajo më ka dashur shumë gjatë gjithë kohës që jetuam bashkë. Madje, kam shkruar edhe një libër të tërë për të.

 

 

Unë ato i kam thënë edhe në librat e mi dhe të thashë edhe pak më parë, se mos u mërzis me ndonjë përsëritje.

 

 

Unë kam ardhur në Shqipëri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar. Natyrisht, jo si turiste, por si qytetare e këtij vendi për të jetuar për gjithnjë, kështu që shpirtërisht isha përgatitur për gjithçka, por siç ndodh në këto raste, syrit të një të huaji nuk i shpëton asgjë. E para gjë që vura re, ishte mungesa e bukës (mos harroni se sapo kishte hyrë 1960-a).

 

 

Çfarë gjëje iu ka bezdisur dhe ua ka çuar në majë të hundës më shumë në atë kohë?

 

Oraret e punës, gjimnastikën e mëngjesit, format e edukimit me ca rregulla strikte dhe formale. Ndjej keqardhje dhe mëshirë edhe sot për disa kolegët e mi mësues në Fier që, kur u bë thirrje të bënin diçka për ndërtimin e socializmit, dhe ajo që mund të bënin ishte të shkurtonin lejen vjetore nga 56 në 42 ditë kalendarike, ata, të gatshëm, që një pjesë të forcës së tyre t’ia jepnin falas shoqërisë, ngriheshin njëri pas tjetrit në mënyrë tragjikomike në mbledhje, duke thënë: “Unë, si mësues, i dhuroj shokut Enver dy javë nga leja ime për të punuar për ndërtimin e socializmit”.

 

 

Tjetër, ç’u ka bërë përshtypje nga realiteti i atëhershëm shqiptar, p.sh, ç’mund të thoni për fshatin?

 

 

Kooperativat bujqësore i ngjanin një shteti të vogël, sigurisht pa ministri të Jashtme. Ky shtet në miniaturë drejtohej nga kryetari i kooperativës, që në të shumtën e rasteve ishin njerëz që kishin bërë Luftën Nacionalçlirimtare ose të afërmit e tyre, që mburreshin dhe menjëherë shpërthenin.

 

 

Këta njerëz pa arsimin e përshtatshëm, tani urdhëronin edhe specialistët me arsim të lartë, të cilët në të shumtën e rasteve i kthenin në shërbëtorë, siç ishte rasti i një studenti të Ilmiut në kooperativën e Surrojt, që fshinte zyrën e kryetarit analfabet, i çonte atij kafen, ndizte sobën etj.. Me ndërhyrjen e Ilmiut, kryetari u shkarkua dhe gjërat vajtën në vend. Kur i thanë Ilmiut, ja dhe Isufin e shkarkuam, ai është përgjigjur: “Eh, ta dini ju, sa Isufa ka nëpër kooperativat e tjera” ”. E vërteta në demokracinë socialiste kishte frikë. Të paktën, kjo bindje më është krijuar mua me ato që kam parë e dëgjuar.

 

 

 Kur erdha unë në vitet 1960 pashë se mungonte buka. Hrushovi gjatë  vizitës së tij në Shqipëri pati deklaruar se: “Aq sa ka nevojë Shqipëria për drithë gjatë një viti, ne na i hanë minjtë në depot tona”. Ai i siguroi atëherë, se nuk do të vuanin për bukë.

 

 

Por në politikë justifikohet çdo mjet në rast divergjence, ne s’dinim ende çfarë luhej në prapaskenat historike. Bashkimi Sovjetik kishte ndalur dërgesat me drithëra për të gjunjëzuar udhëheqësit shqiptarë. Pra, filluan kursimet për bukën. Bashkë me bukën e grurit duhet të merrnim edhe bukë misri, madje ca më shumë. Kjo  lloj buke hahej vetëm e ngrohtë.

 

 

Duke ngrënë këtë bukë, mu bë goja plagë, prandaj fillova ta shpërndaja. Buka e grurit ishte një delikatesë. Pakësimi i befasishëm i saj, ishte një goditje e fortë për popullatën shqiptare. Megjithatë unë asnjëherë në atë kohë nuk kam dëgjuar ankesa, sado që shqiptarët ishin shumë  pranë barit, që ua tha Enver Hoxha një vit më pas.

 

 

-Ju u bëtë shpejt një qytetare shqiptare…

 

 

 Pavarësisht se e huaj, unë isha një qytetare shqiptare, kështu  që s’bëhej përjashtim, kam marrë pjesë në të gjitha aksionet, që ishin një shpikje e PPSH-së për vrapin në socializëm. Në të vërtetë kjo ishte një punë heroike e popullit. Po ku shkonte gjithë ky akumulim i punës së papaguar i fshatit dhe i qytetit? Një zot e di.

 

 

Në vitet ’70,  PPSH-ja presionit psikologjik mbi popullsinë i shtoi ndërtimin e veprave ushtarake të dukshme për të gjithë. Popullit iu bë thirrja që të ndërtonte transhetë midis bunkerëve në një kohë sa më të shkurtër.

 

 

Të gjithë ne u treguam të gatshëm, por me vete mendova: “Oh, e shkreta unë, ç’na gjeti, kush i hap tani ato!” Çdo mësueses duhet të bënte vetë 30 m kanal, 1.20 m të thellë dhe 0.80 m të gjerë. “Kur një shoqja ime propozoi të më pakësonin normën si mësuese e vjetër, sekretarja e partisë u bë spec dhe urdhëroi prerë se secili duhet të bënte normën e vetë. Ç’të bëja? Mendoja…, perëndia e Luftës do të mbajë dorën e vetë mbrojtëse mbi mua dhe nuk do të fillojë një luftë e re! Dhe perëndia mitologjike e Luftës më ndihmoi këtë radhë.

 

 

Engjëlli shpëtimtar u shfaq në figurën e ish-drejtoreshës sime, Elvana Manaj. Ajo dhe i shoqi, Lutfi Manaj ishin nga Vlora dhe Tepelena dhe kishin mbi 10 vjet në Kukës. Me një skuadër ushtarësh Lutfiu hapi tërë pjesën time të transhesë, që t’i mbyllte gojën sekretares së partisë.

 

 

Për ju ata që u kanë njohur thonë se nuk ngjanit si e huaj…

 

 

Po, ma thoshin edhe mua këtë,” je babaxhankë”, “je popullore”. Ç’është e vërteta, në punën time si mësuese, unë jam ndeshur shpesh me problemin e parazitëve. Në fshat, ku kushtet e higjienës ishin më të këqija, mësuesit i kontrollonin nxënësit. Kur gjenin një morr, e mbështillnin në një copë letër dhe ia dërgonin nënës së fëmijës si mjet vërtetimi, siç më ka treguar kunata ime Hanëmja. Po të mos e besonin prindërit, le të bindeshin vet në kokën e fëmijës!

 

 

Ndonjëherë parazitët na ngjiteshin edhe ne. Pyeta shoqet e mia si i luftonin këta mysafirë të “lezetshëm”. Duke luftuar neverinë, e leva kokën me një përzierje vajguri dhe uthull. Kjo kurë radikale nuk i bënte mirë lëkurës sime të kokës, e cila edhe pa morra më hante tani, duke formuar shumë zbokth.

 

 

Në fshat, rreziku më i madh ishin pleshtat, të cilët e ndjenin veten mirë në mes të plehrave të bagëtisë dhe që nga stallat barteshin me vete nëpër dhomat e shtëpisë, ku në shtrojet prej kashte gjenin kushte ideale. Kisha një ndjenjë pështirosjeje kur shihja në çarçaf njollat e tyre, që nuk laheshin mirë me mjetet e larjes së atëhershme. Unë, siç duket, duhet të kem patur gjak të ëmbël.

 

 

Gjatë qëndrimit në Kukës unë kam zënë tre-katër herë morra. Parazitët i merrja  nga nxënësit, ashtu si dhe në Fier. Kulmi ishte, kur një ish -student i Ilmiut na solli një “kafshë” të tillë në shtëpi. Mund të përfytyrohet lehtë që unë pas kësaj nuk e shihja me sy të mirë ardhjen e tij. Kur i tregova shoqes “hallet” e mia, ajo më këshilloi që në raste të tilla t’i nxirrja shtrojet jashtë në të ftohtë, me qëllim që ata të ngordhnin. Por kur nuk ishte ftohtë!?…

 

 

-Thonë për ju se keni qenë e thjeshtë në marrëdhëniet me shokët, shoqet, komshinjtë, e bërë, si thonë fjalës popullore…

 

 

Ilmiu, im shoq kish një fis të gjerë. Unë u njoha dhe u miqësova shumë me ta, u kam shkuar dhe më kanë ardhur në të mira dhe në të këqija. Janë njerëz të dashur dhe të afruar. Jo vetëm ata, por në përgjithësi shqiptarët në drejtim të afinitetit dhe të të bërit shoqëri janë të veçantë, ata përshëndesin e urojnë të njohur e të panjohur, ofrojnë ndihmë dhe s’dinë ku të të vënë, kur të presin si mik. Ata tregohen impulsivë, të hapur ndaj çdo të reje dhe shtrohen mirë në biseda. Në autobus, gjatë rrugëtimit, a në kafe shqiptarët të pyesin mundësisht për tërë biografinë, janë artistë në marrjen e informacionit nga tjetri. Kjo gjë mua më është dukur prekëse. Ndërsa për atë që pyetët ju, për lidhjet familjare, mund të them se në atë kohë ato kanë qenë të admirueshme dhe proverbiale, që rrallë i ndesh gjetkë. Edhe unë u ambientova shpejt me këtë realitet, u përkujdesa për dy prindërit e Ilmiut deri sa ata u ndanë nga jeta.

 

 

 

(Vijon në numrin e nesërm)

 

 

 

Nesër do të lexoni:

 

 

Puna e Waltraud në Radio si spikere dhe përkthyese dhe përmbysjet e mëdha në këtë institucion në vitin 1974

 

 

Pse nuk i vinin emrin në librat e përkthyer dhe si e ndihmonte Robert Shvarc me të cilin kanë përkthyer bashkë “Biografia e popullit në vargje” të Kadaresë

 

 

Transferimi në Kukës si grua e huaj etj.