Daut Malko (Helmësi), historia e rrallë dhe panjohur e një Dëshmori

 Daut Malko (Helmësi), historia e rrallë dhe panjohur e një Dëshmori

 

Për Luftën Nacionalçlirimtare kemi lexuar dhe dëgjuar shumë ngjarje. Dhe është e kuptueshme, lufta është luftë, ka beteja e aksione, ka të vrarë e të plagosur, ka të pushkatuar e të falur, ka heronjtë dhe viktimat e saj. Por kjo ngjarje është  vërtetë e rrallë.

Ishte tetor i vitit 1943. Vithkuqi, kishte rreth dy muaj që ishte djegur e përvëluar nga fashistët italianë. Siç dihet, në shtator Italia fashiste kapitulloi. Po ato ditë forcat fashiste u zëvendësuan nga ato naziste.

 

 

Një mëngjes tetori banorët e Vithkuqit u zgjuan nga batare të pandërprera mitralozi e automatiku. Nga bataretë e para gjermane, siç u zgjuan banorët e Vithkuqit, u zgjua edhe një skraparlli, i cili kishte ardhur një ditë më parë për të shitur rrush dhe për të kaluar natën, kishte shtruar për të fjetur pranë një muri are, i cili ishte përballë Komandës dhe Radiostacionit. Ishte kohë lufte dhe fshatari nga Skrapari në Vithkuq lëvizte i armatosur. Sa u ngrit nga gjumi, ai pa gjermanët që po synonin të rrethonin Komandën partizane duke qëlluar pandërprerë.

 

 

Muri i arës ku kishte fjetur skraparlliu ishte një mburojë fare e mirë për të, që me një vrapim të përkulur, vetëm 100-200 metra arrinte tek pylli më i afërt, i cili e largonte nga çdo rrezik. Për çudi, ai nuk veproi kështu. Nuk mendoi të shpëtonte kokën e vet.

 

 

Zuri menjëherë pozicion dhe filloi të qëllonte me armën e vet forcat naziste. Një zjarr i papritur nga prapa, që ishte zjarri i skraparlliut, i bëri nazistët të stoponin për një farë kohe dhe të merrnin masa për asgjësimin e këtij zjarri që i qëllonte nga pas.

Ky akt, sa guximtar dhe heroik, që stepi gjermanët, nuk mund të mos kishte pasojat e veta.

 

 

Së pari, u dha mundësi disa prej partizanëve të Komandës të mos kapeshin në befasi dhe të shpëtonin nga rrethimi asgjësues. Mundësi u dha edhe banorëve të Vithkuqit që të braktisnin kasollet, të futeshin në pyllin më të afërt dhe të shpëtonin nga plumbat gjermanë. Sigurisht ky akt nuk i dha mundësi shpëtimi vetëm  heroit të tij, fshatarit të panjohur nga Skrapari, që pas largimit të nazistëve u gjend i vrarë prej tyre, pasi kishte mbaruar krejt municionin.

 

Në këtë mësymje të befasishme nazistët vranë pesë partizanë dhe dy nga banorët e Vithkuqit. Ata do të kishin bërë kërdinë mbi banorët e pa armatosur sikur atë mëngjes të mos kishte mbërritur batalioni “Qamil Panariti” nga Qafa e Ujkut.

 

 

Skraparlliu u gjend i vrarë në pozicion dhe pranë tij një grumbull gëzhojash. Ai ishte një skraparlli i thjeshtë. Nuk ishte as partizan dhe as nacionalist.

 

 

Kishte zbritur nga Skrapari të shiste rrush për të fituar diçka që të blinte bukë për fëmijët e tij. Kishte mundësi të shpëtonte, por nuk e shfrytëzoi këtë mundësi. Ç’ishte ai zë që e detyroi të kryente atë akt heroik?! Ishte zëri i Baba Tomorrit. Është ai zë që i ka bërë skraparllinjtë të jenë ata që janë, aq njerëzorë, aq mikpritës, por edhe aq trima.

 

 

Sa mbaroi lufta atë ditë, një grup djemsh vithkuqarë e ngritën në barrelë dhe u nisën drejt Qafës së Martës. Nuk i dinin as emrin e as fshatin nga ishte. Rrugës pyesnin barinjtë mos e njihte ndonjëri. Në Qafë të Martës një udhëtar nga Staravecka, që shkonte në Korçë për pazar, u tha se ishte nga Helmësi dhe quhej Daut Malko.

 

 

Dauti u varros në fshat. Kaluan vite dhe asnjë nuk e zuri në gojë se cili ishte motivi i vdekjes së këtij njeriu. Vonë, shumë vonë, dikush u kujtua dhe i dhanë statusin e Dëshmorit të Atdheut, ndërsa i takonte një status tjetër, ai i Heroit.