
Dituri Mustafaraj dhe Aurora Hajdini, në një bisedë të lënë pezull dhjetra vjet më parë
Dashnor Dosti
Kjo është Aurora Ajdini. Është mësuese matematike, e diplomuar në vitin 1985 dhe për shumë vjet ka shërbyer në gjimnazin “Ramiz Aranitasi” Çorovodë, më pas mësuese e drejtuese në gjimnazin “Ismail Qemali” e prej gati 25 vjetësh jeton në Çikago, ku është afirmuar si një mësuese e e suksesshme.
Aurora edhe pse larg atdheut prej vitesh, nuk është shkëputur kurrë prej tij. Disa herë ka ndjekur ekipin tonë kombëtar të futbollit, madje deri në Ishujt Faroe, jo dhe aq për arsye sportive se sa patriotike.
Për 10 ditë me radhë në qershorin e kaluar ishte në Gjermani e gjitha e veshur kuq e zi. Në profilin e saj në facebook shpesh publikon foto e video të nxënësve të saj gjimnazistë duke bërë shqiponjën për asgjë tjetër, por thjeshtë për të kënaqur mësuesen e tyre të talentuar.
Surpriza e saj e fundit ishte ardhja nga Çikago e largët për të marrë pjesë në festën e mësuesve të Skraparit, organizuar sot në Durrës.
Në përshëndetjen e saj u pa qartë se ishte shumë e emocionuar dhe kjo u bë më e qartë kur organizatorët i nxorën përpara mësuesen e saj të Ciklit fillor Dituri Mustafaraj, gjë e cila shkaktoi emocione tek të gjithë të pranishmit.
Nuk mund të rrija pa bërë një foto me kolegen time të nderuar (i përkasim të njëjtit brez, por të shkolluar në vende të ndryshme) dhe po ashtu e ndoqa me kujdes e pa rënë në sy bisedën e saj me mësuese Diturinë, të cilën pa rënë në sy, edhe e fotografova.
Në këtë foto me mësuesen e saj duket sikur janë duke vazhduar një bisedë të lënë pezull dhjetra vjet më parë.