Adriatiku apo Joni, cili det e lag Vlorën?

Adriatiku apo Joni, cili det e lag Vlorën?

Ilirjan Gjika

 

Në antikitet kufiri ndarës midis Adriatikut dhe Jonit ishte diku pranë qytetit të Durrësit të sotëm. “Epidamni është një qytet që gjendet në anën e djathtë kur hyn në gjirin e Jonit. Pranë tij banojnë barbarët Taulantë…”, shkruan në shkrimet e tij, “Babai i Historisë”, Herodoti.

 

 

Përveç tij janë një sërë autorësh antikë që e përmendin këtë fakt si Pausania, Lukiani, Aristoteli, Klaud Eliani, Vib Sekuestri, Foti, Theofrasti, etj.

 

Interesante janë edhe të dhënat që na jep mitologjia. Ato kanë të bëjnë me emrin e detit Jon.

 

 

Sipas saj qyteti i Durrësit të sotëm u quajt Epidamn prej themeluesit të tij. Bija e Epidamnit, Melisa nga lidhja e saj me Poseidonin lindi Dyrrahun. Prej këtij të fundit lindi Joni. Joni u vra nga Herakliu i cili e hodhi trupin e tij në det. Kështu nga kjo ngjarje deti nisi të emërtohej me emrin e tij: Jon.

 

 

Ndërsa sot gjithçka është ndryshe. Kufiri ndarës midis dy deteve është zhvendosur më në jug.

 

Kështu segmenti imagjinar Karaburun-Otranto përbën vijën ndarëse midis Adriatikut dhe Jonit. Pra, Vlora dhe gjiri i saj lagen nga ujërat e detit Adriatik, ku në brigjet shqiptare, vija ndarëse midis tij dhe Jonit merret kepi i Gjuhëzës në gadishullin e Karaburunit.

 

 

Ngatërresa ndodh sepse Joni identifikohet me Rivierën Shqiptare e cila quhet rëndom edhe si Riviera e Jonit.

 

 

Ndërkohë që Riviera nis në jug të qytetit të Vlorës në Ujin e Ftohtë. Pra brigjet e Rivierës lagen nga dy dete: Adriatik dhe Jon, ndërsa Vlora vetëm prej Adriatikut.