Jeta e Xhevahir Spahiut, udhë dhe poezi

 Jeta e Xhevahir Spahiut, udhë dhe poezi

 

 

 Zylyftar Hoxha

 

Sot, më 1 mars, poeti Xhevahir Spahiu mbush plot 80 vjeç, urime poetit! Do të kishim dëshirë që me këtë rast t’i kishim bërë një vështrim të shkurtër, retrospektivë, jetës së tij sizifiane, por fatkeqësisht, për shkak të formatit të kufizuar elektronik mundësinë e kemi tepër të kufizuar.

 

 

Ajo që po themi është pak për të, i kërkojmë ndjesë që po i biem kaq shkurt, kaq “shkopërisht”, siç thotë ai. Megjithatë, ç’rëndësi ka fjala jonë, kur atij i flet puna dhe vepra e vetë.

 

 

Për kujtesë lexuesit në këtë ditë të shënuar të tij, natyrisht, edhe  tonën, do të mundohemi të risjellim në vëmendje forcën vullkanike të këtij titani krijues, që, siç thotë vetë në një poezi:

 

Tek tingujt vdes

Tek ngjyrat çmendem

Tek fjala vdes çmendem përmendem.

 

 

Një vepër që nuk do të vdesë kurrë

 

 

Xhevahir Spahiu është shkrimtar i njohur shqiptar, një nga poetët më të spikatur të poezisë shqipe qoftë në idetë dhe mesazhet që mbart, por edhe në një teknikë dhe në ngjyrë të veçantë dhe të pakrahasueshme me poetë të tjerë.

 

Poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 30 vjetëve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja. Veprat e tij analizohen në tekstet e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, ku janë botuar dhe pjesë,  në të gjitha kategoritë e shkollave, që nga cikli i ulët e deri në shkollat e larta. Nuk ka botime antologjike, brenda dhe jashtë vendit, ku poezia e tij të mos zërë vend krahas përfaqësuesve më të shquar.

 

 

Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë së tij poetike janë botuar në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht, kroatisht, hebraisht etj.

 

 

 “I pabindur”, por i drejtë dhe i pathyeshëm

 

 

Gjatë gati 60 vjetëve autorin e kanë larguar nga puna si dhe i kanë hequr të drejtën e botimit disa herë radhazi për “gabime ideologjike” dhe frymë antikonformise në krijimtari, në vitet1973, 1974, 1977, 1979-1980, 1984-1986.

 

 

Në vitin 1977-1978 e largojnë nga “Zëri popullit” dhe e çojnë në minierën e Valiasit; në vitet 1986 e heqin nga revista “Nëntori” dhe e çojnë mësues të thjeshtë në shkollat e natës, pasi kishte lejuar të botoheshin novela të “gabuara”.

 

 

Në vitin 1973 iu ndalua botimi i librit poetik “Bota ku eci”.

 

Libri poetik “Zgjimi i thellësive” në vitin 1979 u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton. Krahas këtyre,  autori u rrezikua edhe për shkak të vëllait të tij të burgosur politik.

 

Kështu, herë i pushuar nga puna për “gabime ideologjike” e herë i privuar nga e drejta e botimit, herë me shtëpi e herë pa shtëpi, herë i përndjekur, por vazhdimisht i pabindur, gjatë peripecive të kësaj jete, ai nuk u thye e ndërkohë nuk la cep të Shqipërisë pa e njohur e pa u kënduar jetës dhe dramave të saj. Dritëhijet e saj frymëzuan pareshtur serinë e librave të tij të mrekullueshëm poetikë.

 

 

Jeta e Xhevos, udhë dhe poezi

 

 

Ka qenë dhe është një nga udhëtarët më të palodhur në Shqipëri. Nuk ka lënë cep të Shqipërisë dhe Kosovës pa shkelur. Edhe tani, pas sëmundjes, vazhdon udhëtimet. Orgesi, djali i tij i madh, nuk ka lënë vend pa e çuar, nga veriu në jug.

 

 

Vëru re poezive të tij; si dhe njerëzit, kanë vendlindje, kanë adresë, kanë gjeografinë e tyre. Por edhe po nuk e patën, midis rreshtave kuptohet koha dhe vendi ku janë ngjizur.

 

 

Xhepat e Xhevos në atë kohë e në këtë kohë rrinë plot copa letrash, me motive vjershash, me penelata të shpejta, që më vonë piqen në saçin krijues të autorit. Rrallë të gjesh një poezi të bërë në tavolinën e punës së tij. Jo, ato janë bërë udhës.

 

 

Ndaj dhe përmbledhja më e plotë dhe më e përzgjedhur e tij është quajtur “Udha”. Se, si shumë fjalë të shqipes, edhe fjala “udhë” ka origjinën e saj nga pellazgjishtja e vjetër. Odhiseu e mori emrin nga udha (udhë-odhise), se bëri udhë të gjatë për të ardhur në Itakë. “U mbodhise” thotë një fjalë e vjetër shqipe, në kuptimin, u vonove. U mbodhise, mbete (mbë)në udhë. A s’mbeti kështu edhe Odhiseu!…

 

 

Reportazhi-shkollë i Xhevahir Spahiut

 

Ashtu si poezia, megjithëse më e pakët në vëllim, edhe proza e Xhevahir Spahiut është elegante, metaforike dhe mbresëlënëse. Ajo përbëhet nga artikuj eseistikë, kritika letrare, intervista, esse dhe parathënie librash të botuara në gazetën “Drita”, në revistën “Nëntori” dhe më vonë edhe në gazeta të tjera të ndryshme.

 

 

Por Xhevahir Spahiu mbahet mend më së shumti për reportazhet e tij, sidomos në “Zërin e Popullit”. Reportazhet “Kalojnë minatorët. Hiqni, kapelet!”; “Dyer dhe zemra të hapura”; “Labëri, Labëri!”; Vlorë, copëz stralli”, “Armët e pathyera të Skraparit” e shumë të tjerë, janë reportazhe-shkollë, që gazetarët e rinj duhet t’i kenë si shembuj metodikë për mënyrën e të vëzhguarit dhe të të trajtuarit të fakte njerëzore.

 

 

 

 

“VETËTIMË” nga…“Mali i Vetëtimave”

 

 

Vëllimi më i fundit i poetit Xhevahir Spahiu titullohet “Vetëtimë”. Ai është botuar pas sëmundjes së tij të rëndë. Është strukturuar me poezi në copa letrash të gjetura rastësisht në fleta librash, blloqe shënimesh, në xhepa a në kushtime që u ka bërë ai miqve të tij.

 

 

Ka një titull të bukur, shumë domethënës, “Vetëtimë”, që shkrepin nga një Mal Vetëtime, siç është ai.

 

Më poshtë kemi shkëputur, ç’na ka zënë dora, disa poezi të shkurtra, nga vëllimi më i fundit i poetit me titull “Vetëtimë”, botuar në vitin 2013; që s’është gjë tjetër, veçse një shkreptimë e vërtetë mali krijues.

 

 

O gur i mullirit

 

        Te shtëpia e De Radës

Bluaj e bluaj

500 vjet;

 

ullinj

dhe të zitë e ullirit;

 

tani bluan eshtrat e fjalëve plaka,

bluan veten,

                o gur i mullirit

 

***

 

Natë pa pyll.

Humbellë pa skaj.

Zot, si rri fill?

Qaj.

 

***

 

A ka gjëkund ndonjë shitore

A ka ndonjë tezgë kot më kot

Të ble me disa qindarka qorre,

Jo bukë, por pak durim, o zot?

 

 

 

Në teatër

 

Gëzim Kame

 

 

U nda nga turma

Një pëllumb i bardhë,

Theu xhamin me krahë

E hyri

Në ngrehinën bojë hiri.

 

Doli sakaq,

I përgjakur.

 

Kish parë

Një dramë të Shekspirit.

 

 

 

Verbani

 

 

fati s’ka sy

 

seç i qesh të zezës

seç ngërdhesh të bardhën

 

fati s’është në vete

 

megjithëse i verbër

Homerit s’i ngjan

 

qan kur qesh

qesh kur qan.

 

 

 

Shqipërimi i fjalës Politikë

 

 

P                                                                                                                                             

o

l

i

th

i          

k

ë

 

(pa datë)

 

 

 

Zhburgimi

 

 

Jetën e ngrysi me një lepur në bark;

Vdekja një ditë i trokiti në prag.

 

Kur lepurin pyetën: – Ku ke qenë, ore mik?

Sa dola nga burgu –  ua  ktheu pa frikë!

 

198 (?)

 

 

 

Kufiri i shpifur

 

 

Kjo arë me grurë

E ndarë më dysh:

një vatër diellore atje në Qaf’Morinë.

Ngroh dheun dhe zemrën.

Shkruan fjalë të mbara:

Të ndahet buka,

Pa u ndarë fara!

 

 

 

Jetimëri

 

Rruga “Miqësia”.

Miqësi, po me kë?

Asgjëja e asgjësë,

Asgjë.

 

1982