
Ja e vërteta historike e shqiponjës së gdhendur në teqenë e Backës?
Teqeja e Backës është teqeja më me histori e Skraparit, sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare: mikpritëse e çetave kombëtare për liri dhe pavarësi, qëndër e përhapjes së gjuhës dhe shkollës shqipe të asaj kohe në Skrapar.
Sot në hyrjen kryesore në murin përballë teqesë së Backës vizitori sheh shqiponjën me dy kokë, simbolin tonë kombëtar, të zgëdhendur në gur.
Për shqiponje flitet shpesh, por në të gjitha shkrimet, edhe në ato të faqes zyrtare të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, flitet gabim. Thuhet se teqeneë e ndërtoi Baba Fetahu në vitin 1876 (!), kur Baba Fetahu ka qenë më vonë, nga fillimi i viteve 1900, në kulmin e zhvillimeve të Rilindjes Kombëtare.
Ka qenë një patriot i thekur rillindas që teqenë e vuri në dispozicion të Lëvizjes Kombëtare, e ktheu në bazë të çetave kryengritëse si Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Tajar dhe Tefik Vëndreshës, Çetave të Backës, të Laces, Zotes dhe Riza Kodhelit, çetës së Sali Butkës etj.
Aty bëhej fshehurazi mësim shqip dhe shpërndaheshin libra shqip në tërë Skraparin, Përmetin, Kolonjën dhe Korçën.
Pra, periudha në të cilën Baba Fetahu është në krye të teqesë së Backës është gabim, nuk është në vitin 1876, por nga fillimi i vitit 1900.
Këtë gabim e “korrigjon” edhe Mihal Grameno me shënimet etij të vitit 1905, kur thotë:
“Kënduam rrugës deri sa arritëm në Backë, ku shkuam te dervishia dhe u pritmë nga dervishët.
Dervishia pozicionohet bukur në një fushë të bukur të rrethuar nga kodra dhe pyje. Përmes dervishisë kalon një përrua, pra është një pamje vërtet e bukur.
Baba Fetahu zgjodhi këtë vend dhe dha shumë për bukurinë natyrore të saj.
Ay mbolli pemë, vreshta dhe shumë gjëra të tjera nën një rregull perfekt. Aq sa çdo udhëtar që do të kalojë aty e s‘do të ndihmojë dot veç do të admirojë punën e tij e do të thotë:
“Lavdi shpirtit Tënd Baba Fetah!…
Sipas historikut të teqesë, ajo u dogj nga andartët grekë në vitin 1914. Rindërtimi i saj filloi po nga Baba Fetahu në vitin 1918 dhe përfundoi në vitin 1920.
Kur vdiq Baba Fetahu, sipas të thënave nga të moshuarët e fshatit Backë, teqenë e ka lënë në mes të mureve, të papërfunduar.
Ustallarët e rindërtimit të teqes kanë qenë nga Vithkuqi. Këtë të dhënë e gjejmë në kujtimet e shkrimtarit fabulist shumë të njohur, Gjikë Kurtiqi.
“Teqenë e Backës e ka ndërtuar gjyshi im, Sotiri, që ishte kryemjeshtër i njohur në tërë zonën. Sotiri kishte lindur në Grabockë ne vitin 1884, por pas vdekjes së të atit, vijnë në Vithkuq dhe vendosen në vendin që quhej Kurtiq, ndaj dhe morën mbiemrin Kurtiqi.
Në vitin 1910 Sotiri shkon në Amerikë, ku krijoi shoqatën “Vllazeria Vithkuqare”. U dërgua nga shoqata “Vatra” bashkë me një grup të rinjsh nga Bostoni me vapor për në Vlorë, që të ndihmonin qeverië shqiptare që të mbronte territoret e Shqipërisë së Jugut nga bandat e andartëve grekë.
Gjyshi im – shkruan më tej Gjika, pas kësaj nuk shkoi më në Amerikë, por me djemtë e tij, midis tyre edhe baban tim, krijoi një skuadër ndërtimi dhe punoi si gjithë të tjerët në zonat e Skraparit, të Mallakastrës dhe Labërisë.
Kishte miqësi të shumta, por mik të veçantë, që në atë kohë i quanin vëllamë, kishte Baba Fetahun. Kthehej aty dhe bujtëte ditë me radhë sa herë që i binte rruga për të shkuar në vendet që thamë më lartë apo që e zinte shiu apo të ftohtët rrugës.
Aq e madhe dhe e sinqertë qe kjo miqësi, tregonte babai im, – shkruan Gjika, sa që Baba Fetahu i lutej gjyshit të linte xhahanë tim, djalë i ri, i pamartuar, ta bënte dervish në teqe, megjithëse ishte ortodoks!…
Ndërtimi i teqesë me gjithë punimet brenda, se gjyshi ishte edhe mjeshtër i drurit, marangos, kanë vazhduar mbi dy vjet, – përfundon Gjika.
Gjikë Kurtiqi
Të gjithë ustallarët në atë kohë, në dyer skalisnin vizatime të thjeshta, që kërkoheshin nga i zoti i objektit dhe realizoheshin nga ustallarët. Të tilla gjen në të gjitha trevat e shqiptare, por që e kanë patur më për zemër, kanë qenë zonat e jugore të Shqipërisë dhe realizuesit, ustallarët gorarë dhe oparakë, të cilët vizatonin figura zoomorfe dhe floreale si shpendë, kokë luani, sorkadhe dhe kafshë të tjera, por edhe degë me gjethe dhe lule të ndryshme pemësh.
E tillë duhet të ketë qenë edhe shqiponja e teqesë së Backë, e realizuar nga usta Sotiri. Mundet të jetë porositur edhe nga Baba Fetahu që në gjallje, por kur përfundoi teqeja Babai kishte një vit e ca që kishte vdekur.
Pra “shqipojna e teqesë së Backës”, e thurur deri tani si një legjendë, sikur ajo ka qenë që para vitit 1900, nuk është e vrërtetë. E vërteta është histori e thjeshtë, natyrisht edhe e bukur, që tregon Gjika, gjë që as ia shton dhe as ia zbeh famën, si teqesë ashtu edhe Babait të saj patriot.