Dy vjet pa studiuesin, shkrimtarin, publicistin dhe mikun tonë të shtrejtë, Jovan Jano

Dy vjet pa studiuesin, shkrimtarin, publicistin dhe mikun tonë të shtrejtë, Jovan Jano

 

Ka dy vjet që në median dhe shtypin e shkruar shqiptar vërtet nuk ndeshet më emri i tij, por në raftet e librarive, në biblioteka, në arkivat personale të studiuesve dhe pasionantëve të historisë dhe letërsisë gjendet vepra e tij e gjerë dhe e thellë në formën e librave, studimeve shkencore, artikujve, bisedave, intervistave etj.

 

 

Jovan Jano kontribuuoi në disa fusha krijuese, si studiues, si shkrimtar, si publicist dhe gazetar, duke pasuruar fondin bibliografik shqiptar me vepra dinjitoze.

 

 

Fillimisht dy libra historikë: “Historia e Ministrisë së Financave 1912 – 2005”, si dhe “Albumi i Ministrave të Financave 1912 – 2005”.

 

 

I prirur për të zbuluar e mbajtur lart figura të shquara botërore të idealizmës, Jovan Jano ka botuar disa libra interesantë. Prej vitesh kishte gjurmuar personalitete karizmatike, simbole lartësie dhe inspirimi shpirtëror, si “Çe Guevara – personifikimi i politikanit të pakorruptueshën”, “Martin Luter King”, (Monografi), “Mahatma Gandi (Monografi)”, “Kohëra dhe profile”, “Fisnikëri myzeqare”, “Antonio Gramshi”, “Niko Bellojani, Njeriu me karafil” si dhe  një numër shumë i madh artikujsh në gazeta dhe revista të ndryshme.

 

 

Kishte publikuar punimet e tij, fillimisht për Çe Guevarën, heroin e mitologjisë revolucionare. Mes rreshtave të këtij libri, lexuesi i vëmendshëm ndjen thirrjen e pashpallur të autorit: “Unë e dua Çe Guevarën!”.

 

Nën pushtetin e kësaj bindjeje kishte udhëtuar edhe Jovani. Madje, hapin e tij të menduar e kishte hedhur pikërisht në këtë rrugë.

 

 

Libri më për zemër që kishte shkruar Jovani, ishte libri “Shpirtra myzeqarë”. Ky libër është një nga punimet më të ndjera të tij, sepse lidhet me pjesën më të rëndësishme të jetës, fëmijërinë e tij, me vendlindjen e tij, Libofshën në zemër të Myzeqesë, një fshat me emër, por mjerisht i rrethuar me një varfëri proverbiale të para dhe pas luftës, të cilën ai e përshkruan mjeshtërisht me notat dhe ngjyrat më të gjalla dhe më të ndjera.

 

 

Me librat e vetë, Jovan Jano do të mbetet i paharrueshëm, sepsevkontribuuoi thellësisht në lartësinë e nivelit kulturor shkencor të lexuesve të të gjitha moshave, profesioneve, shijeve dhe bindjeve politike dhe ideologjike dhe njëherazi pasuroi fondin bibliografik me vepra dinjitoze.