Abdyl Pilafi, si ta portretizosh këtë njeri?!…

Abdyl Pilafi, si ta portretizosh këtë njeri?!…

Pandeli Bardhi

Takimin e parë me Abdyl Pilafin e kemi bërë para tre vjetësh në qytetin e Beratit. Do të kalojnë edhe shumë vite të tjerë, aq sa ta “kemi të shkruar”, e përsëri me mall do të takohem me këtë Njeri.

 

E kam njohur qysh herët, si një intelektual që të imponon respekt. Nuk flet shumë, flet shumë rrallë, por e rëndësishme është që të gjithë i bën për vete dhe e fiksojnë në kujtesë këtë intelektual të përmasave të veçanta.

 

I kam patur mundësitë që të shkoja në Berat e ta takoja gjatë këtyre tre viteve, por ka qënë i larguar jashtë vëndit  dhe Facebook-u u bë shkak që unë të flas përsëri për këtë mik e shok të rrallë.

 

Sikur edhe një qytetar nga Berati të ketë edhe ankesën më të vogël nga ky koleg që për shumë kohë ish-Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë, unë do t’i tërheq të gjitha. Por qënia e tij në shumë funksione, nuk ka qenë e rëndësishme për të, sepse një karrige në pushtet, kushdo mund ta marri me shumë mënyra, siç shkruan Woller, kur thotë:  “Që të ngjitesh në sferat  më të larta të kësaj bote,  duhet medoemos që: zgjuarësinë ta kthesh në dinakëri të zhdërvjelltë;  vullnetin, në egërsi prej bishe,  ambicien në cinizëm, moralin në mirësjellje formale dhe ndërgjegjen në librezë çeqesh”!

 

Abdyli dhe shumë të tjerë nuk e njohin këtë kategori intelektualësh. E rëndësishme për Abdylin është që edhe në funksione të larta, edhe si qytetar i thjeshtë, ai është dhe mbetet Njeri, Njeri në shërbim të shoqërisë, Njeri që dijet e tij prej një euriditi i ka për shoqërinë, Njeri ,mbi të gjitha i thjeshtë, thjeshtësi që i japin dijet e tij, cilësitë e larta morale që ka.

 

Ai është dhe mbetet një njeri i thjeshtë, i komunikueshem, i shoqërueshëm me të gjithë, që ka dashuri edhe për një hallexhi në nevojë dhe do të bëjë të pamundurën që t’i japë një ndihmë sa të ketë mundësi.

 

Abdyl Pilafi është një “kompleks” më vete dhe, me përshtypjet që kanë qytetarët e Beratit e të gjithë ata që e njohin, e portretizojnë me “ngjyrat” më të mira si një njeri model për shoqërinë, për shtetin, për familjen…