“Abdyl, shite pasurinë, një barrë flori”: Ku dhe si e gjeti floririn Abdyl Frashëri për të lobuar për pavarësinë e Shqipërisë

 “Abdyl, shite pasurinë, një barrë flori”: Ku dhe si e gjeti floririn Abdyl Frashëri për të lobuar për pavarësinë e Shqipërisë

Vargjet e këngës popullore nuk janë thjesht folklor, por një histori reale

 

Nga Qetsor Gurra

 

Fatkeqësisht, ne, shqiptarët, duke mos pasur administratë shtetërore ose, më mirë, e kemi patur aq larg, në Stamboll, sa tretej rrugës, historinë e kemi ruajtur gojë më gojë në formë rrëfimesh dhe këngësh në folklor:

 

“Abdyl shite pasurinë, një barrë flori

Hype vaporit dhe shkove, vajte në Berlin

Me Bismarkun u takove, për Shqipëri.

Dhe Bimarku se ç’të pyeti, djalë kush je ti?

“Unë jam nga Shqipëria; Abdyl Frashëri

I rritur në ato male me libra në gji,

Ju lutem, shikoni mirë dhe për Shqipëri

Mos e bëni copa copa, sikur s’ka njeri…”

 

Kjo ishte kënga që këndohej në çdo dasmë, gëzim apo muhabet në të gjitha trevat e Jugut, si në Labëri ashtu edhe në Toskërinë juglindore dhe kaq.

Askush nuk ka shkuar më tej kësaj “kronike”. Asnjë historian apo studiues nuk është thelluar dhe nuk ka kërkuar se, mirë që e “treti pasurinë  për Shqipëri”, por çfarë pasurie ishte kjo?!

 

Themelues i teqesë së Kaninës është Familja Frashëri, të cilët si pronë kishin Zvërnecin ose Triport e Protonovë. Pra, ishte frashërlliu i parë dhe më i madhi i tyre, Abdyl Frashëri.

 

Pas Traktatit të Shën Stefanit për ndarjen e Shqipërisë, Abdyl Frashëri, me fondet  e tij investoi dhe udhëhoqi çështjen kombëtare. Ai u detyrua që, disa prona, ndërmjet tyre edhe teqenë e Kaninës, t’ua shiste Shehajve, që edhe sot jetojnë në Kaninë.

 

Shehajt ishin nga Bargullasisi i Berati, një fshat në shpat të Tomorrit. Abdyl Frashëri thirri Shehun e Bargullasit me dy vëllezërit e tij dhe u dorëzoi përkundrejt pagesës pasurinë, midis tyre edhe teqenë bashkë me pronat e saj.

 

Siapas të thënave dhe këngës, teqenë e ka ndërtuar Familja Frashëri, jo Familja Vlora, ndoshta më pas, me blereje dhe riblerje mund të këtë rënë në dorë të Familjes Vlora.

 

Po sipas të thënave, fatkeqësisht jo dokumenteve, sepse nuk është marrë më këtë çështje asnjeri, ai i ka shitur dy pasuri të patundshme që kishte në Vlorë, që i bëjnë karshillëk njera – tjetrës. Ato janë të regjistruara edhe në Kadastrën turke, kur Vlora varej nga Pashallëku i Beratit. Prona e parë ndodhet në Mifol, e kufizuar: Lindje-perëndim me lumin Vjosa, veri-prona e Sulo bej Cakranit, jug – lumi Vjosa. Është blerë nga kapedani i luftërave për liri, Mustafa Beg Grabova.

 

Vëllezërit Frashëri në Janinë

 

Transkriptimi i pronës u bë me firmën e Abdul Bej Frashërit, si vëllai më i madh i djemve të Halit Bej Frashërit: Samiut, Naimit dhe më të voglit, Mehmetit. Grabovajt, këtë pronë e disponojnë edhe sot dhe blerjen nga Frashëllinjtë e njohin  si origjinë prone themelore.

 

Interesant është saktësia e faktit; blerja është bërë me sterlina angleze dhe jo me mexhite turke. Nga të dy shitjet bëhen tri arka me flori. “Një sasi të tillë, – sipas sekretarit të Abdyl Frashërit, -beu e futi në dy hejbe dhe e harxhoi për misionin diplomatik që u bë, për takimin  me Kancelarin Oto fon Bismarkun.”

 

 

Abdyl Frashëri

 

Abdyl Frashëri lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare kur u vendos për nevoja pune në Janinë.

U shqua si personalitet politik qysh më 1877, si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.  

 

Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri (atëherë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman), u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stambollit).

Më 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës.

 

  Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj.

 

Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë.

 

Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881, u burgos në kalanë e Prizrenit ku qëndroi tre vjet. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Pa një amnistie me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës, u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.

 

Ndërroi jetë në kryeqytetin e perandorisë pas një sëmundjeje të gjatë.