Abdyl Kapinova dhe pozicioni i tij në Luftë

Abdyl Kapinova dhe pozicioni i tij në Luftë

 

 Nga Qerim Hysenbegasi

 

Dera e Kapinovallinjve ka qenë me emër dhe me zë në gjithë Nahijen e Beratit

 

 

Shefit Kapinova, njëri prej trimave që nxori kjo derë e nderuar, ka qenë  luftëtar i shquar  i çetave për liri e pavarësi. Ai ka marrë pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës.

 

 

I biri, Abdyli, lindi në Kapinovë më 13 korrik 1898. Mësimet e para i mori në gjuhën turke. Rasti e solli që të shkollohej jashtë, si shumë patriotë të tjerë, por kjo s’e pengoi atë dhe derën e Kapinovallinjve për t’u lidhur ngushtë me çështjen madhore të kombit.

 

 

Në vitin 1917, zbret  nga Kapinova në pronat e tija në Fushë–Peshtan.

 

 

Me pushtimin, kur filloi lëvizja kundër tij, Abdylin e shohim komandant të forcave të 13 fshatrave të Nahijes.

 

Ishte burrë me mendje  të ndritur dhe zemër të madhe. Në verën e vitit 1943, duke u nisur thjesht nga qëllime patriotike, vë shtëpinë e tij në dispozicion të krerëve  të luftës. Aty u bë “Mbledhja e Jugut”, që kishte  për qëllim të mos niste e të mos përhapej vëllavrasja.

 

Në atë mbledhje morën pjesë nga të dy palët: Ali Këlcyra, Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani, Abdyl Kapinova… nga njëra anë dhe nga ana tjetër: Mestan Ujaniku, Kahrreman Ylli, Gjin Marku, Xhevit Struga, Nexhmi Ballku…

 

 

Gjithë shpenzimet dolën nga sofra bujare e kësaj dere të nderuar.

 

 

Në shtator të vitit 1943, në  krye të forcave që komandonte, nga 13 fshatrat e Nahijes, përleshet me forcat italiane në Fushën e Uznovës, në Biftë e Gërricë. Nga Duhanasi i erdhën forcat e Abaz Ermenjit. Në këtë  përpjekje mbetet i vrarë Riza Hoxha.

 

 

Gjithmonë shkoi ku e thirri zëri i kombit. Familja s’kurseu  asgjë për kombin, prandaj ruan emër të mirë.

 

 

E për të gjitha këto, regjimi komunist familjen e tij do ta dënonte me 121 vjet burg: Abdylin me 10 vjet, Haki  Kapinovën me 10 vjet, Ali Kapinovën me 101 që iu kthye në 30 vjet… U konfiskohet e gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme.

 

 

Edhe dëshmitë e mira të Mestan Ujanikut dhe partizanit Kamber Goxhaj, që ishte caktuar të survejonte  Abdyl Kapinovën, s’mundën të bënin gjë. Gjithçka ishte vendosur:  njerëzit e mirë, familjet e nderuara duhej të vuanin.

 

 

Si gjithë të tjerët, edhe ai priti, priti shumë gjatë, për t’iu kthyer, ajo që  iu nëpërkëmb: nderi, emri i mirë. Dhe dita e pritur erdhi!…

 

 

Le të jenë këto radhë një homazh për njeriun e nderuar Abdyl Kapinova.

 

 

 

Shënim i “Orakujve të Tomorrit”:

 

 

“Orakujt e Tomorrit” disponojnë dokumente arkivore të nxjerra nga dosja e Shtabit Partizan të Qarkut të Beratit, nga Historiku i Qarkut dhe të dhëna të tjera, lidhur me pozicionin e Abdyl Kapinovës gjatë Luftës, të cilin e sqaron dhe për të cilin është dënuar edhe Mestan Ujaniku.

 

 

Kur ishte me shërbim në Shkodër në vitin 1946, Mestan Ujaniku merr vesh se ishin arrestuar Abdyl Kapinova dhe Ali Baba Tomorri si armiq të popullit. Abdyli ishte cilësuar edhe si kulak dhe i ishte sekuetruar pasuria.

 

 

Mestani vjen menjëherë në Tiranë te autoritete e larta për të sqaruar pozicionin e këtyre dy njerëzve në Luftë, që ata kishin ndihmuar dhe kishin vënë në dispozicion të partizanëve gjithçka që kishin: Shtëpia e Abdylit në Fushë –Peshtan ishte bazë ku bëheshin mbledhje të Shtabit të Qarkut, ku jepeshin urdhra dhe korrierët venin e vinin duke shpënë e duke sjellë lajme. Pa le pastaj me fjetje e me ngrënie që nuk bëhej fjalë.

 

 

Po kështu, si një garnizon ushtarak për partizanët ishte kthyer për gati tre vjet luftë teqeja e Kulmakut, ku shërbente Ali Baba Tomorri.

 

 

Kishte gjetur kishë ku të falej Mestani!…

Autoritet kompetente nuk i a vunë fare vesh fjalëve të tij, por vepruan, madje shpejt, të jepnin dënimet e rënda.

 

 

Mestani u kthye në Shkodër i zhgënjyer.

 

Dhe, nuk zgjati shumë, as dy tre muaj, kur atij në gjyq, në vargun e akuzave si kundërshtar i regjimit, i kishin shtuar edhe rastin e Abdyl Kapinovës dhe Baba Ali Tomorrit, se “ai mbronte armiqtë e popullit”.