Shënime nga një udhëtim i hershëm nëpër disa fshatra të Skraparit

Shënime nga një udhëtim i hershëm nëpër disa fshatra të Skraparit

 

Përparim Hysi

 

 

Ka qenë verë e vitit 1957, kur isha në Skrapar dhe ca më shumë në Vërzhezhë.  Zbrita në Çorovodë dhe, pasi kalova urën e Sharovës, lashë Slatinjën, Veleshnjen, djathtas në një faqe mali Cërovën dhe, duke ngjitur malore të sforcuara, mbërrita në Nishicë, ku rronte gjyshi im nga nëna, Hekuran Pëllumbi dhe dajot e mi, Enver dhe Skënder Pëllumbi.

 

 

I kishin cilësuar kulakë dhe të mëdhenj e të vegjël, mend u binte bretku në atë zheg vape. Më dhimbeshin dhe më dukej që, ndërsa atyre u digjej mjekrra, unë kërkoja të ndizja cigaren.

 

 

I shkurtova ditët e mia në Nishicë dhe, pasi u riktheva në Çorovodë, u nisa për tek dajot e babait tim në Koritë. Kur ngjita maloren e fortë të Pirogoshit , hasa tek pusi i Dervish Iljazit, bamirësit me zemrën oqean nga Vërzhezha. Mu bë si i gjallë aty, pranë pusit.

 

 

Në Koritë në shtëpinë e  Xhepes (Rexhepit) dhe Neshatit, Safetit; Xelalit e Zaimit qendrova një javë dhe malit e malit rashë në Dobrushë, tek teze Refikoja, atëherë e ve dhe djali i vetëm i saj, Aliu ishte dëshmor.

 

 

Pak qendrova në Dobrushë dhe u vara tatëpjetë për në Vërzhezhë.

Së pari,  e rroka qytetarinë e Vërzhezhës tek dera e madhe e Kapllanëve. E Kapllanëve që ishin kulakë; që partia i kish burgosur; që kish pushkatuar oficerin me akademi italiane, Muharrem Kapllanin.

 

 

Porta dykanatëshe e Kapllanëve ishte e hapur. Unë qendrova një çast para asaj porte. Oborrin ta lëpije me gjuhë me një pastërti virgjine dhe, ndryshe, fare ndyshe nga shumë shtëpi,  në oborr kundërmonin lule.  Epo qytetaria nuk ka brirë dhe një syripreciz si të Profesorit nuk kishte se si i shpëtonte ky fakt me kaq domethënie. Por qëndrova dhe për një fakt tjetër.

 

 

Në shtëpinë tonë, në Petovë të Fierit, kish ardhur për punë të pushtetit një veteran i asaj kohe: Xoxi Andoni. Në darkë i tha babait:-Ore Hazis ku bëhen ata Kapllanët e Vërzhezhës dhe, ndërsa imatë po tregonte seç’i kish gjetur, veterani tha:

 

“Vëllanë e Muharrem Kapllanit, Dervishin e kishim arrestuar. Ishte 17-vjeç. Kërkoi të vinte në banjo dhe një nga partizanët e shoqëroi për atje. Prit, prit dhe i burgosuri nuk po dilte. Partizani hapi derën dhe e gjeti që me brisk, kish çarë barkun dhe me duarët e gjakosuar copëtonte zorrët. Derë trimash” – tha veterani.

 

 

Kërkoja mos shquaj njeri dhe, pa u larguar nga ajo portë, m’u kujtua xhaxhai im, Hilmi Hysi që kish mbaruar  si jurist në Mon Pelie dhe u bë avokat mbrojtës për bashkëfshatarin e tij, Muharrem Kapllani, por partia ua kish prerë qyrkun që të dyve, duke u marrë jetën.

 

 

Qytetarinë e Vërzhezhës, atë verë, e hasa tek Gjinecët, tek Qafokët; tek Myftarajt; tek Çelajt dhe kudo ku më shpuri kushëriri i babait, Xha Maksuti apo siç e thërrisnim: Maksut Be!

Padyshim, qytetarinë edhe tek Hysët se në Skrapar askush nuk e ha bukën thatë.

 

***

 

Ndihem krenar që jam nga Vërzhezha dhe tek e mbyll ktë shkrim, dua të them që Vërzhezha e ka të bardhë ballin para historisë. I ka dhënë vendit patriotë e luftëtarë; i ka dhënë njerëz të ditur dhe, pa menduar se mund të jem i drejtpërdrejtë, pa frikë mund të shkruaj: Vërzhezha ka patur klerikun më zemërmadh, njësoj si Nënë Tereza, që është quajtur Dervish Ilazi –  Vërzhezha; ka një  nga prozatorët më të mire, që quhet Shkëlqim Haxhi Çela, me profesion ekonomist që rron në Amerikë dhe para disa vjetësh mori çmimin” Kadare”.

 

 

Nga Vërzhezha është sopranoja me emër në botë, Ermonela Jaho alias Maria Kallas. Nga Vërzhezha janë, ekonomisti Gjergji Qafoku, që veç librit për “Dervish Iliazin” ka bërë “Pemën Gjenealogjike Të Vërzhezhës”. Nga Vërzhezha është i ndjeri, kolonel Gazmor Hysi që ka bërë “Pemën Gjenealogjike” të Hysëve e shumë e shumë të tjerë që kanë bërë emër.