A e dini historinë e Bektashinjve shqiptarë, në mos e dini, mësojeni!…
Më poshtë, për të mos e lodhur lexuesin, për të kuptuar veprën, misionin dhe kauzën e bektashinjve, po mundohemi të japim fare shkurt diçka nga historiku i doktrinës së tyre në përgjithësi, ardhjen dhe përhapjen e kësaj doktrine fetare në Shqipëri si dhe disa nga normat më kryesore të Tarikatit Bektashian.
Bektashinjtë e kanë zanafillën te Jeniçerët (yen, jen – që do të thotë një, njësh). Këto ishin trupa speciale në formën e gardës së sulltanëve të mëdhenj, të formuara nga njerëzit më të zgjedhur (çdo 100 familje të krishtera, ishin të detyruara të çonin një djalë në këto reparte). Edhe Skënderbeu ka qenë jeniçer në oborrin e Sulltanit.
Më pas këto trupa kaluan një histori të gjatë, u fuqizuan aq shumë sa në momente të caktuara konkurruan dhe rrezikuan seriozisht edhe sulltanatin. Këto trupa ushtarake, pjesë e strukturës së shtetit osman, në shekullin e 16-17 kishin si udhëheqës shpirtëror Haxhi Bektash Veliun, një baba turkmen nga Azia e Vogël, i ndikuar nga doktrina e mistikut persian, Ahmet Jasevi, që më vonë u bë urdhri i tij fetar. Ndaj dhe jeniçerët quhen edhe bektashinj.
Siç thamë, për shkak të luftës së brendshme për pushtet, Jeniçerët (Bektashinjtë) në vitin 1826, u shkatërruan dhe bektashizmi pati krizën më të rëndë në Anadoll, por qenë të fortë dhe mbetën të tillë në trevat e Rumelisë, kryesisht të Shqipërisë, ku dhe ishte burimi i jeniçerëve. Është kjo arsyeja pse Bektashizmi u përhap shpejt dhe u ruajt në trevat shqiptare si në Jug ashtu edhe në Veri.
Në vitet e mesit dhe fundit të shekullit të 19-të, Shqipëria ishte bërë “atdheu i dytë” i Bektashinjve dhe numëronte mbi 100 000 Bektashinj, një numër i konsiderueshëm po të kemi parasysh numrin e atëhershëm të popullsisë në Shqipëri. Në këtë kohë në Shqipëri ishin ndërtuar mbi 40 objekte kulti, teqe, duke mos llogaritur objekte të tjerë fetarë që ishin ndërtuar nga misionarë si Sari Salltiku në Krujë e ndonjë objekt tjetër gjetkë.
Sipas studiuesve të huaj dhe shqiptarë, përhapja e shpejtë e Bektashinjve në Shqipëri pati disa faktorë favorizues. Mbi të gjitha Tarikati Bektashi nuk ndryshonte shumë nga ai i krishter, murgjit e krishterë ishin si dervishët e teqeve, faljet dhe lutjet nuk ishin të rënda dhe të bezdisshme, aq sa thuhej se Bektashizmi ishte një “Islam perëndimor”.
Zonat ku u përhap dhe u ngritën objektet e kultit bektashian në Shqipëri ishin Skrapari, Përmeti, Kolonja, Berati, Gjirokastra, Korça, Elbasani, Kruja, Mati, Gjakova etj.
Deri në vitin 1922, Bektashinjtë shqiptarë i bindeshin autoritetit më të lartë të urdhrit të Dedeit të Madh, i cili e kishte selinë në Stamboll, në Turqi. Një vit më parë, në vitin 1921, një Kongres Bektashian Shqiptar, i mbledhur në Teqenë e Prishtës, ka shpallur zyrtarisht autonominë, duke marrë edhe pëlqimin e Dedeit të Madh të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve të Stambollit, që ishte me origjinë shqiptare.
Nuk vazhdoi shumë dhe në vitin 1923, në kuadrin e reformave të mëdha që bëri kryeministri turk Qemal Ataturk, i cili ndau shtetin nga feja, u krijua një klimë jo e mirë për Kryegjyshatën Botërore të Stambollit. Ndaj ajo u transferua në Shqipëri, në Tiranë. Që atëherë edhe sot Kryegjyshata e Tiranës mori statusin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.
Pozita politike e Bektashinjve shqiptarë është veçanërisht interesante. Me fillimin e Rilindjes Kombëtare ata u bënë bashkë me ortodoksët dhe katolikët, duke përqafuar çështjen e pavarësisë kombëtare. Dallohen këtu vëllezërit Frashëri, Naimi, Samiu dhe Abdyli. Shumë teqe në atë kohë u bënë çerdhe të çetave patriotike dhe shkolla për përhapjen e gjuhës shqipe. Kjo traditë vazhdoi edhe më pas, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku teqetë mbështetën partizanët.
Eprorët e teqeve si Baba Meleq Staravecka, Baba Fetahu i Teqesë së Backës, Baba Alushi i Teqesë së Frashërit, Dervish Iljazi etj. ishin në ballë të Lëvizjes Kombëtare.
Domosdo, nuk bëjnë përjashtim nga kjo edhe drejtuesit e teqesë së Prishtës si Baba Xhaferri, Baba Shahini dhe Dervish Abedini, të cilët e kthyen teqenë në shkollë dhe në çerdhe strehimi të çetave të asaj kohe për pavarësi si të Çerçis Topullit, Mihal Gramenos, Nexhip e Myteza Bënjës, Ali Farmaqit, Tefik e Tajar Vëndreshës, Sulejman Spatharës etj.