
Dëshmi nga spitalet partizane në Grabockë e Katund: “…të vetmit spitale në të gjithë botën ku njerëzit operohen me naxhake barinjsh”!…
Petrit F. Zeneli
Në periudhën korrik – nëntor 1943, spitali partizan ishte vendosur në fshatin Katund, por për rrethanat e krijuara atje, në fillim të dhjetorit 1943 u zhvendos në fshatin Panarit.
Ndërsa nga mesi i dhjetorit 1943, spitali u transferua në zonën Lavdar-Opar. Me fillimin e Operacionit Armik të Dimrit, në janar 1944, kjo bazë u shkatërrua. Bile disa të plagosur që nuk mundën t’i tërhiqnin më parë nga spitali, u zunë nga forcat gjermane dhe u persekutuan në mënyrë barbare. Për këtë arsye, në fund të janarit 1944, spitali e filloi punën e tij në fshatin Grabockë (deri në fillim të prillit 1944), ku çdo shtëpi u shndërrua në strehë të këtij spitali, siç ishin shtëpitë e Novruz Hajros, Sali Agos, Kalem Maliqit, Bektash Zenelit, Kajmak Bakos etj.
Të gjitha nënat e grabockallinjve u rrinin të sëmurëve e të plagosurve te koka, për t’u ulur temperaturën dhe ndërruar plagët, që shoqëroheshin nga britmat e forta të tyre prej dhimbjeve. Të gjitha shtëpitë hiqnin nga goja e fëmijëve copën e bukës dhe e çonin tek të sëmurët. Nga Grabocka spitali kaloi në Nikollarë të Skraparit.
Në një udhëzim të Shtabit të Përgjithshëm, të 5 prillit 1944, drejtuar Brigadës së VII Sulmuese, theksohet:
“…Për shërbimin Sanitar të Brigadës, dërgoni pranë spitalit të Shtabit të Qarkut të Beratit 20 partizanë dhe në rast se në atë spital nuk mund të bëhet stërvitja, dërgoni në Grabockë, pranë spitalit që është atje. Këta partizanë sanitarë do të marrin me vete 14 çanta me material për pronto sokorso (ndihmë të shpejtë). Në qoftë se ju duhet material sanitar me urgjencë, dërgoni të merrni në spitalin Grabockë.
30-31 janar 1944, Grabockë. E djelë. Ora duket muaj në burg ose në spital. Atyre të spitalit partizan të Grabockës u duken vite. Si të qëndrojnë në atë fshat të thellë të Skraparit (në fakt Korçës, P.Z), ndërsa shokët luftojnë me vdekjen? Por edhe këta me vdekjen luftojnë.
Katër ndërtesa të varfëra, të shtypura, të shkallmuara. Dritaret pa xhame. Dyshemeja plot vrima. Mbulesa pak ose aspak. Shtresa asnjë. Ilaçe – e ku mendohet për ‘to? Vegla kirurgjie asnjë. Ka shumë të sëmurë. Njëri përmbi tjetrin. Morra pa numur. Nuk mund të pastrohemi prej tyre. Na janë bërë të pandarë në bukë në gëzime e hidhërime, në biseda e në gjumë. Edhe plagët nuk na i lënë të mërziten. Ka gjithfarë të sëmurëh në spital, të plagosur në çdo vënd dhe prej çdo arme, me këmbë e duar të ngrira, të plevitosur, të sëmurë nga të gjitha sëmundjet që mund të sjellë lufta, e sidomos lufta partizane.
Ndoshta në Grabockë është i vetmi spital në të gjithë botën ku njerëzit operohen me naxhake barinjsh, ku perizi është gjë e tepërt, ku barnat janë “të dëmshme ”, ku mishrat dhe këmbët e ngrira priten me gërshërë grash ose me sharrë drush të dhëmbosura ose të ndryshkura.
E pra, afër Grabockës ndodhet fusha e “zbarkimit” aleat …(Staravekë). Megjithatë asnjë partizan i sëmurë që hyri, s’mbeti në spital, ose në rrethet e afërt. Të gjithë hynë të sëmurë dhe duallnë të shëndoshë. Ndonjëherë me një këmbë më pak, me një sy ose pa hundë. Për këtë mund të pyetet partizani pa asnjë këmbë, Pandi (Kocaqi), nga Dishnica e Korçës. Të gjithë, edhe mjekët, besojnë mbi një fuqi të mbinatyrshme, në një mrekulli.
…Këtu është një pjesë e Shqipërisë së Lirë. Ndoshta e vetmja pjesë e lirë. Në qendër të kësaj zone, si një pikë koncentrike, qëndron dhoma e varfër e Nevruz Hajros. Brenda saj, në errësirën e ndriçuar me dritë pishe, rreh zemra e qëndresës me çdo kusht, e fitores mbi çdo gjë.
Në fshatin Katund, spitali u vendos tek shtëpia e Nisi Konomit, një atdhetar i shquar dhe anëtar i Shoqërisë “Vatra” dhe Shoqërisë “Fatbardhësia”. Shtëpia, ndërtuar me gurë të gdhendur e çërmësh, në vitin 1935, ishte me dy kate dhe tetë dhoma. Kishte dhe një mulli bloje aty pranë, drejtuar nga mullixhiu i talentuar Hekuran Panariti, që i mbante dyert e tij hapur, ditë e natë.
Në fillim erdhi mjeku Taqi Skëndi, për ta inspektuar godinën, dhe e vlerësoi atë si të përshtatshme për spital. Pas disa ditësh, mbërriti kirurgu Petro Cani dhe infermierja Viktori Titani. Brenda javës burrat e Katundit dhe Stratobërdhës ngritën krevatet e spitalit, ndërsa gratë mbushën dyshekët me kashtë thekri dhe siguruan çarçafë, batanije e velenca prej leshi. Menjëherë u shtruan partizanët e plagosur apo të sëmurë.
Gjithë ushqimet u siguroheshin nga banorët. Gratë dhe të rejat e fshatit, me radhë lanin teshat dhe pastronin mjediset e spitalit. Ndërkohë, për ruajtjen e tij u vu në shërbim njësiti prej 12 vetësh i Katund-Stratobërdhës, drejtuar nga Tili Stratobërdha dhe batalioni partizan “Hakmarrja”.
Në fillim të dhjetorit 1943, spitali u zhvendos në fshatin Panarit.